Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja.

Vendimet e marra nga ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, rreth kthimit të ambasadorëve dhe shkarkimit të 14 konsujve, janë pezulluar sot nga MPJD-ja, transmeton KOHA.

“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike.

“Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%”, ka shkruar ai. “Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes”.

Sipas tij Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA.

Lexo po ashtu:  Merkel takohet me Vucicin, pastaj e pret Albin Kurtin

“Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme”, ka shkruar Konjufca.

Konjufca është i bindur se zgjedhjet e reja janë afër, dhe me to do të ndërprehen këto vendime të Hotit.

“Zgjedhjet e reja demokratike do të vinë shumë shpejt sepse qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. Prandaj këto vendime kriminale të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet që janë afër”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *