Eno Shkëmbi

Sikurse një pilot që sapo u ka shpëtuar turbulencave në qiell, e kërkon mes mjegullnajës së aeroportit dritën orientuese për t’u ulur në pistë, ashtu edhe njerëzimi po orvatet të gjejë këto ditë atë çka më së shumti i mungon, sigurinë, një ndjenjë e tretur dhe bërë fir pasi një pjesë e mirë e botës u mbërthye nga pandemia Covid-19. Epokat pararendëse të historisë ku njerëzimi ka shkelur ruajnë në kujtesë jo pak ditë të errta, më brutalet se tonat, por përndryshe nga të parët tanë, ne të modernitetit të vonë jemi të dënuar ta shohim terrorin e kohës sonë në TV e përpara syve tanë, e të përjetojmë atë që fiolozofi dhe sociologu Zygmunt Bauman e quan “frika e lëngët”.

Në detin e globalizmit neoliberal që i ka sjellë brigjet e kontinenteve më pranë, nuk lundrojnë lirshëm veç mallrat, kapitali dhe njerëzit, por edhe viruset e për pasojë pandemitë. Jeta e disa shekujve më parë të kallte datën, ama ishte një frikë e njohur, ndryshe nga frika e sotme që është e panjohur, me shtrirje të shpejtë, e pakontrolluar, dhe që lundron në det pa patur një destinacion ankorimi. Në dy dekadat e fundit të mijëvjeçarit të ri sytë tanë e kanë parë terrorin të shfaqet në gjithfarë trajtash e formash, nga sulmet terroriste mes Parisit, deri te britmat dëshpëruese të orëve të fundit që vijnë nga refugjatët në kufirin turko-grek. Porse ky “armik i ri” që po vë në provë globalizmin neoliberal nuk ka asfarë fytyrë dhe trup si refugjati i ligësht, që mund ta ndalosh me oficerë policie në kufij.

E nëse skenat e agresioneve terroriste dhe refugjatëve, ne si shqiptarë i pamë veç si spektatorë, në ekranin e qytetit tonë periferik të Evropës, Tiranës, duket se pandemia na erdhi si “mik” i paftuar në shtëpi, si për të na kujtuar se në këtë botë globaliste fati ynë është i ndërlidhur me të tjerët. Konsumeristët shqiptarë, ashtu si sivëllezërit italianë, që prej kohësh qenë izoluar në pragun e interesave të tyre, tanimë u “kyçën” edhe literalisht në banesa. Pas turravrapit e dyndjeve në supermarkete për të blerë maska, doreza, apo për të marrë pakon e fundit të letrës së mbetur higjienike, ata kthye në pengje të “frikës së lëngshme”, asaj që i përafron më tepër ankthit sepse mbart me vete pritjen për të nesërmen.

Lexo po ashtu:  Arma karajfile e Ali Pashë Tepelenës

Frikërat që robërojnë ditët njerëzore janë sot shpesh të panjohura, të pakontrollueshme, duke i lënë shtetet duarkryq përballë zgjidhjeve të qendrueshme. Paparashikueshmëria dhe moskontrolli i jetës janë përgjigjet e pyetjeve ekzistenciale që ngërthen “globalizmin negativ”, e që e bëjnë jetën e përditshme bashkëkohore një ekzistencë shqetësuese.

Për ta ilustruar më mirë këtë frikë Bauman na jep metaforën e ecjes mbi fushë të minuar. “Jemi të vetëdijshëm që fusha është plot mina, por s’mund të themi se ku dhe kur do të ketë shpërthim. S’ka struktura të forta mbi të cilat mund të mbështetemi, mbi të cilat mund të investojmë shpresat dhe pritshmëritë tona. Edhe qeveritë më të fuqishme shpesh nuk janë në gjendje t’u përmbahen zotimeve të tyre”, shkruan Bauman ndërsa adreson disa prej problematikave të kohës sonë.

Nacionalizmi, globalizmi dhe alternativa

Këto ditë në mediat më me zë perëndimore ka pikëpamje të skajshme, sipas së cilave pandemia Covid- 19 mund të jetë gozhda e fundit në arkëmortin e globalizmit që ne njohim. Partitë pouliste, nacionaliste e sovraniste, gjejnë te situata e tanishme terrenin e përsosur për të sulmuar globalizmin me qëllim përfitimin e kapitalit politik. Në një farë mënyre, virusi kinez është një gur kilometrik dhe pikënisje e betjes së heshtur mes sovranistëve dhe globalistëve.

Bashkëpunimi mes shteteve dhe organizatave ndërkombëtare është në krizë dhe rrezikon të rrënohet. Në retorikën e tij kreu i Lega Nord, Matteo Salvini, në kulmin e krizës sulmon ekzekutivin me fjalët: “Kufijtë e hapur, paaftësi në qeverisje”. Ndërsa ekonomisti dhe themeluesi lëvizjes paneuropiane DiEM25, Yanis Varoufakis, në një opinion të publikuar te “The Guardian” më 8 mars, e sheh Covid -19-ën si pikënisjen për ndezjen e stuhisë së nacionalizmit dhe spekulimit financiar.

Kthehemi sërish te argumentet e Baumanit. Sociologu polak mund të konsiderohet nga shumëkush pesimit, por nuk është katastrofist në profetësinë e tij mbi të ardhmen. Ai na nxit të reflektojmë dhe të ndërgjegjësohemi mbi detyrën e vështirë që kemi përpara nëse duam t’i japim njerëzimit më shumë vetëdije dhe siguri. Ndonëse Bauman në përsiatjet e tij shkruan se qytetet janë kthyer në gropa ku shkarkohen mbeturinat globale, njëherazi kërkon një rrugëdalje që e gjen te ekuilibri mes lirisë dhe sigurisë. Kryefjala e mendimeve të tij është ideja se liria dhe siguria janë të papajtueshme, dhe parakushti për të fituar më shumë siguri është të dorëzosh liri.

Lexo po ashtu:  “Mos e lejo të ndodhë”: Fjalët e fundit profetike të Orwellit mbi çmendurinë e botës moderne

Prapseprap, marrë parasysh se vendimet kryesore ekonomike ndërmerren nga superklasat globale që shkelin mbi sovranitetin dhe demokracinë lokale, lipset një raport i ri mes fuqisë dhe politikës, çka nuk nënkupton as rikthimin te shtet-kombet e fillim nacionalizmit as te dorëzimi pa kushte te globalizmi neoliberal. Duhet një internacionalizëm i ri që nga njëra anë mbron sovranitetet kombëtare dhe nga ana tjetër e shikon njerëzimin si një komunitet të tërë, një projekt që duhet të frymëzohet nga idetë e Kantit. Tanipërtani kjo tingëllon një utopi.

Nga tjetri si i huaj te mundësia për komunitet

Ditët e para të shpërthimit të koronavirusit në Kinë, mediat ndërkombëtare raportonin mbi skena raciste në Evropë, ku kinezët u stigmatizuan si qenie me gjemba, e në disa raste u fyen e dhunuan publikisht. Tanimë që Covid- 19 ka marrë valixhet nga Kina e po ulet këmbkryq në kontinentin tonë një tjetër frikë rri pezull mbi kokat tona, ajo që karantina mund të shkaktojë një “mutacion antropologjik”, ku te tjetri përballë të lëshohen shikimet tona kamxhikuese, për ta parë bashkëqytetarin apo fqinjin si “kërcënues” apo të “dyshuar”, tek i cili të derdhim gjithë vrerin e frustrimit tonë.

Përtej këtyre mendimeve shqetësuese, në horizont ka ende shpresë. Përpos kolapsit ekonomik, e faturave financiare, që janë çështje madhore për t’u trajtuar nga ekspertët e fushës, jeta e re e këtyre ditëve e ka ndryshuar frymën në familje. Pas izolimit familja nuk është më gjysmë ore bisedë në darkën e të dielës mbrëma, por një gjendje e përhershme. E vetmja strehë sigurie e dashurie e këtyre ditëve ankthioze. Ndoshta ingranazhi i frikës e vë në punë mekanizmin e solidaritetit. Veçse s’duhet harruar se edhe të rinjtë më indvidualistë, të gozhduar me sytë pas smartfonëve, i kanë kthyer sytë edhe nga më të vjetrit.

Lexo po ashtu:  Nëntë barrierat psikologjike, që çojnë në refuzimin e vaksinës anti-Covid

E drejtë të themi se shtimi i bisedave në “WhatsaApp” apo “Messenger” këto ditë, përforcon idenë e rrjetit më shumë se të komunitetit, por ka edhe episode që ndezin fanarë shprese. Nga ballkonët e apartamenteve prej betoni ku deri dje nuk dëgjohej kurrgjë pos gërvimave apo përshëndetje e thata me fqinjin, u kënduan këngë që nuk i lanë mospërfillës të tjerët pas perdes së pallatit përballë. As miliona të tjerë në rrjet. Këto skena s’dua t’i shoh aspak thjesht si forma ngjitëse të dalldisë kolektive pas ditëve frusturese që shkuan, por si një nevojë për çlirim nga e keqja, e bashkim në komunitet, për ditët që na presin. Qytetarët e Lombardisë që këndonin njëzëri “Fratelli d’Italia”, apo tiranësit që ia dolën anipse me ritëm më të sforcuar të ndiqnin ritmin e tyre, gjetën te kënga në kor forcën komunitare për ta mposhtur “armikun”.

Në ditët më të errëta ka gjithnjë kohë për reflektim, mundësi të rigjehet komunitarja, ajo që më së shumti i mungon njeriut neoliberal. Më shumë se përmes këngës në kor të himnit kombëtar, komunitarja sendërtohet më së pari te familja, lagjia e qyteti, ku ruajmë një pjesë të së shkuarës dhe i japim kuptim qenies sonë. Pak kohë para ndarjes nga jeta Bauman publikoi një libër ku ndoshta për të parën herë haset termi “retrotopia”. Siç shpjegon Bauman, “retrotopia” është utopia e përmbsur, një utopi e kthyer pas, qëndrimi ynë i fundit për të vendosur në kohën e shkuar, dhe jo në të ardhmen, parafytyrimin për një shoqëri më të mirë. Koncepte të tilla janë rrëmbyer shpesh nga ekstremi i djathtë për kapital politik, por ata i kanë keqpërdorur idetë e tij. Sot po jetojmë karikaturën e jetës rurale të shkuar, por me ndërlidhje në internet.

Çfarë nënkupton kjo? Po kthehemi në komunitetin e modës së vjetër për disa javë. Dallimet sociale dhe diferencat janë eklipsuar, ankthi i shqetësimit mbi të nesërmen na bren, por mund të themi sërish me plotgojë “Ne”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *