Dialogu Beograd-Prishtinë, që synon arritjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, u lançua në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Me kalimin e viteve, negociatat u dëmtuan për shkak të disa ulje-ngritjeve.

Pas një pezullimi të gjatë, së fundmi si BE dhe SHBA – falë emërimeve të Mirosllav Lajkut dhe Richard Grenell si të dërguar specialë – kanë rritur përpjekjet për të rifilluar dialogun në pista të ndara, duke krijuar pak konfuzion në rajon dhe një kompeticion diplomatik të panevojshëm. Ne u kemi kërkuar dy përfaqësuesve të shquar të shoqërive civile të Kosovës dhe Serbisë mendimet e tyre mbi situatën aktuale politike dhe të ardhmen e këtij dialogu.

Lulzim Peçi është Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Kërkimin dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED) dhe Sonja Biserko është themeluesja dhe presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

I dërguari i posaçëm i BE Mirosllav Lajk shpreson të rindezë dialogun Beograd-Prishtinë para fundit të korrikut. Sipas mendimit tuaj, çfarë nuk shkoi në dialogun e asistuar nga BE deri më tani, dhe çfarë ndryshimi duhet të ketë në format në mënyrë që ai të bëjë përparim thelbësor?

Lulzim Peçi: Para së gjithash, dialogu i Brukselit është udhëhequr nga mantra e “paqartësisë strategjike” duke e trajtuar Kosovën në termat e një “statusi neutral” dhe Serbinë ne termat e një shteti të plotë, i cili në të njëjtën kohë e ka konsideruar Kosovën si pjesë te saj. Kjo qasje, pavarësisht se ka sjellë një lehtësim shumë të brishtë në marrëdhenien mes Kosovës dhe Serbisë, dëshmoi se ishte një gabim strategjik, pasi nuk ka çuar në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis dy vendeve. Përkundrazi, marrëdhëniet midis tyre kanë mbetur të tensionuara dhe armiqësore.

Së dyti, janë arritur më shumë se 30 marrëveshje midis dy kryeqyteteve, por nuk ka pasur një mekanizëm verifikimi nga Brukseli qe te imponoje zbatimin e atyre marrëveshjeve, të cilat në thelb diskredituan formatin e dialogut te BE-së. Dialogu që pritet të udhëhiqet nga i Dërguari Special i BE-se Lajčák pritet ta tejkaloje ketë “paqartësi strategjike”. Ne vend te saj, duhet të përqendrohet në njohjen e qartë të Kosovës nga Serbia që, për mendimin tim, është parakusht për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Sonja Biserko: Dialogu shkoi në drejtim të gabuar kur ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini lejoi ndryshimin e formatit, d.m.th marrëveshjen e ndarjes. Problemi është se “opsioni i vetëm” i Serbisë gjithmonë ka qene ndarja, dhe nuk është për t’u habitur që Beogradi tentoi të bënte të pamundurën që të bindte palën tjetër që të bëhej pjesë e saj. Do të ishte interesante të dini detaje se si shqiptarët, përfshirë edhe Edi Ramën, u bënë partnerë të Beogradit në marrëveshje.

Lexo po ashtu:  KUJTO! Në Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur eshtra që dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Në vitin 2011, BE ishte ngarkuar nga KB per te drejtuar dialogun Beograd-Prishtinë. Kjo u bë në bashkëpunim me SHBA-te dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Tani Shtetet e Bashkuara po konkurrojnë me BE-në, duke lehtësuar dialogun e saj në alternativë të përpjekjeve evropiane. A mendoni se dy dialogë janë më mirë se një? Si e shihni iniciativën amerikane që duket se bazohet më shumë në një agjendë zgjedhore të vendit sesa në nevojat reale të Serbisë dhe Kosovës? A jeni i shqetësuar që veprimet divergjente aktuale të BE-së dhe SHBA-së sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë mund të përhapen edhe në vendet fqinje, duke ndikuar në stabilitetin e përgjithshëm e te brishtë të të gjithë rajonit?

Lulzim Peçi: Unë nuk mendoj se dialogu Kosovë-Serbi ka ndonjë rëndësi në agjendën e brendshme zgjedhore të SHBA-ve. Nga ana tjetër, Ambasadori i dërguar i SHBA-ve Grenell ka deklaruar se sipërmarrja e tij e ndërmjetësimit është e koordinuar me këshilltarët gjermanë dhe francezë të Sigurisë Kombëtare, dhe në të njëjtën kohë një tjetër mbledhje planifikohet të pritet nga Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel në Paris në fillim të korrikut. Natyrisht, janë disa përpjekjet e ndërmjetësimit qe po ndodhin ne mënyre paralele, por personalisht, pres që gjatë gjithë këtij procesi të arrihet një sinergji trans-Atlantike, pasi kjo nuk është thjesht nje çështje dëshire, por mbi te gjitha një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit perëndimor që sfidohet gjithashtu edhe nga Rusia dhe Kina.

Sonja Biserko: SHBA dhe BE kanë punuar së bashku në Ballkan që nga vitet 1990, dhe aleanca e tyre pati një peshë te madhe në bisedimet me Beogradin. Fatkeqësisht, administrata e Trump ndryshoi kontekstin jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Shumica e ekspertëve amerikane për Ballkanin janë larguar nga zyra ose janë margjinalizuar. Ekspertet e rinj kanë pak ose aspak njohuri për historinë e Ballkanit te këtyre viteve te fundit. Ballkani nuk është i rëndësishëm për zgjedhjet e SHBA-së, por për disa arsye tani ata po përpiqen të arrijnë një kompromis i cili është tashmë, siç theksojnë shumë vetë, i shkruar në letër. Mund të shihet gjithashtu si një veprim kundër besueshmërisë së BE-së. Unë nuk mendoj se një dialog dypalësh mund të kontribuojë në zgjidhje, duke pasur parasysh që BE është kundër ndarjes ndërkohë që SHBA është duke lehtësuar një marrëveshje të tillë. Në të njëjtën kohë, Rusia gjithashtu ka paraqitur disa mesazhe në lidhje me Kosovën. Në përgjithësi, duket sikur arena e Ballkanit shërben si shesh lojërash për disa nga aktorët ndërkombëtarë. Meqenëse Kosova është problem evropian, vetëm BE-ja duhet të jetë ndërmjetësi kryesor në dialogun Beograd-Prishtinë. Në rast se opsioni (ndarja) nga SHBA fiton, do të dëmtonte seriozisht stabilitetin rajonal dhe do të përtërinte pretendimet territoriale.

Lexo po ashtu:  Dolën për xhirimin e filmit në natyrë, aktorët ka një javë që po largojnë mbeturinat

Sa i përket dialogut që ka për qëllim arritjen e një marrëveshje juridikisht detyruese, gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë, besoni se çështja e shkëmbimit të tokës është jashtë tryezës apo është ende një mundësi për të dyja palët? A mendoni se ngritja e Asociacionit të komunave serbe mund të ndihmojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe garantimin e mëtejshëm të respektimit të të drejtave të popullatës serbe në Kosovë?

Lulzim Peçi: Jam i sigurt se Vučić do të përpiqet të hapë mundësinë e shkëmbimit të tokave gjatë procesit të bisedimeve, por nuk mendoj se kjo mundësi ka ndonjë mbështetje as në Uashington, as në Berlin dhe as ne Paris. Gjithashtu, kjo mundësi kundërshtohet ashpër nga qeveria dhe njerëzit e Kosovës, përfshirë këtu edhe serbët e Kosovës. Prandaj, unë mendoj se ky opsion ka shanse minimale për t’u bërë rezultat ne procesin e negociatave. Forcimi i të drejtave kolektive të serbëve të Kosovës do të forcojë demokracinë multi-etnike në vend, nëse nuk bëhet në kurriz të funksionalitetit të Kosovës si një shtet, i cili është një parakusht themelor për rritjen e cilësisë së jetës dhe prosperitetit të çdo qytetari te saj.

Sonja Biserko: Shkëmbimi i territoreve nuk është ende jashtë tryezës. Për sa kohë që Serbia ka mbështetjen e Rusisë, shkëmbimi do të jetë një opsion për Beogradin. Fatkeqësisht, Serbia edhe pse synon anëtarësimin në BE – në të vërtetë nuk bën asgjë për t’iu përmbajtur standardeve dhe reformave të dhëna nga Komisioni. Shoqata e komunave serbe në Kosovë është arsyeja e vërtetë pas bllokimit të dialogut. Bëhet fjalë për interpretimin e statusit serb në Kosovë. Beogradi po bën presion për një status Republika Srpska, që do të thotë një shtet jofunksional si Bosnja. Qasja dypalëshe nga ndërkombëtarët siç u praktikua gjatë tre dekadave të fundit gjithnjë përfundon duke tërhequr Serbinë si një shtet më te madh dhe me qendror në Ballkan. Kosova, gjithashtu dhe Bosnja, duhet të shihet edhe nga këndvështrimi rajonal, sepse kjo është mënyra e vetme për të mbajtur ekuilibrin dhe për të penguar agjendat etno-nacionaliste.

Që nga fillimi i bisedimeve në 2013, më shumë se 30 marrëveshje janë nënshkruar në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë. Megjithatë, shumë nga këto nuk janë zbatuar ose janë zbatuar vetëm pjesërisht nga të dyja palët. A nuk mendoni se BE duhet të krijojë një organ verifikimi për të kontrolluar vijimin e marrëveshjeve të nënshkruara?

Lexo po ashtu:  Interpol: Vaksinat antiCOVID-19 rrezikohen nga falsifikimi dhe vjedhja

Lulzim Peçi: Unë mendoj se një mekanizëm verifikimi BE – SHBA duhet të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe duhet të jetë subjekt i Kapitullit 35 të Acquis për Serbinë dhe procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Sonja Biserko: Në të vërtetë, këto marrëveshje janë të rëndësishme për të dyja palët dhe duhet të ndiqen. Dialogu duhet të vazhdojë brenda kornizës së marrëveshjes së Brukselit. BE duhet të angazhohet më shumë në monitorimin e zbatimit të atyre marrëveshjeve, të cilat mund të ndryshojnë realitetin e Kosovës. Por njohja e Kosovës është një domosdoshmëri. Konsolidimi i kufijve do të ishte një hap i rëndësishëm përpara, pasi do të pengonte homogjenizimin e vazhdueshëm nga të dyja palët dhe do të zgjeronte hapësirën për çështje të tjera ekzistenciale.

A ka ndonjë mënyrë që Parlamenti Evropian të mund të mbështesë rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë si për shembull, duke krijuar një forum të organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia që mund të shoqërojnë dhe veprojnë paralelisht me dialogun zyrtar në nivel joqeveritar? Si mund ta përgatisim opinionin publik për të pranuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse që në çdo rast do të jetë një kompromis?

Lulzim Peçi: Parlamenti Evropian mund të luajë një rol të trefishtë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Së pari, për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e Komisionit të BE-së, mund të jetë shumë e dobishme nëse Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian themelon një grup pune për dialogun Kosovë-Serbi, te ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes se negociatave Prishtinë-Beograd qe mungonin ne te shkuarën. Së dyti, Komiteti mund të angazhojë deputetë nga Kosova dhe Serbia në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e bashkëpunimit midis parlamenteve të të dy vendeve. Së treti, lehtësimi i dialogut midis organizatave të shoqërisë civile dhe mediave nga të dy vendet mund të ndihmojë ndërtimin e një mjedisi pozitiv për opinionet publike përkatëse për të pranuar një marrëveshje të mundshme.

Sonja Biserko: BE gjithashtu duhet të jetë më e angazhuar me shoqërinë civile, veçanërisht me pjesën që mbron vlerat liberale dhe sovranitetin e Kosovës. Duhet të ketë më shumë komunikim midis dy palëve në nivele të ndryshme – qytetare, akademike, mediatike dhe kulturore. Kjo mund të përgatisë shoqërinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *