MekuliPress vazhdon të boton pjesë të vështrimit kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar, nga libri i Rexhep Qosjes, “Realiteti i shpërfillur”.

Ju ftojmë ta lexoni:

Identiteti dhe identitetet

          Përveç, si e pamë, për nervozizmin që “nuk lë pa prekur mbajtjen e portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës”, Ismail Kadare më fajëson edhe se po e ndaj “identitetin evropian” të shqiptarëve në “identitet mysliman” dhe në “identitet të krishterë”. Dhe, kjo ndarje që bëkam unë i ngjan atij si një muzikë e njohur, që e ka dëgjuar shumë herë. I shqetësuar prej tingujve të kësaj muzike të dëgjuar shumë herë, është e kuptueshme pse ai ua përkujton lexuesve shumë i sëndisur pasojat e një ndarjeje të tillë, domethënë të një muzike të tillë! Në vend të gjithë fjalive, në të cilat numërohen ato pasoja, po e citoj vetëm fjalinë përmbyllëse: “Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese”.

          Bukur apo jo!

          Një popull është ai që është.

          S’ka dyshim.

          Dhe, s’ka nevojë për pudër zbukurimi.

          Pa dyshim.

As për blozë përçmuese.

          Pa dyshim.

          Kur e zbukurojmë një popull me pudër zbukurimi?

          Kur e quajmë evropian dhe të krishterë, pa dyshim.

          E kur e shëmtojmë me blozë përçmuese?

          Kur e quajmë joevropian dhe mysliman, pa dyshim!

          Domethënë: pudra zbukuruese mund të qitet vetëm në fytyrën evropiane dhe të krishterë, kurse bloza përçmuese vetëm në fytyrën joevropiane dhe myslimane!

Kjo është përgjigjja e qartë, serioze dhe, pse jo e prerë e Ismail Kadaresë!

          Bukur apo jo! Muzika ngjan shumë e njohur apo jo!

Lexo po ashtu:  Çfarë ka shkruar studiuesi arvanitas Aristidh Kola për Vallen Çame

          Po, t’i kalojmë njëherë për njëherë gjykimet e këtilla “serioze”, serioze në mënyrë raciste, të Ismail Kadaresë dhe të merremi pak me katekizmin e tij të identitetit.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

          Prej sprovës së tij Identiteti evropian i shqiptarëve shihet se Ismail Kadare e trajton identitetin si diçka të dhënë njëherë e përgjithmonë, që e përcaktojnë gjeografia, lidhja gjinore, ngjyra e lëkurës dhe… hajde gjeje çka më! “S’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një”! Kultura materiale dhe shpirtërore, feja, tradita, zakonet, historia – si të mos ishin fare: ato nuk lënë kurrfarë shenjash në identitetin e vetjeve, grupeve etnike dhe popujve! Ku është dëgjuar kjo? Maturanti që do të gjykonte ashtu për identitetin në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të do të përsëriste klasën. Ndikimin e fesë në përbërjen e identitetit Ismail Kadare jo vetëm se e mohon, por edhe e përbuz! Thuajse nuk ka parë dhe thuajse nuk ka dëgjuar se fetë janë përbërës shumë i rëndësishëm i identitetit, aq të rëndësishëm sa shumë herë dhe shumëkund janë bërë përcaktues të tij. Po të mos ishte kështu nuk do të flitej, për shembull, për qytetërimin e krishterë dhe për qytetërimin islamik. Dhe, po të mos ishte kështu nuk do të shkruante Semjuel Hantingtoni veprën e tij Konflikti i qytetërimeve, në të cilën bazë të qytetërimeve që ai, fatkeqësisht, i pandeh në konflikt, quan fenë myslimane, në njërën anë, dhe fenë e krishterë, në anën tjetër!

Në sprovën e tij Ismail Kadare gjykon dhe bën përgjithësime për identitetin duke mos pasur parasysh se kemi identitet të veçantë dhe identitet të përgjithshëm; identitet vetjak dhe identitet kolektiv; identitet konvencional dhe identitet të ri; identitet historik dhe identitet kulturor; identitet politik dhe identitet mendor; identitet fetar dhe identitet shtetëror. E të tjera. Të  gjitha këto identitete, që janë identitete më pak a më shumë të veçanta, të një rrafshi më të ngushtë, bashkohen në një përgjithësi, në një të tërë, që do t’i themi identiteti kombëtar.

Lexo po ashtu:  Kjo është krizë e Perëndimit, jo thjesht çështje standardesh

          Dhe, më konkretisht: kemi shqiptarë me identitet kosovar, shqiptarë me identitet lab, shqiptarë me identitet gegë, shqiptarë me identitet toskë, shqiptarë me identitet mirditas, shqiptarë me identitet malësor, por të gjitha këto identitete të veçanta bashkohen në atë përgjithësinë, të përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.

          Dhe, më tej: kemi shqiptarë me identitet katolik, shqiptarë me identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman, shqiptarë me identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në sajë të përbashkëtave të përmbajtura në secilin prej tyre bashkohen në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i themi IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR.

Ai që  i ka të qarta këto, ai që ka kuptim për marrëdhënien e të veçantave me të përgjithshmen, nuk do të akuzojë kë se po ndan shqiptarët në të krishterë dhe në myslimanë vetëm pse konstaton se kemi shqiptarë me identitet të krishterë dhe shqiptarë me identitet mysliman- se ata si të krishterë (katolikë, ortodoksë, protestantë) dhe myslimanë janë të gjithë shqiptarë: janë shqiptarë në sajë të përbashkëtave shqiptare të përmbajtura në secilën prej feve të tyre.

Pse, atëherë, Ismail Kadare çel derën e çelur prej meje para tij?!

Evropa shumëkulturore

          Ashtu siç nuk do ta kuptojë drejt marrëdhënien e identiteteve fetare shqiptare me identitetin kombëtar shqiptar, po ashtu Ismail Kadare nuk do ta kuptojë drejt as marrëdhënien e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin evropian! Nuk është e vështirë për të parë se togfjalëshin identitet evropian ai e njëjtëson me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, si bashkësi e shteteve dhe popujve evropianë, në njërën anë dhe me krishterimin, në anën tjetër. Nuk ka dyshim se shtetet dhe popujt, që do të përbëjnë Evropën e Bashkuar, do të kenë një identitet politik – shtetëror, si një përgjithësi, si një e tërë, si një e përbashkët e të veçantave politike dhe shtetërore të shteteve që do ta përbëjnë. Evropës së Bashkuar të gjitha shtetet që do ta përbëjnë do t‘ia dhurojnë, të mos thuhet do t’ia flijojnë, të veçantat e tyre politiko-shtetërore, por nuk do të mund të thuhet se Evropës së Bashkuar do t’ia flijojnë, së paku tani për tani, identitetet e tyre kombëtare, në të cilat janë të përmbajtura veçantitë që nënkuptojnë historia, gjuha, feja, tradita, kultura, zakonet e të tjera. Nuk e di si do të jetë sot pesëdhjetë a sot njëqind vjet, por sot për sot shihet se të gjithë popujt evropianë, që përbëjnë Bashkimin Evropian, kujdesen të ruajnë përbërësit e identitetit të tyre kombëtar: historinë, gjuhën, fenë, kulturën, traditën e përbërësit e tjerë. Bashkimi Evropian bëhet Evropë e kombeve.

Lexo po ashtu:  Metoda e parë për të vlerësuar inteligjencën e një sundimtari, është të shohësh ata që i rrinë rreth e rrotull.

          Përpos me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, togfjalëshin identitet evropian Ismail Kadare e njëjtëson edhe me krishterimin. Ky njëjtësim, historikisht i shikuar, nuk është i saktë. Kontinenti evropian nuk ka prejardhje vetëm të krishterë. Është i madh numri i intelektualëve dhe i politikanëve evropianë të cilët vitin e kaluar e kanë kundërshtuar nismën për të futur në Kushtetutën e Bashkimit Evropian konceptin mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit. Shkrimtari dhe teoriku i njohur italian, Umberto Eko, e kundërshton atë nismë për dy arsye:

e para, për arsye politike, dhe,

e dyta, për arsye historike.

          Arsyeja politike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, sepse Evropa e ardhshme duhet të jetë, thotë ai, projekt politik dhe vizion antropologjik e kjo, projekt politik dhe vizion antropologjik, për të e nënkupton Evropën shumëkulturore, shumëfetare dhe, gjithnjë e më dukshëm, shumëracore, shumëngjyrëshe – jo vetëm të bardhë.

          Arsyeja historike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit sepse e kaluara e kontinentit, thotë ai, nuk është plotësisht e krishterë. Kulturën evropiane e kanë pasuruar: matematika e Indisë, mjekësia arabe, filozofia dhe shkenca greke, kur e kur e zbuluar në Evropë përmes arabëve, filozofia dhe shkenca romake, gjuha latine si gjuhë e ritualeve të shenjta, mitet dhe adetet pagane me trajtat e politeizmit, monoteizmi i hebrenjve. E të tjera.

VIJON!
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *