Para 21 vjetësh, bombat e NATO-s, fluturuan mbi caqet serbe, duke ngjallur shpresën tonë për liri. Edhe pse në rrethana të papara, të shkaktuara nga COVID-19, ky përvjetor nuk mund të zbehet.

Të ngujuar brenda, për të minimizuar shpërndarjen e virusit , sot më shumëse kurrë e çmojmë lirinë. Më e lehtë do të ishte kjo përballje, nëse do të kishim një gjeneratë politike të përgjegjshme.

Për fat të keq, thirrjet e pareshtura ..Kujdes PO, Panik JO, disa politikanë i kanë deformuar.

Në kulmin e shtrirjes së pandemisë, partitë e frustruara nga rezultati I zgjedhjeve të 6 tetorit, janë mobilizuar që ta rrëzojnë qeverinë e Kosovës. Nëse po mendojnë se janë duke e rrëzuar Albin Kurtin, e kanë shumë gabim, sepse është e dukshme që reputacioni i tij ditëve të fundit kurrë nuk ka qenë më i lartë.

Por, të rrëzosh qeverinë e Republikës, në kushte emergjence shëndetësore dhe kolapsi ekonomik si shkak i pandemisë, është veprimi më anarkik i mundshëm.

Albin Kurti dhe qeveria që udhëheq, mund të jenë më të këqinjtë e botës, diktatorë e bolshevikë, mashtrues e përçarës, megjithatë mënyra se si e kanë menaxhuar deri tani situatën është në nivelin e duhur.

Lexo po ashtu:  Populizmi i Ramës dhe fundi i “Ballkanit të hapur”

Kosova nuk mund t’i ketë tri qeveri paralele. Asnjë shtet demokratik nuk mund t’i ketë.

Qeveria vendos kufizim të lëvizjes pas kërkesës së autoriteteve shëndetësore bazuar në ligjin kundër sëmundjeve ngjitëse. Pak më vonë del si i çartur presidenti dhe e “shfuqizon” vendimin e u bën thirrje policisë e popullit të mos e zbatojnë masën e qeverisë pasi sipas tij qenka antikushtetuese. Disa minuta pas tij, lajmërohet partneri i kryeministrit në frekuenca të presidentit.

Përhapje e anarkisë dhe tentim për grushteti.

Veprimi i Hashim Thaçit nuk është befasues. Ai e ka torturuar në forma të ndryshme popullin e tij gjatë tërë karrierës së tij politike. Dje kishte arsye të nevrikosej edhe më shumë nga frika e zvarritjes së rënies së qeverisë. Plani monstruoz për ndarjen e Kosovës, është bllokuar nga kryeministri Kurti. Biseda telefonike me kancelaren Merkel duket se i ka dhënë një frymëmarrje tjetër dialogut me Serbinë, pas konfirmimit të mbështetjes gjermane për shfuqizimin e tarifës sipas planit të qeverisë kosovare.

Presidenti që fut gishtin në gojë në konferencë shtypi, natyrisht është në hall të madh, por është vetëm halli i tij personal, që nuk mund të penalizojë tërë Kosovën në këtë kohë të rëndë të përballjes me një virus shkatërrimtar.

Lexo po ashtu:  Robert Kennedy Jr: Amerika peng i korrupsionit të korporatave të mëdha, ka nevojë për një revolucion

Po të kishte sadopak ndjeshmëri shtetërore dhe njerëzore, ai do të bashkëpunonte dhe së pari do të bënte thirrje që mocioni eventual ndaj qeverisë të shtyhej pas krizës pandemike. Ky është roli i presidentit, unikim dhe tejkalim krize, e jo thirrje për moszbatim të masave qeveritare që janë vendimtare për tejkalimin e COVID-19.

Sot politika duhet të jetë 100 për qind në shërbim të njerëzve të shëndetësisë, të plotësojnë çka është e mundshme, të kontribuojnë, e kurrsesi të nxisin anarki, siç bën Thaçi&CO.

Pas aplikimit të masave kufizuese të lëvizjes, disa kryetarë komunash vazhdonin të interpretonin kushtetuetshmërinë e vendimit qeveritar, ndërsa në disa raste u panë rradhë të gjatë njerëzish në kundërshtim me rregullat e emergjencës.

Më mirë merruni me drejtimin e komunës dhe zbatimin strikt të masave parandaluese, se kushtetutën ka kush e interpreton.

Edhe një herë, asnjë qeveri në botë, e vetme, sado e aftë e sado buxhet që ka, nuk i bën ballë pandemisë nëse nuk  përfillen me përpikmëri udhëzimet e autoriteteve.

Lexo po ashtu:  Profesori universitar nga SHBA: Bërnbiq i tha Tiranës, Kosova është Serbi!

Sa shpenzoni energji në luftën absurde për pushtet, më mirë jepni ndonjë shembull pozitiv dhe bëni ndonjë punë të hajrit.

Është dëshpëruese  kjo situatë, edhe më tepër sesa ajo e pandemisë. Mos harroni, njerëzit janë 24 orë në shtëpi, po ju shohin me vëmendje.

Kësaj radhe, nuk do t’ju falin më!

syri.net Kosova

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *