Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, aktualisht ushtron gjashtë funksione. Përveç pagës që merr nga Prokuroria e Shtetit, ai merr pagë edhe si anëtar i Bordit në Akademinë Policore, si kryetar i Bordit në Akademinë e Drejtësisë, anëtar i Këshillit Prokurorial, anëtar i Bordit të Inteligjencës Financiare dhe si kryetar i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, i pari i Prokurorisë së Shtetit ka deklaruar se merr të hyra vjetore në vlerë prej mbi 50 mijë euro.

Mbi 41 mijë euro i merr si pagë nga Prokuroria, Bordet dhe Komisioni për provimin e Jurisprudencës, mbi 1 mijë e 400 euro nga mëditjet dhe rreth nëntë mijë euro nga qiraja.

Tek pasuritë e paluajtshme, Lumezi ka deklaruar dy banesa, në vlerë prej 200 mijë euro, të cilat thotë t’i ketë blerë nga biznesi i mëhershëm privat, si dhe një shtëpi në vlerë prej 220 mijë euro, të cilën e ka blerë me kredi, kursime, pagën e tij dhe të bashkëshortes dhe nga të ardhurat e qirasë.

Lexo po ashtu:  Kryeministri i Kosovës: Do të respektojmë marrëveshjen për Asosacionin e komunave me shumicë serbe

Kryeprokurori duket se është i dhënë edhe pas artit. Te pasuritë e luajtshme, ai ka deklaruar pesë piktura, që i ka vlerësuar me 15 mijë euro.

Përveç pikturave, ai ka deklaruar edhe veturën e bashkëshortes në vlerë prej 6 mijë euro dhe të fëmijëve në vlerë 19 mijë euro, që thotë se është blerë me kursime.

Lumezi po del të ketë goxha para të gatshme. Vetëm ai, ka rreth 60 mijë euro në banka, derisa vlera e parave të gatshme që ka bashkëshortja e tij dhe fëmijët sillet rreth 35 mijë euro.

Detyrime ndaj bankave thotë se nuk ka aktualisht, derisa ka njoftuar se një kredi në vlerë prej 60 mijë euro e ka paguar tashmë.

Ndërkohë, të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij sillen rreth 20 mijë euro, që i merr si pagë nga Universiteti i Prishtinës dhe një universitet privat, derisa fëmijët e tij marrin rreth 16 mijë euro në vit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *