Vendi po hyn në fushatë elektorale dhe siç po shihet do të kemi rastin që fytyrën e Kryeministrit dhe të ashtuquajturve kundërshtarë politikë të tij do ta shohim shpesh e më shpesh.
Zgjedhjet janë një ngjarje serioze në jetën e një vendi edhe pse për të kuptuar një gjë të tillë do të duhet të shihet se çfarë vendi është. Në shqipëri zgjedhjet janë aq serioze, saqë ato thuajse përherë mbingarkohen në përmbajtje me gallatë dhe rromuze. Sepse palaçollëku i atyre që drejtojnë është provuar një mënyrë efektive për të tërhequr vëmendjen nga përballja reale, për të argëtuar miletin që del e tund kokën, por edhe për të afirmuar llojin e zgjuarësisë që ecën në këto anë, ku 5% e popullsisë kanë realisht aksione ekonomike, teksa të tjerët kullosin shpresën e tyre gjetiu.
Kryeministri nuk mund të mbetet pas në këtë garë. Ai ka nisur sërish avazin e rromuzexhiut, ca në Parlament ku e argëtojnë dhe aërgëtohet, shfaqet e luan teatrin e atij që i di mirë punët e këtij vendi që e ka për zemër, në daljet për mediat që i thumbon sapo kupton se mund të ketë dalë keq një ditë më parë, apo edhe nëpër rrjete sociale ku lajkos, sharos, e mballos me komente gjithfarëshe aty ku i duhet.
Ky është aspekti performativ që ka llogje dhe vërdallosje. Kemi edhe aspektin “mistik” të vizitave jashtë pa asnjë informacion, që duhen kuptuar se zhvillohen sipas filozofisë së Mato Grudës, “Atë e di unë”, e që plotësojnë kuadrin e një lideri.
Fusha përpara është bosh, opozita nuk ekziston veçse në marrëzinë dhe budallallëkun e vet, shoqëria është e hutuar, e lodhur dhe pse jo e dorëzuar. Siç ndodh zakonisht në këtë vend, të vetmit që janë të lumtur, apo duken të tillë janë ata që janë në pushtet, ndoshta sepse kanë kuptuar sesa lehtë e tërheq për hunde këtë shoqëri, sa lehtë vjedh pa të hyrë gjemb në këmbë dhe më e çuditshmja: këtu askush nuk ka pretendim klasore, apo ambicie mbio këto premisa, sepse hajdutëria këtu ka konsensus.
Ndaj ta shijojmë gallatën elektorale dhe atyre që u pëlqen le ta ngjyejnë gishtin për Edin, Lulin a kë të dalë. Se mos ka rëndësi.