Dje u njofua zyrtarisht largimi nga kabineti qeveritar i ministres Besa Shahini. U dhanë shumë arsye në media për këtë lëvizje që përflitej prej kohësh, krahas lëvizjeve të tjera që thuhet se do të ndodhin. Shahini ishte një zgjedhje nga Kosova e Edi Ramës që e trajton qeverinë si tryezë personale pune. Ndryshimet fundit në qeveri u njoftuan në një mbledhje Asambleje të PS-së, e cila thjesht i miratoi pa bërë zë.

Në serinë e largimeve dhe afrimeve është ndjekur kriteri i përkatësisë dhe besnikërisë: njerëz që dikur kanë punuar në Bashkinë e Tiranës janë bërë përherë e më të fuqishëm në qeveri. Belinda Balluku që sot drejton një ministri dikur ka qenë në Bashki dhe nuk ka asnjë lidhje politike tjetër me PS-në veç njohjes personale me Edi Ramën.

Sigurisht që të tillë mund të konsiderohen edhe ministrat e qeverisë së parë të Rilindjes, por ta zëmë Damian Gjiknuri, Ilir Beqaj, apo edhe Ditmir Bushati, kanë lidhje familjare të hershme me PS-në përpara sesa të jenë njerëz të bindur të Edi Ramës. Në këtë kuptim përfaqësimi në qeveri sa ka ardhur dhe është personalizuar duke befasuar shumëkënd edhe me zgjedhej si znj. Shahini apo Gent Cakaj.

Lexo po ashtu:  Dhunimi i Sali Berishës dhe përdhunimi i drejtësisë

Askush nuk di pse zgjidhet njëri apo tjetri, sikundër pakkush di pse ikën njëri apo tjetri. Ne sot nuk jemi në gjendje të themi se Besa Shahini iku për rezultate të dobëta, pasi të tilla nuk pranohen nga z. Rama që është i pagabueshën. Ndaj edhe shpërthimi mediatik për ikjen e saj rreh ujë në hava. Në fund të fundit është bërë e qartë se ndryshimet në qeveri dhe në parti së fundmi nuk përbëjnë më lajm si më parë sepse ato korrektojnë një ekuilibër të brendshëm të një klani dhe nuk kanë të bëjnë aspak me interesin publik.

Iku Besa dhe ndenji Etilda nuk ka kurrfarë rëndësie. Qeveria është vetëm një njeri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *