Nënë Tereza, kartvizita më e mirë e Shqipërisë, por dhe Enrico Cuccia, financieri i madh italian me origjinë shqiptare për të cilën ishte krenar. Roli i Italisë në qeverinë e parë të koalicionit midis Nanos dhe Berishës në 1991 dhe si duhet luajtur me përkatësinë myslimane të një pjese të madhe të popullsisë. Integrimi europian dhe identiteti shqiptar. Të gjitha këto në kujtimet e Giulio Andreoti, protagonisti kryesor i politikës italiane të pasluftës, që bashkombasit e tij quajnë “Il Divino Giulio”.

Nga Mentor Nazarko

Të intervistosh njërin nga figurat historike të politikës italiane dhe asaj europiane të luftës së ftohtë, si Giulio Andreotti është gjithnjë një privilegj. Privilegj për shkak të mundësisë për një bisedë të pasur në ide me një figurë të rrallë, njërin nga udhëheqësit e mëdhenj të shekullit të kaluar; privilegj që i shtohet vlera ndërsa shkon ndër mendje se mosha e tij e shkuar- 86 vjeçare ja kufizon gjithnjë e më shumë shancet e një politike aktive dhe jete publike të plotë.

Kjo intervistë është realizuar në vitin 2006, dhe 7 vjet më vonë ai ndërroi jetë. Por intervista ka vlera të jashtëzakonshme për mesazhet aktuale.

Ishte rasti i dytë që intervistoja 7 herë ish kryeministrin e Italisë, një nga udhëheqësit më të mëdhenj të perëndimit, njëherësh dhe një individ i shquar, ndërsa ndihet se në politikën europiane, mungojnë individë me përmasa të tilla. Arrita të kuptoj sesa modesti madhështore përcjell përpjekja e tij për të mos mbajtur qëndrime të prera që mund të fyejnë ndokënd. Sesa të përpunuar janë paravolitë e tij për të karakterizuar një situatë për të cilën pyetet: një përpunim i shpejtë në laboratorin e tij mendor, që është gjithnjë në funksion të plotë.

Më kujtohen disa detaje që e konfirmojnë atë: deri para pak vitesh nga vdekja, kishte një axhendë takimesh të përditshme që nganjëherë në ditët e para të vitit nisnin dhe në orën 6 të mëngjesit. Fakti i dytë: mori pjesë në të gjithë seancat e gjyqit të tij në Palermo, ku çmontoi akuzat ndaj tij, falë kujtimeve të hollësishme që mbante me dorë rregullisht.

Gati gati të duket se në një eksperiencë të gjatë politike si e tija- më shumë se 60 vjet- ai nuk duhet të ketë fyer njeri. Mundohesh të kuptosh sekretin e një karriere politike kaq të gjatë, për të cilin ai kishte një përgjigje interesante që do të jepet përgjatë intervistës.

Lexo po ashtu:  Vuçiç dhe Rama bëhen pishman/ “Do ia ndryshojmë emrin Mini-Shengenit”

Ndërkaq në një karrierë politike që po shkonte drejt fundit Andreotti kishte të shkruar akoma një fat politik të rëndësishëm. Në senat bashkë me ish presidentin italian Cossiga (vdiq në 2010) që e dekretoi si senator të përjetshëm, ishin dy votat decizive të së majtës që qeveriste. Ato realizuan epërsinë e asaj shumice ndaj së djathtës, në një ekuilibër vërtet të brishtë.

Kjo i impononte një jetë politike mjaft aktive që një figurë si ai pa abuzime në stilin e jetës që çonte përpara, e administronte mjaft mirë. Vetëm me një gjysmë ore në ditë dremitje dhe ndjekje me seriozitet të gjithçkaje ofron jeta parlamentare. Për pak Andreotti nuk arriti të ishte president i senatit, që do t’i jepte mundësinë të drejtonte një institucion kaq të rëndësishëm për herë të parë.

Shkova ta ftoj për një aktivitet të NATO-s, mbi problemet e bashkëjetesës fetare, në të cilën premtoi se do të merrte pjesë, ndërsa e pengonte pjesëmarrja e imponuar në një seancë në senat ku vota e tij konstruktive (tamam votë e florinjtë në zhargonin shqiptar) në favor të qeverisë peshonte shumë. Ishte, kryeministri Andreotti, një rast i veçantë dhe në pikëpamje të bashkëjetesës fetare.

Çdo ditë shkonte në kishë, dhe mundohej ta respektojë këtë detyrim shpirtëror dhe kur ishte jashtë vendit. Ama ishte një njeri super i vlerësuar prej botës arabe, njeriu i dialogut. Kjo ishte shprehje shembullore e dialogut që në përgjithësi politika e jashtme italiane ka shprehur përkundrejt kësaj bote, pa paragjykimet që kanë shprehur vendet e tjera. Bashkë me të bijën e Sadatit kishte themeluar Fondacionin Trialogu, për të favorizuar dialogun midis feve monoteiste, dhe mbetej një praktikant i devotshëm kristian.

Por misioni im pranë Andreottit ku na çonte si gjithnjë njeriu hije i tij, Raffaello Fellah, ishte ta intervistoja për gazetën e re shqiptare ABC, sot të ringjallur nëpërmjet portalit Konica, dhe ai nuk refuzoi të qëndrojë një orë. Megjithëse është ende në mes të një dite pune që nuk dihet kur ka nisur dhe se kur do të mbarojë. Është ora 16, 30 e 14 shtatorit 2006, pasi Andreotti ka marrë pjesë në një seancë të gjatë të Komisionit të jashtëm të senatit ku është anëtar prej një kohe të gjatë.

Lexo po ashtu:  ADMOVERE: Seksizmi nuk kalon

Andreotti për Cuccia-n: Po, ai ndihej shqiptar
Ekziston edhe një moment tjetër që lidh dy vendet tona. Prania e italo-shqiptarëve. Do t’i referohem një emri konkret, sepse ekziston një listë e famshme emrash, ku përfshihen Krispi, etj. Bëhet fjalë për Enrico Cuccia-n, financierin e madh. Në një intervistë që ju keni dhënë për një televizion shqiptar keni thënë se Cuccia ishte me origjinë shqiptare.

Po, sepse ai vinte nga një prej atyre qendrave, në rastin e tij konkret nga Sicilia, por edhe në Kalabri ka shumë të tilla, me një prani të konsiderueshme të traditës shqiptare. Në Sicili akoma edhe sot gjendet një dioqezë që quhet “Rrafshina e Shqiptarëve”, Piana degli Albanesi.

Cuccia njihej si milanez, pasi kishte jetuar gjithë jetën e tij në Milano, por origjina e tij ishte shqiptare.

Si jeni njohur me origjinën e tij. Ua ka thënë vetë ai?

Edhe pse në shumë aspekte ishte laik, traditën e tij kristiano-shqiptare ai jo vetëm që nuk e mënjanonte, por përkundrazi fliste shpesh për të, madje me një ndjenjë të madhe respekti.

Mund të na kujtoni ndonjë episod të marrëdhënieve tuaja me Cuccia-n?

Unë nuk kam pasur shumë raporte personale më Cuccia-n. Ai ishte një njeri me autoritet shumë të madh në fushën financiare, sidomos kishte një karakteristikë të tijën, që ishte dimensioni i tij ndërkombëtar, marrëdhëniet me financën ndërkombëtare, me financën franceze në veçanti, por edhe me Londrën, etj. Mund të them se ishte një njeri mjaft i përparuar, aspak autarkik. Madje mund të them se ishte prepotent në një masë të drejtë, ose prepotent i shëndetshëm sepse disa ligje i mbështeste, të tjerat jo. Linte të nënkuptohej pushteti i tij.

Lexo po ashtu:  Cili është kuptimi shqip i emrit Prevezë?

Ai meritonte një respekt absolut. Kujtoj një moment, kur në mënyrë të çuditshme, presidenti i IRI-t e nxori në pension, sepse rregulli ishte deri në 70 vjeç, ndërsa ai ishte 72 dhe nuk dihej përse kishte qëndruar aty deri në atë moment. Erdhi të më takonte në studion time, një mëngjes, sepse kërkonte të dinte mendimin tim lidhur me këtë çështje. Unë i thashë: “Shiko, nuk më duket e drejtë, sepse në se duhej të zbatonte rregulloren, këtë duhej ta kishte bërë dy vjet më parë. Megjithatë ju do të vazhdoni të mbeteni president”.

Madje me të qeshur i thashë se edhe nëse do të vazhdonte punë si pastrues atje, përsëri do të vazhdonte të ishte personi më i rëndësishëm i MedioBanca sepse sigurisht autoritetin e tij nuk ia jepte asnjë post drejtues.
Dhe në të vërtetë, ai mbeti një njeri i rëndësishëm deri në fund, një njeri pa asnjë lloj interesi personal, shumë korrekt. Nëse do të kishte dashur të pasurohej, mund ta kishte bërë fare mirë këtë gjë, edhe në mënyra të ligjshme, por ai kurrë nuk e bëri një gjë të tillë.

Interesohem për figurën e tij, sepse duke qenë se Shqipëria nuk gëzon le të themi një imazh të shkëlqyer në shkallën ndërkombëtare, është në kërkim të simboleve të historisë moderne për t’ia bashkëngjitur imazhit të saj. Edhe pse duket një përpjekje e sforcuar për ta lidhur figurën e Cuccia-s me Shqipërinë e sotme. Por ekziston një qendër që mban emrin e tij, ndaj do të doja të kisha një dëshmi autoritare si kjo e juaja për figurën e tij.

E them me bindje se Cuccia ka qenë një nga personalitetet më autoritare, si nga pikëpamja intelektuale ashtu edhe ajo globale, e Italisë së pasluftës. Gjithnjë i çinteresuar ndaj politikës, dhe vogëlsirat pa vlerë. Nuk e di se për kë votonte, pasi askush prej nesh nuk e ka pyetur për këtë. Eh, ishte një figurë e rëndësishme për Italinë, madje pa dyshim një nga themeluesit e zhvillimit të saj.

Romë, 14 shtator 2006

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *