Me shkas
(Copëza kujtimi)

…Fillimi i vitit 1998, LKÇK-në e gjen forcë ilegale politiko-ushtarake, mirë të organizuar e mirë të shtrirë, e cila po vazhdonte me veprime të shumta përgatitjet për luftën çlirimtare.
Unë, sot e përmot, jam krenar që isha vetëm njëri prej atyre veprimtarëve të shumtë, i cili që nga themelimi i LKÇK-së, me bindje, mendje dhe zemër kam vepruar brenda saj, për forcimin dhe zgjerimin e radhëve.

Njohjet e mia me Bahriun, Agronin dhe shokë të tjerë ndodhën herët e në ditë të vështira, ishin lidhje të sinqerta dhe të besimit të ndërsjelltë, lidhje aq të forta, e jo vetëm të nevojshme për t’u organizuar e bashkuar përbrenda, por edhe për t’u rreshtuar edhe liridashës të tjerë në rrugën e luftës së armatosur çlirimtare, duke e pasur flamur udhëheqës një qëllim dhe ideal të vetëm, çlirimin kombëtar dhe bashkimin e tij.

I njoha nga afër Bahriun, Agronin e shokë të tjerë të organizuar, e dija sa të vlefshëm që janë, ua njihja përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre, po aq sa dhe përpjekjen që po e bënim së bashku, për të çarë gjithë ato pengesa e vështirësi në ilegalitet e përtej tij, në mënyrë që kauza jonë të ecte përpara e që Lëvizja të bëhej sa më e fuqishme, më e organizuar, si në planin politik të sqarimit e bashkimit të popullit rreth luftës së armatosur si e vetmja rrugë për t’u çliruar, gjithashtu, edhe në planin organizativ, në forcimin dhe shtimin e radhëve.
Ne takoheshim shpesh e bisedonim gjatë mes veti, në shtëpi-baza e në bodrume me lagështi dhe lëvizjet i bënim me kujdes të madh. Aty, atje, në natyrë e vende të caktuara, takoheshim ku merreshim vesh dhe merrnim e jepnim nga diçka, ndaheshim për të kryer detyra e me padurim prisnim qastin për t’u takuar e bashkuar përsëri. Lëvizja ishte e gjallë, nuk kishte vend për sjellje sektare, çdo ditë bënim diçka e gëzoheshim kur gjenim një shok, edhe më shumë kur lidheshim me studentë e njerëz të shtresave të ndryshme. Pa pushim qarkullonim në këmbë e ndonjëherë edhe me ndonjë makinë të rrallë. Pra, ishte një jetë e vështirë që bëhej, nata ishte me ne, gjumë nuk kishte, sepse duhej flakur errësirën e robërisë që i zinte frymën popullit-për dritën e lirisë së tij. Në rrethana të tilla, edhe ruajtja dhe kujdesi ndaj bazave ilegale dhe mbështetja e shokëve ku ata jetonin e vepronin, ishte njëra nga detyrat jo të lehta. Sepse, nga ato bodrume me lagështi e nga thellësia e ilegalitetit lëshoheshin rreze drite ku ndizeshin zemrat që kërkonin liri, e ndaj këtij zjarri liridashës që po përhapej, as armiqtë nuk flinin.

Lexo po ashtu:  Populli shqiptar e gjuha shqipe janë të paktën 6 mijë vjet të vjetër

Lëvizja po shtrihej vetëm duke vepruar, ajo forcohej sepse dita-ditës po na jepnin të drejtë edhe rrethanat dhe realiteti i pushtimit, na jepte krahë edhe besimi që kishim, se deri te liria e këtij trualli, ka vetëm një zgjidhje, e cila pa dëshirën tonë, arrihej vetëm duke u bërë gati për luftë dhe flijime.
—-
Asokohe njoha shumë veprimtarë, shokë të idealit që me bindje e besim të madh ndaj njëri-tjetrit, bashkëvepronim. Është fisnikëri dhe pastërti kur ndjenjat dhe bindjet, motivet dhe shpresat, vështirësitë dhe gëzimet e sakrificës për atë që bënim e do të bënim, aq shumë na lidhën, aq shumë na bashkuan, saqë të pamundur e kishin të na mposhtnin.
Ne besonim në vlerat që përfaqësonim, në idealet që kishim përqafuar, në bindjet të cilat na kishin bashkuar.

U njoha nga afër e bashkëvepruam me Agronin-Naserin, shokun besnik e të dashur me të cilin u bëmë si vëllezër, u njoha nga afër me Bahriun-Gzimin prej të cilit mësova gjëra që do të më nevojiten gjithë jetën. U njohëm nga afër me shokë të shumtë nga treva të ndryshme të Kosovês e përtej saj, që i dhamë e i morëm njëri-tjetrit gjëra me vlerë, që na fisnikëruan e na bashkuan, për t’iu bërë ballë më lehtë ndeshjeve të ashpra me armiqtë.
Veçse bashkëveprimtarë në LKÇK, si pjesë e një organizate politike dhe ushtarake, ishim edhe shokë shumë të lidhur që ndanim së bashku të mirën e të keqen, e që tek unë mbesin një mal i madh me shumë kujtime të paharruara.
—-
22 vjet më parë, më 7 maj 1998, u vra Bahri Fazliu, në një luftë të pabarabartë me forcat e ushtrisë serbo-malaziase, në Bjeshkët e Bogiqes, në trekufirin e dhunshëm që lidh trojet shqiptare Shqipëri-Kosovë-Plavë.
Bahri Fazliu ishte kryetar i LKÇK-së dhe Kryeredaktor i organit propagandistik “ÇLIRIMI”. Vrasja e kryetarit të LKÇK-së ishte një humbje e madhe, e 5 ditë më vonë në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë, në një bazë ilegale, bie heroikisht edhe bashkëluftëtari i Bahriut, anëtar i udhëheqjes së lartë të LKÇK-së dhe Komandanti i njësitit të parë gueril “Rexhep Mala”, Agron Rrahmani. Diçka e rrallë-pas gjithë këtyre goditjeve të rënda, u ruajt vazhdimësia e veprimtarisë së LKÇK-së, e cila kurrë nuk e ndali punën për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Pra, veprimtaria e saj luftarake u rrit nga bashkimi me UÇK, marrëveshje e cila bëri që të rritet fuqishëm forca jonë e përbashkët goditëse ndaj pushtuesit dhe mobilizimi ynë për çlirim.
—-
Më 7, 9 dhe 12 maj 1998, ranë Bahriu, Iliri, Agroni…e me mijëra u ngritën për të mos u ulur më kurrë në luftën për liri, sa trima dhe trimëresha shënuan pavdekësinë dhe fituan emër të madh në faqet e historisë, të cilët morën forcë e frymëzim nga kursi politik çlirimtar që përfaqësonte me dinjitet dhe vendosmëri e qartësi të madhe, programi politik dhe luftarak i LKÇK-së.

Lexo po ashtu:  "Është tepër e rezikshme të kesh të drejtë kur pushtetarët e kanë gabim – Voltaire", Shprehje mbi qeverisjen nga liderë botërorë

Lavdi!

SL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *