Libri i Boltonit, negociatat e së shtunës në Washington dhe rrëfime të tjera inkompetencash

Jam duke lexuar librin e John Boltonit “The room where it happened”, të cilin presidenti Trump u përpoq ta ndalonte së botuari.

1

Vetë kjo fjali do të duhej të ishte befasi më vete – një president amerikan që përpiqet ta ndalojë një libër, në kundërshtim me njërin prej parimeve më të larta të demokracisë amerikane, lirinë e shprehjes. Vetë kjo fjali pastaj do të duhej të ishte befasi më vete – një president amerikan që nuk arrin ta ndalojë librin, sepse këtë nuk e lejon gjyqësori i pavarur. Dhe vetë kjo fjali do të duhej të ishte befasi më vete – John Bolton ishte në aspektin ideologjik më së afërmi nocionit konservator të presidentit Trump për një Amerikë që tërhiqet nga lidhjet e aleancat multilaterale dhe përpiqet që me çdo shtet e krizë veç e veç të krijojë marrëdhënie dypalëshe. Pra, John Bolton ishte aq “Trump” sa duhej të ishte në këtë administratë e jo të shkruante kundër saj.

Dhe këtu nuk përfundojnë befasitë me këtë fjali – se jam duke e lexuar librin e Boltonit. Është libri i pestë që lexoj për administratën e presidentit Trump nga ish-pjesëtarët e kësaj administrate, që të gjithë pa përjashtim duke e vizatuar një qeverisje të paprecedent amerikane, të varfër në njohuri, koordinim, kompetencë e vendime dhe të pasur tej mase në improvizime e gafa dhe shpërfillje për norma bazike komunikimi e mirësjelljeje.

2.

Librat mund të krijojnë aftësi gjykimi, por edhe paragjykimi, dhe ndoshta këta libra bëjnë që si asnjëherë më parë të rriten kujdesi dhe druajtja nga veprimet e administratës amerikane karshi Kosovës, përfshirë negociatat e ftuara nga ambasadori R.Grenell për në Washington, ku pritet të marrin pjesë të shtunën e kësaj jave presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.

Lexo po ashtu:  LDK-ja dhe “Lufta surrogate” e Serbisë

Në librin e Boltonit, Kosova e Serbia nuk përmenden as edhe një herë – krahasuar me Ukrainën që përmendet plot 222 herë. Pra, rrjedhimisht, nuk do të duhej të ishin pjesë e konspiracionit të përfolur tashmë tre vjet, se SHBA-ja është e përfshirë në këmbime territoresh e popullatash, nëse Kosova dhe Serbia do të pajtoheshin për këtë. Por, ja që ndonëse nuk përmendet në libër, ambasadori Grenell në një intervistë të këtoditshme u shpreh se mu ambasadori Bolton ishte ai që doli me idenë e këmbimit të territoreve e popullatave, dhe se kjo është një barrë me të cilën ai duhet të merret gjatë procesit negociator pa kurrfarë nevoje. Kalimthi, ambasadori Grenell do ta demantojë edhe veten me deklaratat e bëra disa herë se asnjë zyrtar amerikan nuk është marrë me çështje ndarjesh të Kosovës e këmbimi territoresh.

3.

Ndoshta jam ende nën përshtypjen e librit të Boltonit dhe janë më të fortë sensorët e gjykimit e paragjykimit, ndërsa dëgjoj një intervistë të ambasadorit Grenell në Newsmax, në Amerikë. Ai thotë se pas një kohe të gjatë të shpenzuar nga të ashtuquajtur ekspertë në çështje politike e pas bisedave me afaristë e njerëz të tjerë në Kosovë e Serbi, ka marrë përcaktimin që të fokusohet në çështjet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se kjo do të jetë qasja që ai do të marrë këtë të shtunë në negociata.

Dhe thotë se duhet “të sjellim kapitalizëm në regjion”, duhet “detyruar palët që të bashkëpunojnë ekonomikisht dhe komercialisht” dhe se do të angazhohet që të ndërtojë një “zonë Mini-Shenzhen” mes Kosovës e Serbisë. Që të gjitha, z.Grenell i shpjegon si kontinuitet i sukseseve të arrritura deri tani e të paimplementuara – atë të lidhjes ajrore e atë të shpejtimit të hekurudhës.

Lexo po ashtu:  MASHTRUESI “I SHENJTË”, – Kisha Ruse i del në mbrojtje Janullatos

Duke i folur një auditori që nuk ka pse të dijë asnjë hollësi për Kosovën e as Serbinë, fjalët e ambasadorit dalin drejt prej librave të rindërtimit të Evropës së pasluftës, apo pas rënies së Murit të Berlinit.

Por, problem do të jetë nëse këto fjalë u thuhen palëve të ftuara në Washington këtë të shtunë. Futja e kapitalizmit? Kjo ka ndodhur para tridhjetë vjetësh, madje në format e veta më të egra. Detyrimi i palëve “që të bashkëpunojnë ekonomikisht dhe komercialisht”? Kjo është e kundërta e nocionit të tregut të lirë. Detyrimi i bashkëpunimit ka qenë pjesë e ekonomisë së dirigjuar në socializëm.

Dhe për fund “mini-zonë Shenzhen”? A ka dashur të thotë “mini-zonë Shengen”, siç është keqquajtur nga disa prej liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor? Apo e ka fjalën për Shenzhen në Kinë, zona e parë e veçantë ekonomike, si eksperiment i hapjes së kapitalizmit nga Partia Komuniste e Kinës?

Po të ishte pjesë e librit të Boltonit, me paragjykimet që i krijon, do të ishte rrëfim anekdotal, njëri prej të shumtëve, si ai i pyetjes që e bën presidenti Trump se a është Finlanda pjesë e Rusisë dhe a ka Britania e Madhe armë bërthamore?

4.

Por ambasadori Grenell nuk lë vend për dyshime në një formulë të propozuar të ndarjes së punëve mes SHBA-së dhe BE-së, për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, SHBA-ja do të merret me çështje ekonomike, të përmirësimit të klimës së investimeve, hapjes së vendeve të punës e gjëra të ngjashme, në një bashkëveprim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Me çështjet politike, ndërkaq, do të merret BE-ja, në procesin e Brukselit.

Kjo është hera e parë që ndodh në politikën amerikane karshi Kosovës, e besoj të jetë hera e parë në politikën e jashtme amerikane në kontinentin evropian. SHBA-ja është marrë, prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, me çështjet e “forta” të sigurisë dhe të marrëdhënieve politike, dhe si fryt i këtij angazhimi së bashku me Planin Marshall është ndihmuar lindja e BE-së çfarë është sot. Në të gjitha krizat, prej shembjes së Murit të Berlinit e këtej, SHBA-ja ka qenë fuqia e nënkuptueshme, ajo e cila është marrë me çështjet politike e të sigurisë, duke i lënë gjithnjë e më shumë iniciativë BE-së në fushën ekonomike, posaçërisht në politikën e saj të zgjerimit e integrimit. Po të vazhdohet me këtë ide, do të ishte një precedent kthesë në politikën amerikane në Evropë, gjegjësisht një zhvillim krejtësisht i ri në marrëdhëniet transatlantike.

Lexo po ashtu:  A mund të bëhemi aq pro shqiptarë sa amerikani Engel?

Gjasat për ndonjë rezultat me këtë iniciativë nuk janë të mëdha. Siç është dëshmuar prej njëzet vjetësh, marrëdhëniet ekonomike e tregtare mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të liberalizuara dhe gjithnjë më të avancuara – posaçërisht për eksportet serbe – por përpjesëtimisht me përmirësimin e klimës ekonomike ka pasur prishje të klimës së marrëdhënieve politike.

Kësaj mungese përparimi i ka kontribuar në masë të madhe edhe BE-ja me dialogun e vet të improvizuar të Brukselit.

Dhe, kur në Washington dëgjohet se do të bëhet një bashkëpunim intensiv rreth çështjes së Kosovës, nuk mund t’i iket librit të Boltonit, sipas të cilit presidenti Trump beson se BE-ja është po aq e keqe sa Kina, në relacion me SHBA-në, “vetëm se është më e vogël”.

Kur të shtunën të fillojë faza e re e negociatave mes Kosovës e Serbisë, fillimisht në Washington e pastaj në korrik në Bruksel, kjo është pak a shumë gjendja e fushës garuese, asaj të marrëdhënieve transatlantike, asaj pjese të botës së cilës do të duhej t’i përkiste Kosova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *