Vajza e avokatit Bajram Kelmendi dhe e ish-nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi, Kosovarja, u është drejtuar me një letër të hapur deputetëve para seancës së planifikuar për sot, për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Letra e plotë e avokates, Kelmendi:

Të nderuar deputetë,

Unë, Kosovare Kelmendi, bija e Bajram e Nekibe Kelmendit, besoj që kam të drejtën morale t’ju drejtohem me këtë letër në këto momente të vështira për Kosovën dhe popullin e saj.

Ju keni vendosur të mblidheni sot që t’ia ndryshoni kahjen vullnetit të popullit të shprehur me votë, më 6 tetor 2019. A jeni të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që keni ndaj popullit? Nëse jo, po ua rikujtoj se më shumë se që keni përgjegjësi ndaj të gjallëve të këtij vendi, ju keni borxh ndaj atyre mbi gjakun e të cilëve u ndërtua edhe Kuvendi, ku ju sot me një ngritje dore mund të na i shuani shpresat sadopak të ringjallura për një të ardhme më të mirë.

Ju edhe mund ta keni harruar, por unë dhe familja ime e përgjysmuar, edhe po të duam nuk mund ta harrojmë kurrë mesnatën e 24-25 marsit 1999. Mbi 100 plumba u zbrazën atë natë mbi trupat e babait e vëllezërve të mi. Në këto 21 vjet, si familje dëshmorësh nuk kam kërkuar kurrfarë të mire nga asnjë pushtet. Kam jetuar e punuar si qytetare e përgjegjshme. Më ka mbajtur të fortë ideali dhe krenaria se gjaku i familjarëve të mi u bë themel i lirisë dhe i shtetit të Kosovës. Madje, nuk iu kam dhënë zor as ta vëni në vend drejtësinë për ta, si vrasja e vetme politike e pazbardhur. Armiku i familjes time ka qenë gjithmonë i ditur.

Lexo po ashtu:  Ja çfarë vendime do të marr Albin Kurti nesër

Por, sot, me mënyrën se si po keqpërdoret pushteti për të realizuar ambicie personale dhe për interesa partiake e grupore unë më nuk po e di cili është armiku im dhe i këtij populli.

Nëna ime Nekibe Kelmendi, edhe pse me plagë në shpirt, vazhdoi kontributin për shtetësinë e Kosovës në partinë themeluese e së cilës ishte. Deri në frymën e fundit i qëndroi besnike edhe Lidhjes Demokratike edhe Kosovës. Me guxim atdhetar dhe intelektual ju bëri ballë jo vetëm sfidave, por edhe “ndërskamcave” ndërkombëtare dhe vendore. Betejën e fundit e pati me ish-ambasadorin Christopher Dell dhe qeverinë e atëhershme LDK-PDK, të drejtuar nga Hashim Thaçi. Përplasjet me Dellin i ka pasur pikërisht për formimin e gjykatave paralele serbe në veri të Mitrovicës, si rrezik i paralajmëruar për ndarjen e veriut të Kosovës.

Këmbëngulësia e saj me një JO të fuqishme i kushtoi me shkarkim nga posti i Ministres së Drejtësisë. Me gjithë presionet ajo nuk pranoi të japë dorëheqje. “Le të më shkarkojnë se unë nuk dorëzohem. Nuk ka pazare në kurriz të popullit tim e të Kosovës. E paguaj, jo me pozitë, por edhe me kokën time për të mirën e vendit tim”, më thoshte. Qëndrimi i saj e kishte nervozuar shumë ish-ambasadorin Dell. “E urrej këtë Nekibe Kelmendin sepse kjo krejt punët t’i prishë. Por, ju kosovarët duhet ta duani”, ju kishte thënë Delli disa bashkëpunëtorëve të tij.

Lexo po ashtu:  Edhe Bill Clinton e thotë,  Donald Trump, nuk është i aftë për ta bërë punën e tij. Ai qëndron me orë të tëra duke shikuar TV dhe duke qëndruar në rrjete sociale

Nekibe Kelmendi nuk dha dorëheqje. E shkarkuan. Asaj nuk i bënte përshtypje shkarkimi. Por e brengoste rreziku që i kanosej Kosovës. Nekibja u shkarkua, u sëmur dhe vdiq, por koalicioni LDK-PDK nuk u prish. E atëkohë, as pandemi të rrezikshme për shëndetin nuk kishte.

Sot, kur po e shoh se si po e mbron LDK-ja ministrin e saj të shkarkuar Agim Veliu, (kundër të cilit nuk kam asgjë personale), po pyetem, athua më i vlefshëm qenka dinjiteti i Agim Veliut se sa kauza të cilën e mbrojti nëna ime. Ajo nuk pati përkrahje të këtillë partiake.

E di se LDK-ja nuk është më ajo e kohës së Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit, Nekibe Kelmendit, Xhemajl Mustafës e shumë intelektualëve të tjerë, por dua të besoj se trashëgimia e tyre politike në LDK nuk ka vdekur plotësisht.

Të nderuar deputetë,

Para se të ngrehni dorën për ta votuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, në kohën kur po rrezikohemi nga një armik i padukshëm, ndaluni dhe mendoni pak për peshën e vendimit që do të merrni. Kujdes se si do të mbaheni mend në histori. Mos ju hyni në hak as të gjallëve as atyre që me jetë e paguan lirinë e këtij vendi. Gjakun e familjarëve të mi nuk e fali!

Lexo po ashtu:  Francezët në rrugë, shqiptarët pinë makiato

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *