Mero Baze

Hashim Thaçi, kundërshtari politik i Albin Kurtit dhe president i vendit, është para dy akuzave hipotetike nga Albin Kurti. Njëra akuzë është se nën ndikimin e SHBA, Hashim Thaçi ka nisur vitin e kaluar, bisedimet me Serbinë, dhe axhenda e bisedimeve ka lënë të hapur dhe shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës.

Akuza e dytë, kjo e sotmja, është që Hashim Thaçi paska nënshkruar marrëveshje sekrete me NATO-n, duke i dhënë garanci si kryeministër i Kosovës, shefit të NATO-s, pa i kaluar ato në Parlament. Të dyja akuzat, në fakt kanë në thelb raportet individuale të Hashim Thaçit me politikën amerikane. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka “zbuluar” një letërkëmbim të ish- kryeministrit Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe opinionin ligjor të Zyrës së kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash, dhe ka kërkuar që kjo t’u bëhet e njohur deputetëve të Kuvendit, duke sugjeruar se kjo ka qenë në shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Deklaratat e Kurtit janë bërë ndërkohë që ai ka shprehur vullnetin politik për të shkarkuar nga detyra presidentin Hashim Thaçi, disa orë para se ai të pritej në Uashington nga sekretari i Shtetit, Mike Pompeu. Zbulimi i kryeministrit Kurti, për “marrëveshjen sekrete” mes Thaçit dhe NATO-s, për sigurinë në Kosovë, kanë pasuar dy javë plot tension mes tij dhe të dërguarit special të presdentit Trump, ambasadorit Grenell, që tani është dhe njeriu më i rëndësishëm i SHBA për koordinimin e shërbimeve të sigurisë dhe atyre inteligjente. Albin Kurti është para kërkesës së qartë për heqjen e taksës, që t’i hapë rrugë bisedimeve me Serbinë, një premtim elektoral i Kurtit, ndërkohë që ai po përdor si pretendim një tezë të paqartë, që lidhet më atë që ai e quan reciprocitet me Serbinë.

Lexo po ashtu:  Momentet vendimtare/ Trump dhe Biden, të dy tepër optimistë për fitoren

E gjithë kjo panoramë nervoze e raporteve mes tij dhe SHBA dhe mbi të gjitha, përpjekja për “t’i treguar vendin” SHBA, NATO, apo KFOR në Kosovë, gjoja në emër të sovranitetit, janë një ilustrim i paqartësisë së tij se çfarë duhet të bëjë me populizmin që përdori si trampolinë drejt pushtetit. Marrëveshjet e Thaçit me NATO-n, që kanë pasur qëllim sigurinë e territorit të Kosovës, para se Forcat e Sigurisë së Kosovës të ktheheshin në ushtri, janë bërë në pozitat e kryeministrit të Kosovës dhe sot nuk kanë ndonjë rëndësi, pasi situata ka evoluar.

Por pa NATO-n, as Ushtria e re e Kosovës nuk e siguron dot Kosovën, ndaj së paku NATO nuk duhet fyer në këtë histori.

Po ashtu, tema e dialogut Serbi- Kosovë është vendimtare për të ardhmen europiane të Kosovës dhe rolin e SHBA aty. Shmangia e kësaj teme, është shmangie e përgjegjësive për të udhëhequr Kosovën. Hashim Thaçi natyrisht ka bërë gabim që e ka personalizuar këtë betejë dhe duhet të bënte pjesë të saj gjithë spektrin politik të Kosovës, por qëndrimet populiste të kundërshtarëve të tij, e kanë pamundësuar këtë gjë.

Lexo po ashtu:  Scholzi i kërkon Vuçiqit të rreshtohet me BE-në për Ukrainën dhe të ruajë stabilitetin e Bosnjës

Tani Hashim Thaçi nuk mund të akuzohet, edhe si i shitur tek serbët me ndërmjetësinë e amerikanëve, edhe si i shitur tek NATO, që donte të mbronte Kosovën nga serbët përmes amerikanëve. Albini mund të zgjedhë një nga të dy akuzat, edhe pse në mendjen e tij ai është duke akuzuar Hashim Thaçin si shërbëtor të amerikanëve, çka është dhe e vërtetë. Vetëm se Albini në këtë histori, një herë amerikanët i bën aleatë me serbët, një herë aleatë me Kosovën.

Tani ta ndajë mendjen me kë do bëhet vetë, se SHBA dhe NATO janë me Kosovën dhe emrat e kryeministrave i harrojnë shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *