Presidenti Ilir Meta vizitoi së bashku me një grup të rinjsh studentë, historianësh dhe akademikësh Pavijonin e Pavarësisë dhe të Luftës së Vlorës 1920 në Muzeun Historik Kombëtar.

Duke theksuar rëndësinë historike dhe atdhetare të Luftës së Vlorës si dhe shembullin e paharrueshëm e frymëzues të saj, sidomos për brezat e rinj, Presidenti i Republikës çmoi në një ceremoni solemne, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes) profesor Muin Çamin dhe profesor Bardhosh Gaçen, ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” prof. ass. dr. Bernard Zotajn.

Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi (pas vdekjes) edhe tre pjesëmarrës dhe atdhetarë të Luftës së Vlorës, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” dr. Ali Mihalin për trimërinë, humanizmin dhe kontributet e dhëna jo vetëm në lëvizjet kombëtare të viteve 1912 dhe 1920, por edhe për zhvillimin e mjekësisë shqiptare; me Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Ali Spahiun (Malindi) si luftëtar trim dhe drejtues i shquar njësive ushtarake në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe Pavarësisë së Atdheut.

Ndërsa Titullin “Kalorës i Udhrit të Flamurit”, Kreu i Shtetit ia akordoi ushtarakut italian Giovanni Valenza, “në mirënjohje për besnikërinë ndaj bindjeve dhe parimeve të tij të larta morale si dhe për mbështetjen e çetave luftëtare shqiptare me armatim gjatë Luftës së Vlorës të vitit 1920 duke u bërë shembull ndër breza për trimërinë dhe vetmohimin e tij në luftën kundër së keqes”.

Lexo po ashtu:  ‘Athinë ishte kur flitej arbërishte’

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti duke iu drejtuar të rinjve studentë, akademikëve, historianëve dhe të afërmve dhe familjarëve të pranishëm në ceremoninë solemne të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar, u shpreh se “jemi këtu në Muzeun Historik Kombëtar ku është ekspozuar historia jonë kombëtare, histori e cila pa mundin dhe kontributin e historianëve tanë të nderuar do të ishte e harruar, prandaj vlerësimi dhe mirënjohja në këtë përkujtim të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, është edhe një nder i merituar për punën e bërë prej tyre ndër dekada”.

“Pasqyrimi që i kanë bërë historianët tanë betejave dhe përleshjeve me armikun, kanë skalitur portretin e Luftës së Vlorës, të atdhetarëve, të kapedenëve të çetave dhe të luftëtarëve të Vlorës, Tepelenës, Himarës, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës, Korçës, Devollit dhe gjithë trevave të kombit tonë, deri edhe të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera europiane. Ky pasqyrim na jep të plotë këtë epope të fitimtarëve, që nuk lejoi copëtimin e trojeve shqiptare. Na tregon për një ngjarje historike të rëndësisë së jashtëzakonshme kombëtare, vendimtare për ekzistencën e shtetit tonë, por edhe për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar. Një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, vetëm të bazuar në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush”, – nënvizoi Meta.

Lexo po ashtu:  Analiza në “The Guardian”: Hendeku tronditës i zgjedhjeve në SHBA

Kreu i shtetit u shpreh se “është thelbësore që historinë t’jua mësojmë brezave të rinj, duke mbajtur të gjallë të ardhmen e atdheut. Nuk mund të lejojmë, që e shkuara të lihet në harresë, apo siç na ka mësuar Ismail Qemali se: ‘Një fëmijë që fle rritet, por një komb që fle vdes’”.

“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë zgjuar në mbrojtje të lirisë, pasi ajo nuk fitohet një herë e përgjithmonë, por duhet mbrojtur në çdo kohë nga të gjithë”, – tha Meta.

Presidenti Meta theksoi se “të kërkosh në të kaluarën”, ndaj unë nxis të gjithë historianët tanë të nderuar të vazhdojnë me hulumtimet e tyre, të kërkojnë edhe më shumë në të kaluarën krenare të popullit shqiptar për të mbajtur të gjallë historinë dhe të ardhmen e kombit tonë, duke hedhur më shumë dritë mbi të vërtetat e patjetërsueshme të historisë sonë të lavdishme, që do ndihmojnë brezat e sotëm e të ardhshëm të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe me më shumë dashuri për Atdheun tonë”.

Lexo po ashtu:  Letrat e Ernest Koliqit: ‘Si e futa arsimin shqip në Kosovë dhe mora në punë Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin’

“Në nderim të sakrificave të luftëtarëve të Luftës së Vlorës të vitit 1920, dhe në vlerësim të punës së jashtëzakonshme të historianëve e studiuesve tanë për të pasqyruar këtë luftë heroike, kam kënaqësinë që sot të vlerësoj me tituj të lartë nderi disa prej tyre: prof. Muin Çami, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe prof. as. Bernard Zotaj dhe njëkohësisht tri luftëtarë të shquar të Luftës së Vlorës: dr. Ali Mihali, Ali Spahiu (Malindi) dhe arbëreshin Xhovani Valenca”, – tha Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *