Kumtesë për media

RrGK shpreh shqetësim për qasjen diskriminuese ndaj grave në vendimmarrje në Kosovë

21 Maj 2020

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka përcjellur me shqetësim sulmet e bëra së fundi ndaj grave në vendimmarrje në vend, në cilat do pozita dhe kapacitete qofshin ato. RrGK dënon portretizimin e grave në vendimmarrje si të paafta. 

Në vend se gratë në pozita vendimmarrëse të vlerësohen për punën dhe performancën e treguar, ne jemi dëshmitarë se vazhdimisht ndaj tyre po shpërfaqet mendësia patriarkale.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019 kemi qenë dëshmitarë të rritjes së numrit të grave që kanë fituar ulëse në parlament, 26 prej 39 deputeteve janë zgjedhur në këtë post pa kuotën gjinore. Kështu, gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste është krejtësisht e papranueshme.

Përmes kësaj letre, RrGK edhe një herë shpreh shqetësim për këtë qasje, duke sjell ndër mend se kjo gjuhë dhe qasje seksiste e mizogjeniste, përveç shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë në fundament të Kushtetutës së Kosovës, për më tepër është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri.

Lexo po ashtu:  Erdogan viziton Serbinë

Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat demokratike e progresive të Republikës së Kosovës.

Andaj, përmes kësaj kumtese, RrGK për të disatën herë përsërit thirrjen për ndërprerje të kësaj qasje të dëmshme, e cila ndër të tjerash rrezikon mirëmbajtjen dhe riprodhimin e raporteve të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave. 

Rrjeti i Grave të Kosovës – RrGK
Mreža Žena Kosova – MŽK
Kosova Women’s Network – KWN
———-
Rr. Kadri Gjata, Kati II, Nr. 8
10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës
+381 (0) 38 245 850

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *