Zyrtari i Lëvizjës Vetëvendosje Boiken Abazi ka reaguar pas deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin, i cili dje i ka quajtur “vrasës ushtarët e UÇK-së”.
Vulin poashtu ka tallur kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se ai do të mbahet mend vetëm për çorapet e tij.
E Abazi e ka quajtur këtë kërcënim të drejtpërdrejt ndaj kryeministrit Rama, përcjell Bota sot.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se vlerat e UÇK-së duhen mbrojtur me ligj të veçantë në Shqipëri e jo me një tjetër cicërimë në Twitter.
Ai ka shtuar se Serbia ndalet vetëm me reciprocitet.
Reagimi i plotë i Abazit në Facebook:
Vulini i Vuçiçit të Sheshelit e Millosheviçit sot i quajti vrasës ushtarët e UÇK-së, i ofendoi shqiptarët, e shpalli hero tradhtarin Esad Pasha, kërcënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe e talli KM Rama. Mbase Ramës mund t’i vijë ndonjë tjetër ide “brilante” që ta zgjidhë këtë fyerje dhe mohim të historisë sonë, këtë kërcënim e këtë mospajtim të thellë politik, me aftësitë e tij ekonomike prej doganieri, duke i dhënë Serbisë edhe Portin e Vlorës dhe Shëngjinit…
Vlerat e UÇK-së duhen mbrojtur me ligj të veçantë në Shqipëri e jo me një tjetër cicërimë në Twitter. Serbia nuk ndalet duke i dhënë porte e tregun shqiptar, por me reciprocitet!