Kosova dhe Izraeli: shtetndërtime të ndërkëmbyeshme

Teksa këto ditë u njoftua se Izraeli ka vendosur ta njoh Republikën e Kosovës, u kujtova që në në një kohë kur shteti i Izraelit ishte ende një ide në pritje për tu realizuar, Lidhja e Kombeve, e konsideronte Shqipërinë si një ‘atdhe rezervë’ për hebrenjtë.

Në një marrëveshje të përgatitur gjatë viteve 1930-’33, nga diplomati shqiptar Mehmet Konica dhe ambasadori amerikan në Tiranë Herman Bernstein (që ishte me origjinë hebreje), planifikohej që 500 familje hebreje nga Europa Qendrore, të vendoseshin në Mbretërinë Shqiptare, përkatësisht në rajonin mes Drinit dhe Bunës. Ndonëse për shkak të ndërhyrjes së Italisë fashiste kjo marrëveshje nuk u nënshkrua, nga kjo kohë e deri në prag të luftës, në Shqipëri erdhën rreth 800 hebrenj. Në bisedimet që Shqipëria zhvilloi me Komisariatin e Lartë të Refugjatëve të Lidhjes së Kombeve si dhe me Kongresin Botëror të Hebrenjve, qeveria e Mbretërisë Shqiptare shprehu pëlqimin dhe gatishmërinë e saj për pranimin e hebrenjve në Shqipëri. Për këtë arsye, Lidhja e Kombeve e mbante Shqipërinë si një “atdhe rezervë“ për popullin hebre. Autoritetet e ngarkuara me këtë mision, besonin në një bashkëjetesë të harmonizuar mes shqiptarëve dhe hebrenjve, ashtu siq lexohet edhe në një raport që emisari Leo Elton u dërgon organizatave sioniste më 1935.

Dhe kjo, nuk ishte aspak një rastësi! Shekuj më herët, Shqipëria kishte qenë një ‘atdhe rezervë’ për hebrenjtë edhe kur Mbreti Ferdinand dhe Mbretëresha Elizabetë të Spanjës, i dëbuan ata pas dekretit të 31 marsit 1492, që urdhëronte largimin ose dëbimin e të gjithë hebrenjëve nga monarkia spanjolle. Të quajtur hebrenj sefardikë, nga fjala “Sefard”, emri biblik i Spanjës, hebrenjtë u mirëpritën në Perandorinë Osmane, rrjedhimisht edhe në Shqipëri, si pjesë e kësaj perandorie atë kohë. Në Vlorë dhe Berat do të instaloheshin komunitetet më të mëdha hebraike, por hebrenjë sefardikë do të banonin edhe në shumë qytete shqiptare, duke jetuar lirinë dhe tolerancën që gëzonin hebrenjtë në Perandorinë Osmane. Pa përmendur historitë e rabinëve të botës shqiptare dhe të famshmin mistik dhe filozof Shabettai Zevi, që në vitin 1673 Sulltan Mehmedi IV e mërgoi në Shqipëri ku edhe vdiq, hebrenjtë kanë lënë gjurmët e tyre autentike dhe të pashlyeshme nëpër trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Lexo po ashtu:  Analizë / Humbja e Trump, “tsunami që mund të shkatërrojë” populistët radikal të së djathtës evropiane

Kur pritet që marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe hebrenjëve tu shtohet edhe një kapitull duke u vendosur marrëdhënie diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit, historitë e përbashkëta të shqiptarëve dhe hebrenjëve u risollën edhe një herë në vëmendje të publikut. Mes tyre, sigurisht, në radhë të parë, shpëtimi i hebrenjëve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore! Në një kohë kur hebrenjtë kërkoheshin një për një, për tu vrarë deri në zhdukje të plotë, shqiptarët, që as edhe më parë nuk kishin njohur ndonjë periudhë antisemite, për më tepër një popull me shumicë myslimane, u hapën dyert e shtëpive të tyre hebrenjëve dhe i strehuan e mbrojtën ata duke i shpëtuar nga nazifashistët. Kjo histori është monumentalizuar me një pllakë përkujtimore në oborrin e Qeverisë së Kosovës. Por pllaka edhe më monumentale që kanë fiksuar praninë e paqme të hebrenjëve në Kosovë, janë vetë varrezat e hebrenjëve në lagjen e Tauk Bashçe në Prishtinë. Të shtunën e 26 shtatorit 2020, ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, iu bashkuan një aksioni vullnetarësh për të pastruar këtë varrezë me 57 varret e saj. Këto varre u takojnë hebrenjëve të Prishtinës, që në mes të shekullit të XIX përbënin një komunitet prej rreth 1000 njerëzish, atë kohë rreth 1/10-ta e popullsisë së qytetit që kishte rreth 11 000 banorë. Sipas të dhënave të “Bulletine de l’Alliance Israelite Universelle, 1904“, në vitin 1904, bashkësia hebreje e Prishtinës përbëhej nga 300 banorë. Ndër hebrenjtë që jetonin në Prishtinë gjatë shekullit të XIX, ishin edhe familjet Bivas, Navon, Mandili dhe Levi. Kjo e fundit, familjae Levi, nxorri rabinët e Prishtinës, qytet që dikur kishte dy sinagoga që nuk i kanë mbijetuar kohës. Në vitin 1911, kur studiuesi spanjoll i baladave sefardike Don Manuel Manrique de Lara vizitoi Kosovën, ai evidentoi këtu edhe një këngë kastiliane që këndohej nga hebrenjtë: Una pastora yo ami. Vargu i parë i kësaj kënge thoshte:

Una pastora yo ami, / Një bareshë unë dikur dashurova,
Una hija hermosa, / Një vashë të bukur,
De mi chiques yo la adori, / Në fëmijërinë time unë e adhurova,
Mas que ella non ami. / Dhe asnjë tjetër përveç asa nuk doja.

Lexo po ashtu:  Miti dhe e vërteta: Cilat janë vlerat e Marksit në shekullin XXI ?

Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë kishte rreth 600 hebrenj. Kryeministri shqiptar i viteve të para të luftës, Mustafa Merlika Kruja, i kërkoi mëkëmbësit italian Françesko Jakomonit që t’i dërgonte hebrenjtë e Prishtinës drejt Shqipërisë, në mënyrë që të shpëtoheshin nga ndjekja naziste. Në një telegram të datës 30 mars 1942, Ministria e Punëve të Brendshme u jepte urdhër prefekturave të Pejës, Prishtinës, Dibrës dhe Prizrenit që brenda tri ditësh, të nisnin hebrenjtë e tyre drejt Beratit. Rreth një javë pas këtij telegrami, më 5 prill 1942, një bashkësi prej 100 hebrenjësh mbërriti në Berat. Edhe pas kësaj, duke u thirrë gjithnjë në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe në mbrojtjen e bashkësisë hebraike, autoritetet e Kosovës insistuan në shpërnguljen sa më të shpejtë të hebrenjve për në Shqipëri. Kjo shpërngulje u realizua në gjysmën e parë të vitit 1942, kur sipas të dhënave arkivore, 94 hebrenj kryefamiljarë së bashku me familjet e tyre, si dhe 87 individë hebrenj, kaluan nga Kosova dhe u vendosën në qytetet e Shqipërisë, e sidomos në Berat. Por Kosova u ripopullua me hebrenj të ardhur nga veriu, të cilët po ashtu u larguan më pas drejt Shqipërisë. Deri në vitin 1943, të paktën 600 hebrenj u shpërngulën nga Kosova drejt Shqipërisë, ku do të gjenin strehim dhe mbrojtje deri në fund të luftës. Meritat më të mëdha për shpëtimin e hebrenjve të Kosovës, u takojnë: Riza Drinit, prefekt i Prishtinës (1941-1942); Hysen Prishtinës, po ashtu prefekt i Prishtinës (1942-1944); Preng Ulit, sekretar i Prishtinës (1941-1944); si dhe në mënyrë individuale drejtorit të spitalit civil të Prishtinës, Spiro Litos; dhe Arsllan Mustafa Rezniqit që barti dhe strehoi në shtëpinë e tij 42 familje hebreje. Sa i përket shpëtimit të hebrenjve të ardhur në Kosovë nga veriu, mes tjerash ekziston edhe një dëshmi e inxhinierit nga Beogradi, Samuilo Mandil, i cili pasi kishte mbërritur në Prishtinë më 11 nëntor 1941, u shpërngul drejt Beratit më 1942.
Shqiptarët dhe hebrenjtë kanë ndarë shumë fate të përbashkëta dhe të ngjashme. Ata janë dy popuj ndër më të vjetrit e Mesdheut: unik me gjuhët e tyre dhe të pangjashëm me popujt përreth qoftë dhe për etnopsikologjinë e tyre karakteristike, shqiptarët dhe hebrenjtë janë dy popuj eksodesh. Më 1999 kur regjimi fashist i Serbisë së Sllobodan Millosheviqit i dëboi rreth 1 000 000 shqiptarë nga Kosova dhe po kaq brenda saj, pamjet e trenave të mbushur me shqiptarë që deportoheshin nga vendi i tyre, u patën krahasuar nga mediat ndërkombëtare me ato të përqendrimeve në kampe të hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht disa prej këtyre të dëbuarve shqiptarë, u patën pritur në Izrael nga Kryeministri Benjamin Netanjahu. Njëzet vjet më pas, Benjamin Natanjahu, po nga pozita e kryeministrit të Izraelit, në një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës të ndërmjetësuar nga Presidenti i ShBA-së, njoftoi se Izraeli do ta njohë shtetin e Kosovës. Në një periudhë me hallka të pashkëputura krizash politike, ky erdhi si një lajm shumë i mirë për shtetin më të ri të Europës, që vitin e fundit po i tërhiqeshin njohjet nga disa shtete, duke shkaktuar madje një praktikë të panjohur më parë në diplomacinë ndërkombëtare, çnjohjen.

Lexo po ashtu:  “Mos e lejo të ndodhë”: Fjalët e fundit profetike të Orwellit mbi çmendurinë e botës moderne

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, siguria do të mund të ishte një fushë tjetër ku këto dy shtete do të mund të bashkëpunonin natyrshëm mes tyre. Kryeministri Benjamin Netanjahu, që në rininë e tij ka shërbyer në forcat speciale elitë të ushtrisë izraelite, e kupton shumë mirë se sa e rëndësishme është siguria për një shtet të ri si Kosova, për krijimin e të cilit është luftuar shumë dhe i cili vazhdon të mbahet nën shënjestër nga Serbia fqinje. Kosova ka për të mësuar shumë nga Izraeli, një shtet i vogël por shumë i fuqishëm dhe faktor paqeje në rajon. Teksa Forca e Sigurisë së Kosovës po shndërrohet në ushtri të mirëfilltë, Kosova mund të pajiset edhe me armatime të prodhuara nga Izraeli, kjo edhe si një bashkëpunim ndërshtetëror mes ndoshta dy shteteve më proamerikane të globit. Me përvojën e tyre historike dhe të rrethuar nga fqinj armiqësorë, shqiptarët dhe hebrenjtë, e kuptojnë më së miri se sa e rëndësishme është të jesh i armatosur mirë, për ta shmangur luftën dhe ruajtur paqen për veten dhe të tjerët!/Durim Abdullahu/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *