Publicisti Fatos Lubonja thotë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk duhet të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve të tetorit të kaluar.

“Gjykoj se Gjykata Kushtetuese duhet t’i qëndrojë precendentit të vitit 2014, ku ka deklaruar se nuk mund të anashkalohet partia e parë nga formimi i qeverisë – çka pashë që e ka thënë së fundmi edhe ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani – sepse përndryshe do ta delegjitimonte veten dhe rendin kushtetues ekzistues. Mirëpo këtu lind një problem qeverisshmërie, pasi mund të ndodhë rregullisht që një parti të dalë gjithmonë e para, por të mos krijojë asnjëherë mazhorancë qeverisëse e ta mbante kështu peng vendin. E këtu vijmë tek vërejtja që i ka bërë Albin Kurti më 2014 këtij vendimi, duke thënë se qeverinë duhet ta krijojë kush krijon mazhorancën” – tha Lubonja në intervistë për Express.

Lubonja thotë se me rëndësi është arritja e një marrëveshje mes palëve politike.

“Duke e pasur parasysh gjithë kontekstin politik se si u rrëzua kjo qeveri në kohë pandemie dhe konfliktualitetin që mund të sjellë në vazhdim ky veprim duke rënduar klimën politike të Kosovës, gjykoj se duhet një marrëveshje politike, ku secila palë të sakrifikonte diçka. Kjo marrëveshje do të ishte pranimi nga të gjitha partitë i një ndryshimi kushtetues që do ta riformulonte qartazi idenë se qeverinë e krijon mazhoranca dhe pastaj të shkohet në zgjedhje. Kështu do të mund të respektohej vullneti i të gjithë popullit të Kosovës dhe të gjitha palët do të merrnin atë që meritojnë”- thotë Lubonja.

Lexo po ashtu:  Fillon hapja e kufirit Kosovë-Shqipëri

Por cili duhet të jetë pozicioni i Kurtit si fitues i zgjedhjeve të fundit?

“Kurti ka të drejtë të reagojë për mënyrën se si u rrëzua, por mendoj se, – duke e pasur parasysh edhe propozimin që e bëra më sipër – ai duhet ta ndërtojë veprimin e tij politik duke e pasur më shumë parasysh parimin se politika është arti i të mundshmes dhe se ndryshimi që ai premton ta sjellë në Kosovë – çka më duket se ka një mbështetje të gjerë në popull – kërkon bashkëpunim me sa më shumë aktorë dhe se kërkon gjithashtu kohë e durim. Përndryshe, vetëm ai dhe Vetëvendosja zor se do të mund ta sillnin këtë ndryshim, përkundrazi, ngulmimi në një lloj radikalizmi përjashtues mund të bëjë që Kosova të dobësohet edhe më, duke humbur energji në luftërat për pushtet midis partive” – thotë Lubonja.

Lubonja dha edhe një opinion për shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Si pjesëtar aktiv në përpjekjen për mbrojtjen e Teatrit, kam pritur një reagim nga Kosova dhe faktin që Kurti u deklarua, së bashku me shoqërinë civile kosovare, e kam konsideruar si një mbështetje të së drejtës që do të doja të na kishte ardhur nga e gjithë Kosova, pasi nuk shoh arsye që partitë në Kosovë të rreshtohen si pro Edi Rama dhe kundër tij në këtë çështje. Ky ishte një akt i qartë banditesk, i paligjshëm, një akt grabitjeje i pronës publike, i shkatërrimit të një monumenti historik dhe nëse në Kosovë ka njerëz që i besojnë apo edhe e duan sinqerisht Edi Ramën, sipas meje, duhet të kishin qenë ata të parët që do të duhej të reagonin” – shprehet Lubonja.

Lexo po ashtu:  Shfryhet tullumbacja e UDB-së dhe klanit tropojan. Skenari ngec te Zëri i Amerikës dhe dosja 339

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *