Është e vërtetë se ata që nuk mësojnë nga e kaluara, janë të dënuar që ta përsërisin atë. Por është shumë më e rrallë të shohësh një shpjegim, se si historia mund të na ndihmojë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Natyrisht, kjo nuk i pengon historianë si Juval Noah Harari që të këshillojnë udhëheqësit botërorë në Davos, apo shkencëtarë si Xhared Diamond të shkruajnë libra bestseller mbi rënien e shoqërive tradicionale. Por mekanizmat që mund të bëjnë të mundur njohjen e së kaluarës, për të ndryshuar veprimet në të tashmen, janë rrallëherë të qarta. Dhe historianët që paraqesin një tabllo të madhe historike për lexuesin e gjerë, duke “distiluar” zërat e shumtë të së kaluarës së njerëzimit në një histori të vetme njerëzore, akuzohen shpesh për “përgjithësime të sigurta”, sikurse ndodhi me Hararin së fundmi.

Por a qëndron problemi tek vetë akti i rrëfimit të ngjarjeve? Nëse të dhënat e mëdha, mund të na mundësojnë që historinë e madhe ta shndërrojmë në matematikë dhe jo në një rrëfim, a do ta lehtësonim analizimin e të kaluarës sonë? Disa shkencëtarë mendojnë se po. Kështu në shkurtin e vitit 2010, Peter Turçin, ekologjist në Universitetin e Konektikatit, SHBA, parashikoi që viti 2020 do të shihte një rritje të mprehtë të destabilitetit politike në demokracitë perëndimore. SHBA-ja, thoshte ai, po mbërrinte në kulmin e radhës së një destabiliteti (që ndodh rregullisht çdo 50 vjet ose më shumë), ndërsa ekonomia botërore po arrinte në momentin e një rënieje të njohur si “kurba Kondratiev”, pra një rënie e pjerrët në një super-cikël të orientuar nga rritja.

Dy vjet më parë, në korrik 2008, Turçin kishte bërë një seri pretendimesh mbi natyrën dhe të ardhmen e historisë. Duke u bazuar në më shumë se “200 shpjegime” mbi rënien e Perandorisë Romake, ai habitej sesi historianët nuk ishin në gjendje të dakordësoheshin, se “cilat shpjegime janë të pranueshme, dhe cilat duhet të hidhen poshtë”. Ai donte të dinte nëse përpjekjet në mjekësi dhe shkencën mjedisore, për të prodhuar trupa dhe ekologji të shëndetshme, nuk u pasqyruan në marrjen e masave të ngjashme për të krijuar shoqëri të qëndrueshme? Me siguri ishte koha “që historia të bëhej një shkencë analitike, dhe madje edhe një parashikuese”. Duke e ditur që historianët, nuk kishin të ngjarë të përvetësonin qasje të tilla analitike ndaj së kaluarës, ai propozoi një disiplinë të re.

Ashtu si C.P.Snou 60 vjet para tij, Turçin donte të sfidonte kufirin midis shkencave të natyrës dhe atyre humane, për të zbatuar teoritë e shkencës natyrore në sjelljen njerëzore (si për shembull sociobiologjia). Në fakt, ka një traditë të gjatë të modelimit të historisë shkencore, pra të studimit të së kaluarës në mënyrë që të formësohet e ardhmja. Në shekullin XIX, historiani anglez Henri Bakëll përdori një qasje të gjerë ndaj të kaluarës, në një përpjekje për të identifikuar “ligjet natyrore” që qeverisnin shoqërinë. Bashkëkohësi i tij, pozitivisti francez August Komt, kishte propozuar më herët “ligjin e tij të 3 fazave” që sipas tij e karakterizojnë shoqërinë njerëzore, duke kaluar në etapat “teologjike” dhe “metafizike”, përpara se të arrinte në një vetëkuptim shkencor, përmes të cilit do të ndërtohej një shoqëri më e mirë.

Lexo po ashtu:  Folklori dhe kultura e Beratit prezantohen në Hungari

Vepra e Komt, provokoi një numër përgjigjesh, përfshirë Darvinizmin social të Herbert Spenserit, që shpiku frazën “mbijetesa e më të fortit”. Analogjitë organike midis evolucionit biologjik dhe shoqëror, u pasqyruan edhe nga studiues të tjerë të epokës viktoriane, shpesh në mënyra që sot cilësohen raciste. Kështu Xhon Lubok, i përdori “sjelljet dhe zakonet e të egërve modernë” për të ilustruar eksplorimin e tij në parahistorinë njerëzore. Sipas tij, popujt lokalë mund të trajtoheshin si fosile të mirëfillta, si mishërime të gjalla të fazave të hershme të evolucionit njerëzor. Të gjitha këto modele, mbështeteshin në fund tek ideja e “përparimit”, që argumentonte se ndërsa njerëzimi dhe shoqëritë njerëzore bëheshin më komplekse, ato bëheshin gjithashtu “më të mira”, më racionale, më liberale, më moderne dhe më të afta për të menaxhuar natyrën.

Për më tepër, ato përmbanin brenda tyre idenë se e ardhmja do të ishte akoma më mirë, qoftë e konceptuar si shoqëria komuniste e Karl Marksit, tek merita e demokracisë me bazë eugjenike e Frensis Galtonit, apo utopia socialiste e Eduard Bellami. Ideja se një përparim i tillë ishte i pashmangshëm, u diskrektutua fort nga gjenocidet dhe totalitarizmi i mesit të shekullit XX-të. Por koncepti i ligjësive të përgjithshme të evolucionit shoqëror, mbijetoi përmes shkollave modern të mendimit. Për shembull me krijimin në vitin 1952 të termit “botë e tretë” nga historiani francez Alfred Sovi.

Në vitin 1925, ekonomisti sovjetik Nikolai Kondratiev, pretendoi se zbuloi cikle, ose kurba, në ekonominë botërore, që përsëriteshin çdo 40 deri në 60 vjet. Kjo ide u ringjall energjikisht në Perëndim nga Ernest Mandel, me esenë e tij të vitit 1964 mbi ekonominë e neokapitalizmit. Por nga fundi i viteve 1960, optimizmi mbi aftësinë e njeriut për të menaxhuar të ardhmen po zbehej shumë. Shqetësimeve rreth “Armagedonit bërthamor”, iu bashkua frika e re nga bomba ekologjike. Ndërsa rritjet eksponenciale të fuqisë informatike, e bënë më të lehtë ‘marshimin’ e të dhënave komplekse historike, për të krijuar skenarë apokaliptikë realistë.

Lexo po ashtu:  Videot e TikTok bëhen 10 minutëshe

Shkencëtarja Donella Medout dhe bashkëshorti i saj Denis, ishin veçanërisht të rëndësishëm në zhvillimin e strategjive për modelimin e së ardhmes ekologjike globale, bazuar në programin kompjuterik “Ëorld3”, që simuloi ndërveprimet midis rritjes së popullsisë, dhe prodhimit industrialo-bujqësor. Simulimet e tyre, ishin baza e librit bestseller të Klubit të Romës, “Kufijtë e rritjes ekonomike” të vitit 1972, që argumentonte se rritja ekonomike ishte e paqëndrueshme, dhe se nëse vazhdohej me nivelet e atëhershme, atëherë kjo gjë do të çonte në katastrofë. Simulimet e sistemeve të izoluara ishin bërë edhe më parë, por rasti konkret ishte një model, se si këto sisteme mund të bashkëveprojnë globalisht.

Sa më të fuqishëm janë kompjuterët, aq më komplekse do të mund të modeloshin sistemet. Sigurisht, saktësia e çdo modeli varej nga supozimet fillestare të programuesve të saj, dhe natyra e të dhënave që futen në të, diçka për të cilën u kritikua Klubi i Romës. Për më tepër, për shumicën e historianëve, “faktet historike” nuk janë sende të fshehta që ekzistojnë në mënyrë të pavarur, në pritje që studiuesit t’i gjejnë, mbledhin dhe i katalogojnë ato. Ato duhet të krijohen dhe interpretohen. Arkivat mund të duken relativisht të lehta për tu riprodhuar. Por ashtu si me gërmimet arkeologjike, konteksti fizik në të cilin gjenden dokumentet, është thelbësor për interpretimin e tyre.

Që nga Leopold von Ranke – studiuesi gjerman i shekullit XIX që themeloi historinë profesionale – praktika historiografike i ka kushtuar vëmendje të madhe burimeve të përdorura nga historianët. Sa për ta parafrazuar Emi Durkheimin, faktet historike nuk duhet të trajtohen si sende. Dhe pikërisht këtë propozoi Turçin në vitin 2003. I frymëzuar nga vepra e sociologut amerikan Xhek Goldstoun, që në vitet 1990 ishte përpjekur të përkthente filozofinë e Aleksi dë Tokëvil në ekuacione matematikore, Turçin filloi të lidhë madhësinë e popullsisë me prodhimin ekonomik (dhe me nivelet e pabarazisë ekonomike), si dhe destabilitetin social dhe politik.

Për të matur ndryshimet në këto tre variabla përgjatë kohës, atij iu desh të identifikonte një varg burimesh të ndryshme të dhënash. Për shembull struktura sociale, mund të trajtohet si një produkt i pabarazisë së shëndetit dhe pasurisë. Por për të bërë këtë llogaritje, duhet të zgjidhen variabla të përafërt.

Lexo po ashtu:  Nëse jeni adhurues i transmetimeve live Facebook ka ca surpriza për ju

Procesi u komplikua më tej, nga fakti se kur punon mbi një kohë që përfshin mijëvjeçarë, këto variabla të përafërt ndryshojnë me kalimin e kohës. Duke u mbështetur në të dhënat e bërthamave të akullit të Grenlandës, anomalitë skeletore dhe nivelet e ruajtjes monedhave, Turçin pretendoi se kishte identifikuar të dhëna të menaxhueshme, që i kishin mundësuar atij të gjurmonte popullsinë, ekonominë dhe ndryshimet politike gjatë mijëra viteve.

Në veçanti, ai identifikoi 2 modele përsëritëse si thelbësore për të kuptuar historinë politike: ciklet sekrete sociodemografike, dhe ciklet babë-bir. E para i referohej periudhave shekullore, në të cilat kurbat e destabilitetit ngrihet dhe ulet në varësi të numrit të popullsisë. Kur madhësia e popullsisë arrinte kapacitetin mbajtës të Tokës, standardet e jetesës do të binin. Grupet e mëhershme elitare, duke përjetuar një humbje burimesh ose statusi, do të nisnin të revoltoheshin kundër sistemit të vendosur politik. Në kaosin pasues, nivelet e popullsisë do të binin, dhe mund të gjendeshin teknologji të reja ose strategji të reja për të shfrytëzuar ato të vjetra, dhe të fillonte një valë e re. Brenda këtyre cikleve shekullore, duhej të gjendeshin lëkundjet më të shkurtra 50-vjeçare “babë-bir”, ku për shembull, përvoja e luftës nga një brez në tjetrin e nxit brezin pasardhës të refuzojë dhunën, ndërsa brezi i tretë (nipi), duke mos pasur përvojë direkte të tmerrit të konfliktit, është i gatshëm të fillojë ciklin nga e para.

Ky cikël, ishte edhe baza kryesore për parashikimin e kaosit në vitin 2020 nga Turçin. Përvojat e Luftës së Dytë Botërore, dhe ato të imperializmit në përgjithësi, i bënë studiuesit perëndimorë të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin e biologjisë dhe evolucionit, për të shpjeguar kulturën dhe shoqërinë njerëzore. Gjithsesi, një qasje multidisiplinare evolucionare, që përfshin si metodologji sasiore ashtu edhe cilësore, karakterizon disa nga programet intelektuale në zhvillim, të njohura ndryshe si “histori e thellë” ose “histori e madhe”. Së fundmi, nuk është aspak e qartë nëse krijimi i një shkence të historisë, është në fakt një ide e mirë.

Modelet matematikore sasiore, të drejtuara nga të dhënat, mbi përvojën njerëzore që synojnë shkëputjen, objektivitetin dhe aftësinë për të zhvilluar dhe testuar hipoteza, duhet të balancohen me përpjekje cilësore dhe imagjinare për të krijuar dhe projektuar një të ardhme të gjallë, që i jep mundësi audiencave të tyre të bazohen tek shpresat dhe frikërat e asaj që mund të ndodhë në të ardhmen.

Shënim: Amanda Rees, është historiane e shkencës në departamentin e sociologjisë në Universitetin e Jorkut në Britaninë e Madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *