Tregim nga Franc Kafka
Para Ligjit është një derëtar. Atij i drejtohet një fshatar, i cili do të hyjë te Ligji. Po derëtari i thotë se tani për tani nuk mund ta lerë të hyjë. Njeriu mendohet, pastaj e pyet nëse mund të hyjë më vonë. “Ndoshta, i përgjigjet derëtari, po jo tani”. Derëtari tërhiqet anash; me që dera e Ligjit është përherë e hapur; njeriu përulet për të parë brenda. Roja e vë re dhe qesh:
“Nëse të tërheq kaq shumë – thotë – përpiqu të hysh, megjithëse është e ndaluar. Po hap sytë: unë jam i fortë. Dhe jam derëtari i fundit. Çdo sallë ka derëtarin e vet, njeri më i fuqishëm se tjetri. As unë nuk i bëj ballë të tretit”. Fshatari nuk e priste këtë lloj vështirësie. Ligji duhet të jetë i lirë që të hyjë brenda cilido, në çdo rast, mendon, po duke e parë mirë derëtarin veshur me gëzof, me hundën e madhe me majë, mjekrën e gjatë, të zezë prej tartari, bindet se është më mirë të presë derisa të marrë lejen për të hyrë. Rojtari i jep një stol dhe i thotë të ulet aty pranë derës. Ai ulet aty për ditë e për vite. Bën shumë përçapje që të pranohet brenda, e lodh derëtarin me lutjet e tij. Roja nganjëherë i bën pyetje, e pyet për fshatin e tij dhe për shumë gjëra të tjera, po janë pyetje pa rëndësi, ashtu siç i bëjnë zotërinjtë; në fund i thotë se ende nuk mund ta lejojë që të hyjë. Njeriu, i cili ishte gatitur për atë rrugë duke marrë plot gjëra me vete, bën përpjekje që ta thyejë rojtarin, duke i dhënë gjithçka, pa pyetur a janë gjëra me vlerë, apo jo. Tjetri nuk zmbraps asnjë dhuratë, por thotë: “Po pranoj vetëm që ti të më thuash se, ke lënë pa provuar ndonjë mënyrë”. Për vite e vite njeriu nuk resht duke e vështruar derëtarin. Harron të tjerët dhe i duket se i pari është pengesa e vetme për të hyrë te Ligji. Vitet e para mallkon me zë të lartë, pa marrë parasysh asgjë, fatin e tij të keq, pastaj kur plaket, flet me vete. Bëhet si fëmijë dhe pasi gjatë shumë viteve ka vrojtuar derëtarin dhe ia njeh edhe pleshtat e gëzofit, u lutet pleshtave që ta bindin rojtarin. Më në fund, shikimi i dobësohet dhe ai nuk e di më a mungon drita, apo e gënjejnë sytë. Megjithatë në errësirë e dallon shkëlqimin që shpërthen nga Porta e Ligjit. Nuk i ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Para vdekjes të gjitha ngjarjet e kohëve të fundit, të mbledhura në kokën e tij, shndërrohen në një pyetje, të cilën ende nuk ia ka drejtuar rojtarit. I bën një shenjë burrit, pasi nuk mund ta drejtojë me trupin e ngrirë. Derëtari duhet të përkulet, se tani kanë shumë ndryshim trupi, në dëm të fshatarit. “Çfarë kërkon të dish më? e pyet rojtari. Je i pangopur”, “Nëse të gjithë synojnë Ligjin, thotë njeriu – si është puna që gjatë tërë këtyre viteve, askush përveç meje, nuk ka kërkuar të hyjë brenda”. Rojtari e sheh se burri është nga fundi i jetës dhe që ai ta kuptojë, i ulurin në veshin, tashmë të mbyllur. “Këtu nuk mund të hynte askush, se kjo derë ishte caktuar për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll”.
Përktheu: GJERGJ VLASH