Nga Ronald F. Inglehart

Në vitet e para të shekullit XXI, feja dukej se ishte në rritje. Rënia e komunizmit dhe e Bashkimit Sovjetik, la pas një boshllëk ideologjik që po mbushej nga Krishterimi Ortodoks në Rusi dhe në shtetet e tjera post-sovjetike.

Zgjedhja si president i SHBA-së i presidentit Xhorxh W. Bush, një i krishterë ungjillor që nuk e fshihte devotshmërinë e tij fetare, sugjeronte se Krishterimi Ungjillor po rritej si një forcë politike në vend. Dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, e drejtuan vëmendjen ndërkombëtare mbi fuqinë e Islamit politik në botën myslimane.

Disa vite më parë, bashkë me kolegen time Pipa Norris analizuam të dhëna mbi prirjen fetare

në 49 vende të botës, përfshirë disa territore të kontestuara si Irlanda e Veriut, bazuar në sondazhet e zhvilluara gjatë viteve 1981-2007. Në këto vende, jetonte 60 për qind të popullsisë së botës.

Ne nuk zbuluam ndonjë ringjallje universale të fesë, por zbuluam se në 33 nga 49 vendet që studiuam, njerëzit ishin bënë më fetarë gjatë asaj periudhe. Kjo ishte e vërtetë në shumicën e vendeve dikur komuniste, shumicën e vendeve në zhvillim, dhe madje edhe për një numër vendesh me të ardhura të larta.

Gjetjet e bënë të qartë se industrializimi dhe përhapja e njohurive shkencore, nuk po e zhdukte për fare fenë, siç kishin menduar dikur disa studiues. Por që nga viti 2007, gjërat kanë ndryshuar me një shpejtësi befasuese. Gjatë viteve 2007-2019, pjesa dërrmuese e vendeve që studiuam, 43 nga 49 të tilla, janë bërë më pak fetare.

Dhe rënia e besimit fetar, nuk ishte e kufizuar vetëm tek vendet me të ardhura të larta, por u shfaq në pjesën më të madhe të botës. Pra aktualisht ka një numër në rritje njerëzish, që nuk e shohin më fenë si një burim të nevojshëm mbështetjeje dhe kuptimi në jetën e tyre.

Shoqëritë moderne janë bërë më pak fetare, pjesërisht pasi s’kanë më nevojë të mbështesin llojet e normave gjinore dhe seksuale, që fetë kryesore të botës i kanë promovuar ndër shekuj.

Edhe pse disa fetarë konservatorë, po paralajmërojnë se tërheqja nga besimi do të çojë në një kolaps të kohezionit shoqëror dhe moralit publik, provat nuk e mbështesin këtë pretendim. Sado e papritur që mund të duket, vendet që janë më pak fetare, kanë prirjen të jenë më pak të korruptuara, dhe kanë një shkallë më të ulët të vrasjeve sesa ato më shumë fetare.

Lexo po ashtu:  RUSSIAN TODAY: Amerika po jeton në vitin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore

S’ka nevojë të thuhet, që vetë feja nuk e inkurajon korrupsionin dhe krimin.

Kjo dukuri pasqyron faktin që ndërsa shoqëritë zhvillohen, mbijetesa bëhet më e sigurt:uria, dikur shumë e përhapur, bëhet e pazakontë; rritet jetëgjatësia; ulen vrasjet dhe format e tjera të dhunës. Dhe teksa rritet ky nivel i sigurisë, njerëzit kanë prirjen të bëhen më pak fetarë. Studimi ynë i hershëm, i botuar në vitin 2011, pyeti njerëzit se sa i rëndësishëm ishte Zoti në jetën e tyre, duke kaluar nga shkalla nr.1 “Jo, aspak i rëndësishëm”, tek shkalla nr.10 “Shumë i rëndësishëm”.

Shumica e vendeve të anketuara, treguan rezultate të forta mbi besimin tek rëndësia e Zotit në jetën e njerëzve. Rritja ishte më e mëdha në vendet e ish-komuniste. Në Rusi, rezultati u rrit nga 4 në 6 për qind. Kjo rritje e zellit fetar, ishte një përgjigje ndaj rënies së madhe të sigurisë ekonomike, fizike dhe psikologjike të përjetuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Feja ishte duke mbushur boshllëkun ideologjik të krijuar nga rënia e komunizmit. Besimet fetare u rritën gjithashtu edhe në shumë vende në zhvillim jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, përfshirë Brazilin, Kinën, Meksikën dhe Afrikën e Jugut.

Nga ana tjetër, feja ra në shumicën e vendeve me të ardhura të larta. Një ndryshim dramatik ka ndodhur në SHBA. Gjatë viteve 1981-2007, Shtetet e Bashkuara renditeshin si një nga vendet më fetare në botë. Nga atëherë ky vend ka shfaqur zhvendosjen më të madhe larg fesë, se sa çdo vend tjetër të marrë në studim.

Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara ishin shembulli që tregonte se modernizimi ekonomik, nuk do të prodhonte doemos shekullarizëm. Mendimtarët me ndikim, nga Karl Marksi tek Maks Veber dhe Emil Durkheim, parashikuan se përhapja e njohurive shkencore do ta zbehte rolin e fesë në gjithë botën, por kjo gjë nuk ndodhi.

Për shumicën e njerëzve, besimi fetar ishte më shumë i natyrës emocionale se sa konjitive. Dhe për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, mbijetesa e plotë ka qenë e pasigurt. Feja siguronte që bota ishte në duart e një fuqie më të lartë (ose fuqive) e të pagabueshme, që premtojnë që nëse dikush i ndjek rregullat e përcaktuara, në fund gjërat do të funksionojnë për më të mirët e kësaj bote.

Në një botë ku njerëzit ishin shpesh në pragun e urisë, feja i ndihmonte ata të përballeshin me një pasiguri dhe stres të madh. Por zhvillimi ekonomik dhe teknologjik, i bëri njerëzit gjithnjë e më të aftë për t’iu shmangur urisë, përballur si duhet me sëmundjet, dhe shmangur dhunën.

Lexo po ashtu:  Një rrymë regresive letrare

Ndërkohë shekullarizimi nuk ndodh kudo menjëherë. Ai shfaqet kur vendet kanë arritur nivele të larta sigurie ekzistenciale, dhe madje edhe atëherë kjo ndodh zakonisht me një ritëm të ngadaltë, teksa një gjeneratë zëvendësohet nga një tjetër. Disa faktorë të tjerë, përtej rritjes së niveleve të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, na ndihmojnë në shpjegimin e zbehjes së rolit të fesë në shoqëritë e sotme.

Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë të përgjegjësisë e ka politika. Që nga vitet 1990, Partia Republikane ka kërkuar mbështetjen e segmenteve më fetare të popullsisë, duke pasur vetë pozicione konservatore të krishtera kundër martesës të të njëjtit seks, abortit dhe çështjeve të tjera kulturore.

Por ky vokacion politik ndaj votuesve fetarë, ka pasur efektin fundor të distancimit nga feja të votuesve të tjerë, sidomos të rinjve dhe liberalëve fesë. Ndërkohë Kisha Katolike Romake, ka humbur shumë nga besimtarët e saj për shkak të krizave të veta të brendshme.

Në fillim të këtij viti, Qendra Kërkimore Pju zbuloi se 92 për qind e amerikanëve ishin në dijeni të raporteve të fundit të abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë, dhe 27 për qind e katolikëve amerikanë thanë se e kanë rralluar shkuarjen në kishë.

Por ndoshta forca më e rëndësishme që qëndron pas procesit të shekullarizimit, është një transformim i normave që rregullojnë nivelin e lindjeve. Për shumë shekuj, shumica e shoqërive u caktoi grave rolin e sjelljes në jetë të sa më shumë fëmijë, teksa dekurajoi divorcin, abortin, homoseksualitetin, kontracepsionin, dhe çdo sjellje seksuale që nuk lidhej me riprodhimin.

Fetë e vinin theksin tek pjelloria. Në kohën kur vdekshmëria foshnjore ishte e lartë dhe jetëgjatësia ishte e ulët, një grua lindte mesatarisht 5-8 fëmijë në mënyrë, që të garantonte rritjen e popullsisë. Gjatë shekullit XX, një numër vendesh në rritje arritën të ulnin në mënyrë drastike nivelet e vdekshmërisë foshnjore dhe të rrisnin jetëgjatësinë, duke i bërë të panevojshme këto norma kulturore tradicionale.

Sigurisht, ky proces nuk ndodhi brenda natës. Por kur një shoqëri arriti një nivel mjaft të lartë të sigurisë ekonomike dhe fizike, brezat e rinj u rritën duke marrë atë siguri si të mirëqenë, ndaj normat rreth pjellorisë u zbehën. Tani idetë, praktikat dhe ligjet në lidhje me barazinë gjinore, divorcin, abortin dhe homoseksualitetin, po ndryshojnë me shpejtësi.

Lexo po ashtu:  Dy dështimet e Presidentit Meta

Për shekuj me radhë, feja ka shërbyer si forcë për kohezionin social, uljen e kriminalitetit dhe inkurajimin e respektimit të ligjit. Çdo fe e madhe përfshin disa versione të urdhëresave biblike “Ti nuk do të vjedhësh” dhe “Nuk do të vrasësh”. Prandaj, është e kuptueshme që konservatorët fetarë kanë frikë se rënia e besimeve fetare do të çojë në një degradim social, e shoqëruar kjo me një rritje të korrupsionit dhe krimit.

Por çuditërisht ky shqetësim nuk mbështetet nga provat konkrete. Kështu shtetet nordike shumë laike të Evropës kanë nivelet më të ulëta të korrupsionit në botë, dhe vendet shumë fetare si Bangladeshi, Guatemala, Iraku, Tanzania dhe Zimbabve, kanë nivelet më të lartat në botë.

Edhe pse feja mund të ketë luajtur dikur një rol vendimtar në mbështetjen e moralit publik, ai rol po zvogëlohet me zhvillimin ekonomik të shoqërive. Njerëzit në vendet më fetare, kanë pak më shumë të ngjarë të dënojnë korrupsionin, sesa njerëzit e vendeve më pak fetare, por ndikimi i fesë në sjelljen e njerëzve përfundon këtu.

Feja mund t’i bëjë njerëzit më ndëshkues, por nuk i bën ata më pak të korruptuar. Ky model vlen edhe për krime të tjera, siç është vrasja. Sado e habitshme mund të duket, niveli i vrasjeve është më shumë se 10 herë më i lartë në vendet më fetare, sesa në vendet më pak fetare.

Natyrisht, vetë feja nuk i shkakton vrasjet, por fakt është që krimi edhe religjioni priren të jenë shumë më të pranishme tek shoqëritë që kanë nivele të ulëta të sigurisë ekzistenciale.

Ndërsa shoqëritë zhvillohen nga agrare në industriale me bazë dijen, siguria ekzistenciale në rritje, ka prirjen ta zvogëlojë rëndësinë e fesë në jetën e njerëzve, dhe njerëzit bëhen më pak të bindur ndaj udhëheqësve dhe institucioneve tradicionale fetare.

Kjo tendencë duket se ka gjasa të vazhdojë, por e ardhmja është gjithnjë e pasigurt.

Pandemitë si kjo aktualja e Covid-19, e zvogëlojnë ndjenjën e njerëzve për sigurinë ekzistenciale. Nëse pandemia do të zgjasë për shumë vite, apo do të çojë në një Depresion të ri të Madh ekonomik, ndryshimet kulturore të dekadave të fundit mund të ecin në drejtimin e kundërt.

Marrë me shkurtime “Foreign Affairs” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *