Italia po lufton. Më shumë se 17 mijë njerëz të infektuar. Më shumë se 1200 të vdekur. Klinikat janë në limite. Mjekët flasin për një cunami që po i merr përpara.

“Lufta ka shpërthyer,” shkruan Daniele Macchini, një ndihmësmjek nga Bergamo, në një postim të shpërndarë mijëra herë në Facebook. “Betejat luftohen ditë dhe natë, pa ndërprerje. Të pafatët vijnë njëri pas tjetrit në urgjencë. Ata kanë qëndruar në shtëpi për një javë ose dhjetë ditë me temperaturë dhe pa dalë, por tani nuk munden më. Nuk furnizohen mjaftueshëm me oksigjen. Diagnoza është gjithmonë e njëjtë: pneumoni bilaterale”.

Pacientët që vijnë në urgjencë i kanë buzët me ngjyrë blu. Christian Drosten, krye-virologu i Berlin Charite, gjithashtu thotë në një intervistë për NDR: “Këto raste po e mbingarkojnë urgjencën. Nuk di ku të gjesh aparatet e frymëmarrjes. Kjo është ajo që po ndodh në Itali tani”.

Macchini: “Ndërsa ka ende njerëz në median sociale që mburren se nuk kanë frikë, katastrofa epidemiologjike po ndodh. Nuk ka më kirurgë, urologë dhe kirurgë ortopedikë. Ne jemi thjesht mjekë, pjesë e një ekipi të vetëm që po përpiqet që të ndalë këtë cunami”.

Lexo po ashtu:  Metoda dhelpërake e KGB-së/ Futja në kurth e diplomatëve të huaj nëpërmjet seksit

“Duket sikur ata po mbyten”

Francesca Cortellaro, shefe e departamentit të urgjencës në spitalin ‘San Carlo Borromeo’ në Milano e përshkruan situatën dramatike në mënyrë shokuese.

“A e dini cila është gjëja më e keqe?” thotë ajo për gazetën ‘Il Giornale’. “Të shohësh se si pacientët vdesin të vetmuar. Të dëgjosh se si luten që t’u thonë lamtumirë fëmijëve dhe nipërve të tyre”.

Pacientët me koronavirus shtrohen vetëm në spital, të afërmit nuk lejohen t’i shoqërojnë.

Cortellaro: “Dhe kur vdesin, ata e ndjejnë. Ata janë të vetëdijshëm, nuk kanë ikur. Ata ndjejnë sikur po mbyten. Por ngadalë”.

Më tej ajo shton: “Të fundit e përjetova sonte në mbrëmje. Ishte një gjyshe. Dëshironte të shihte mbesën e saj përsëri. Kështu që nxora telefonin dhe e thirra përmes videos. Ata i thanë lamtumirë dhe menjëherë pas kësaj, gruaja na la. Tani kam një listë të gjatë me video-telefonata. Unë e quaj lista e lamtumirës”.

Për pacientët e saj, ajo dëshiron që të kenë nga një iPad të veçantë. Në këtë mënyrë do të mbajnë kontakte të ngushta me të afërmit e tyre. “Tre ose katër do ishin të mjaftueshme për të mos i lënë të vdesin vetëm”.

Lexo po ashtu:  Revolucioni i rock ‘n’ rollit: 50 vjet pas Woodstock ’69

Për të shmangur situata si kjo në Itali, është e rëndësishme të shtohet numri i pajisjeve të frymëmarrjes nëpër spitale.

Se çfarë misioni sizifik është ky, e tregon profesor Stefano Muttini, drejtor i Departamenetit të Anestezisë dhe Ventilimit në spitalin ‘San Carlo Borromeo’ në Milano. Ai tha për gazetën ‘Il Giornale’: “Ndjehem sikur jam në një cunami. Pavarësisht se dua të luftoj, nuk mundem të ndihmoj. Reparti im kishte tetë shtretër. Pastaj shtova edhe shtatë të tjerë, pastaj edhe tetë, pastaj edhe 16, të dielën në mëngjes edhe gjashtë. Deri në drekë u mbushën të gjitha sërish. Për një moment u ndjeva i mundur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *