Përgënjështrimi i lajmit të publikuar në Arbresh.info:
“Dokument: Dokument: Paratë e Kosovës, Komuna e Bujanocit i harxhoi në makinë të policisë serbe e financim të mediave”.
Të nderuar,
Portali Arbresh.info, me seli në Prishtinë, ka publikuar ditën e 17 majit, një informacion të pavërtetë lidhur me shfrytëzimin e mjeteve të donacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për komunën e Bujanocit.
Ky portal ka publikuar me datën e 17 majit artikullin “Dokument: Paratë e Kosovës, Komuna e Bujanocit i harxhoi në makinë të policisë serbe e financim të mediave”.
Duke publikuar një lajm të rrejshëm, me qëllime tendencioze portali Arbresh.info po shpërndanë të pavërtetat lidhur me Komunën e Bujanocit e sidomos me shfrytëzimin e mjeteve në vlerë prej 200 mijë euro që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë për komunën tonë.
Përmes këtyre të pavërtetave keqinformohet opinioni kosovar dhe ai në Luginë të Preshevës, përkundër faktit se portali Arbresh.info, respektivisht gazetari Alban Begolli, nga ne, ka marrë dokumentet zyrtare se ku janë destinuar paratë nga donacioni i qeverisë në Prishtinë.
Për hirë të informimit të drejtë të opinionit në Republikën e Kosovës po paraqesim informacionet e sakta dhe zyrtare të donacionit prej 200 mijë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës:
Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të paketës së ndihmës financiare për Luginën e Preshevës në lartësi prej 500 mijë euro, për Komunën e Bujanocit ka ndarë shumën prej 200 mijë euro.
Banka Popullore e Serbisë në llogarinë e veçantë të Komunës së Bujanocit ka transferuar 199.885,00 euro, të shndrruara në dinarë sipas kursit mesatar të Bankës Popullore prej 117.24 rsd. Lartësia në dinarë e shumës së transferuar është 23.435.616,77 Rsd.
Mjetet e marra si donacion për të luftuar pasojat e shkaktuara nga virusi Covid 19, Komuna e Bujanocit i ka ndarë, me vendimin e Këshillit komunal, për këto destinime:
1. | Blerja e një autoambulance me gjitha paisjet e nevojshme | 6.000.000,00 |
2. | Subvencionime për bujqit lokal | 5.500.000,00 |
3. | Subvencione biznesit | 5.400.000,00 |
4. | Subvencion Këshillit kombëtar shqiptar | 2.000.000,00 |
5. | Përkrahje për fëmijët me nevoja të vecanta | 1.200.000,00 |
6. | Subvencion mediave për kontributin në betejën kundër COVID19 | 1.000.000,00 |
7. | Pako ushqimore për familjet në nevojë | 1.000.000,00 |
8. | Përkrahje për Imamët e Bashkësisë Islame për punën në kushtet e jashtëzakonshme | 600.000,00 |
9. | Blerja e një spirometri për dispanzerin e mushkërive | 500.000,00 |
10. | Paisja me EKG aparat për Ambulancën në Fshatin Tërnoc të Madh | 135.616, 77 |
11. | Blerja e paisjeve të nevojshme për Ambulancën COVID19 | 100.000,00 |
Totali | 23.435.616.77 RSD |
Lajmet e këtilla të rrejshme nga eksponentët medial në Kosovë që, me apo pa vetëdije, po vëhen në shërbim të qarqeve antishqiptare në Serbi, duke shpifur për komunën e Bujanocit mund ndikojnë arritjen e qëllimit të ndërprerjes së çfarëdo ndihme nga Kosova për shqiptarët e këtyre komunave, plan ky djallëzorë, një shpifje monstruoze, për të mbajtur Luginën e Preshevës në një gjendje të getoizuar që Serbia e ka imponuar.
Komuna e Bujanocit nuk ka perdorur mjetet e donacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të blerë veturë për policinë. Sa i përket ndarjes së mjeteve për media, Këshilli Komunal ka ndarë 1 milion dinarë (8.529 euro) për 7 mediume lokale, prej tyre dy televizione, të cilët kanë përcjellur punën e Shtabit lokal të situatave emergjente dhe kanë njoftuar opinionin për gjitha masat lidhur me luftën kundër Covid 19.
Përgënjeshtrimi i këtij lajmi të rrejshëm është vetëm hapi i parë që do të ndërmarrim ndaj këtyre falsifikatorëve të të vërtetës. Ne do t’i drejtohemi gjitha institucioneve relevante në Kosovë për të dënuar shpifësit dhe për të mos lejuar agjenda kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Duke patur para sysh politikën qëllimkeqe të Arbresh.info lidhur me këtë donacion, e vetmja mundësi e informimit të drejtë të opinionit në Kosovë na mbetete ta dërgojmë këtë përgënjeshtrim të lajmit të publikuar më 17 maj nga Arbresh.info me titull: “Dokument: Dokument: Paratë e Kosovës, Komuna e Bujanocit i harxhoi në makinë të policisë serbe e financim të mediave”.
Bashkangjitur po ua dërgojmë si dëshmi edhe Vendimin e Këshillit komunal të Komunës së Bujanocit (dokument zyrtar) për ndarjen e mjeteve.
Reagimi ynë le të shërbejë për ndriçimin e të vërtetës dhe për t’i dhënë opinionit kosovar mundësinë të vlerësojë vet se cila është e vërteta e realzimit të donacionit që po tentohet me çdo kusht të keqinterpretohet.
Bujanoc, 18 maj 2020
Komuna e Bujanocit
Kabineti kryetarit