Tregim nga Beqir Elshani

Njeriu me sharrë

Ky njeri që me sharrë punon në shtëpi, nuk është ndërtimtar, as marangoz nuk është, është burrë i martuar dhe atë – kryetar qeverie. Kurrë nuk ka ndodhur që ndonjë autoritet shtetëror të merret me punë ndërtimtarie apo shtëpiake. Të rrallë janë trimat si Gjuzepe Garibaldi, që në kohën e tij ka qenë gjeneral, atdhetar, republikan dhe udhëheqës revolucionar për bashkimin e atdheut, të cilin me të drejtë populli e quan baba të Italisë. Garibaldi nuk ishte i lavdishëm vetëm si gjeneral ushtarak, por edhe si bujk i vyeshëm duke lëruar me plug në arë. Kurse kryetari ynë kurrë pulë nuk ka mbajtur në oborr, jo më lopë e dele, as derra nuk ka mbajtur. Jo pse ia ndalon feja, por sepse është zotëri me kravatë. Ka shëtitur mbarë botën, nuk ka lënë qytet pa shkelur… deri në Amerikë e në Australi ka vajtur. Me të drejtë, populli me ironi thotë se vetëm në hënë nuk ka qenë.

Lexo po ashtu:  “Bota që dikur më frymëzonte, tani ma shpif. A do jetë kështu, sot e tutje”?

Andej pari kalon një plak i vjetër, pasi e përshëndeti shtëpiakun, në fillim ia tërhoqi vërejtjen pastaj e këshilloi.

”Zotëri, duket se je hutuar nga lodhja, trarin e ballkonit po e pret mbrapsht. Po e pret në anën e kundërt, prandaj sapo ta presh trarin, mund të biesh në tokë e të thyesh qafën”, kështu e këshilloi plaku.

“Më vjen keq, mixhë, ti nuk di që unë jam i pari i shtetit. Dikur kam udhëhequr një ushtri të madhe gjatë luftës për çlirimin e vendit, kurse tani një plak çalaman më këshillon si duhet punuar. Prandaj do të bëje mirë të ecësh udhës sate dhe mos më pengo të kryej punën time”, ia ktheu me inat kryetari prej ballkonit të shtëpisë. Duket se ishte i pabindur.

“Qe besa, mirë e ke. Kam faj unë që nuk eci udhës sime, por shikoj punët e të tjerëve”, u ankua plaku duke kafshuar buzën me dhëmbë dhe vazhdoi udhën për në shtëpinë e tij. Pastaj me vete tha ”Ku i dihet, mbase kryetarin e mbajnë engjëjt që të mos rrëzohet”. Duke ecur, iu kujtua kryetari që si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte dalë me flamurin kuqezi, mirëpo në pushtet hyri me shami blu.

Lexo po ashtu:  Polemika epike e poetit të madh shqiptar, Esat Mekuli, me akademikun serb Ivo Andriq

Për habi, sapo plaku ia ktheu shpinën lagjes, papritmas u ndie një zhurmë, të thuash se u rrëzua ndonjë pallat. Plaku e dëgjoi rrapëllimën, dhe menjëherë e kuptoi që kryetari kokëfortë është rrëzuar. Kur plaku arriti në shtëpi, ulet në dhomë për të pirë kafe, ndërkohë me anëtarët e familjes i shikon lajmet e ditës në televizor. Për habi, folësja në lajmin televiziv lajmëroi që kryetari i shtetit duke dashur të rregullojë parmakun e ballkonit, ka rrëshqitur dhe ka thyer këmbën, tani gjendet i shtruar në spital.

“Sa e tmerrshme, duket se prej keqardhjes lajmin e kanë dhënë sipas pëlqimit të kabinetit në qeveri, dhe jo sipas ngjarjes qysh ka ndodhur”, tregoi plaku në prani të familjes.

“Duket qartë që gazetari e ka ndryshuar lajmin për të mos e fyer autoritetin e kryetarit të shtetit, për të cilin do të talleshin edhe fëmijët, pasi që trarin e ballkonit të shtëpisë e ka prerë në anën e kundërt, dhe fill pastaj është rrëzuar në tokë”, e përforcoi i biri.

“Budallai, nuk e mori këshillën time me kohë, por e mori shembullin e Nastradinit”, ofshani me keqardhje plaku.

Lexo po ashtu:  O popull, ç’të bëjnë! Të japin lodra të luash,

“Lum baba, mos trego për ngjarjen e turpshme, se qeveria të burgos për shpifje, kurse mua më largojnë prej detyrës”, e këshilloi e bija juriste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *