Presidenti i Malit të Zi viziton kryeqytetin gjerman. Ai do të pritet aty edhe nga Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Kritikët thonë se për këtë vizitë nuk ka moment më të papërshtatshëm.

Sundimtari shumëvjeçar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, aktualisht president i vendit të tij, ka qenë i preferuari i Perëndimit për një çerek shekulli. Gjukanoviçi, i cili në rininë ish-jugosllave kishte qenë komunist, e kuptoi shpejt se politika e autokratit serb, Slobodan Milosheviq, do të përfundonte në një fiasko infernale.

Gjukanoviçi manovroi në luftërat e Jugosllavisë me shkathtësi, edhe duke qenë i paskrupull,, në rast nevoje. E në të njëjtën kohë ai iu ofrua Perëndimit, i cili pas luftërave në Jugosllavi e e shihte atë si një garant të stabilitetit dhe paqes ndëretnike.

Që nga ajo kohë, diplomatët në Uashington, Bruksel dhe Berlin, vazhdimisht i kanë mbyllur sytë për një gjë: për faktin që Gjukanoviçi ishte një nga shpikësit e modelit të shtetit modern, të korruptuar-autokratik me një qasje formale demokratike. Gjukanoviçi e zbuloi këtë model shumë kohë më përpara se Viktor Orbani i Hungarisë, Jarosńaw Kaczyński i Polonisë, Bojko Borisovi i Bullgarisë dhe Aleksandar Vuçiqi i Serbisë.

Në vendin kandidat për në BE, i cili i ka nisur negociatat qysh në vitin 2012, familja e Gjukanoviçit dhe klika e politikanëve dhe biznemenëve aleatë të tij janë pasuruar sa të mundeshin në dëm të pronës publike. Financime të paligjshme të partive, manipulime të zgjedhjeve dhe abuzimet me postet janë në rend të ditës, për të mos folur më pas për aferat më të mëdha apo të vogla me korrupsion, kontrabandë dhe pastrime parash, ato janë të panumërta.

Dashamirësi symbyllas

Vizita e Gjukanoviçit në Berlin, të mërkurën, më 7 Tetor 2020, mund të interpretohet gjithashtu si një shprehje e dashamirësisë symbyllas. Presidenti i Malit të Zi do të bisedojë me anëtarët e Komisionit për Çështje të BE-së në Bundestagun Gjerman, si edhe do të pritet për një bisedë zyrtare edhe nga Presidenti Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Mali i Zi është një nga vendet me numrin më të lartë të infektimeve në Europë, e në një kohë kur jo vetëm takime të thjeshta, por edhe samitet bëhen me video.

Lexo po ashtu:  Kosova me popullsinë më të re në moshë në Europë, Shqipëria e katërta. Ja tabela

A është Gjukanoviçi pra, një mysafir i veçantë e i mirëseardhur në Gjermani? Pyetjet e detajuara të DW për këtë vizitë, zyra e presidencës federale i la pa përgjigje. Një zëdhënëse i tha DW, se presidenti gëzohet që “do të shkëmbejë me homologun malazez mendime për zhvillimet aktuale në Malin e Zi, për situatën politike në rajon dhe për negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Europian.”

Humbja e Gjukanoviçit

Një gjë mund të thuhet me siguri: Momenti për vizitën e Gjukanoviçit në Berlin dhe për takimin me presidentin federal nuk mund të ishte më i papërshtatshëm. Para pak kohësh, Mali i ZI, për herë të parë në historinë e tij, arriti t’i shkarkojë pushtetarët e vet në mënyrë demokratike. Në zgjedhjet parlamentare më 30 gusht, Partia Demokratike e Socialistëve, partia e Gjukanoviçit, që ishte në pushtet prej tri dekadash, humbi megjithë parregullsitë dhe manipulimet e shumta para dhe pas zgjedhjeve,

Tani fituesit e zgjedhjeve, tre aleanca opozitare, duan të krijojnë një koalicion së bashku për ta futur kështu Malin e Zi në rrugën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Koalicionet janë politikisht heterogjene, duke filluar nga marionetat e presidentit serb, Aleksandar Vučić dhe ithtarët e Putin-it, e deri te eko-liberalët europianë. Por, krerët e saj, ndër ta edhe kryeministri i ardhshëm, Zdravko Krivokapić, janë shprehur në mënyrë të besueshme për një orientim të ri pro-europian të Malit të Zi.

Lexo po ashtu:  Tulipanët “rrëmbejnë” mbi 1 mln turistë në Holandë – Parashikimi: Pritet të shpenzojnë rreth 300 mln euro

Reforma të vështira

Është thuajse e pagjasë që Mali i Zi të kthehet nga Serbia dhe Rusia dhe të heqë dorë nga njohja e Kosovës. E po aq pak gjasa ka edhe që të ketë ndonjë grindje ndëretnike. Edhe pse që tani ka disa vija ndarëse në koalicion, që kanë të bëjnë me disa reforma. Edhe pse vendi ka përpara një periudhë reformash relativisht të vështira, nuk ka asnjë dyshim se shumica e anëtarëve të qeverisë së re, janë të interesuar me të vërtetë në demokratizimin e mirëfilltë të vendit kandidat për BE.

Disa breza qytetarësh malazezë do të provojnë kështu për herë të parë ndërrimin demokratik të pushtetit. Dhe kjo nuk është pak. Presidenti Gjukanoviç e pranon jo me dëshirë vullnetin e zgjedhësve dhe dorëzimin e pushtetit. Tekefundit, atë dhe shumë të tjerë nga rrethi i tij, i presin ndoshta hetime penale, në mos burgime. Deri tani ishte e kundërta: ata aktivistë dhe gazetarë që zbulonin abuzimet, aferat dhe shkeljet ligjore në Mal të Zi e vinin veten në rrezik, rriheshin për spital, plagoseshin gati për vdekje, si gazetarja investiguese Olivera Lakić, ose burgoseshin për disa muaj me radhë, si gazetari Jovo Martinović, për gjyqin farsë të të cilit këtë të enjte, 8.10. do të vendosë Gjykata e Lartë në Podgoricë.

Ndaj edhe kryeministri i ardhshëm, Zdravko Krivokapić, e quan të papërshtatshme vizitën e Gjukanoviçit në Berlin. “Fituesit e legjitimuar demokratisht të zgjedhjeve në Mal të Zi e përshëndesin çdo përpjekje që forcon marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Berlinit”, i tha ai DW. “Por modernizimi dhe europianizimi i Malit të Zi nuk mund të vijë kurrsesi nga Milo Gjukanoviçi, një njeri që simbolizon sistemin e korruptuar dhe autokratik.”

Lexo po ashtu:  Dy shenjat më me fat të horoskopit për sot, 9 prill 2020

“Pakti i djallit me “stabilokratët”

Disa diplomatë dhe këshilltarë të politikës, me të cilët bisedoi DW në kushte anonimati, janë të indinjuar me këtë pritje që po i bën presidenti gjerman, Gjukanoviçit. Politikani i të gjelbërve, Manuel Sarrazin, zëdhënës i grupit parlamentar të partisë së tij për Ballkanin Perëndimor, i tha DW se është e rëndësishme që Steinmeieri “t’ia thotë shkoqur homologut të tij se ku qëndrojnë problemet dhe mangësitë në Mal të Zi, e sidomos në lidhje me korrupsionin dhe shtetin e së drejtës.”

Politologu i Evropës Juglindore, Florian Bieber, autor i një libri aktual për autoritarizmin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e quan vizitën e Gjukanoviçit në Berlin shenjë për paktin e djallit, të cilën BE-ja e ka bërë me shumë liderë stabilokratë e autoritarë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë mënyrë BE-ja humbet së fundmi edhe besueshmërinë që të angazhohet në rajon për demokraci dhe shtetin e së drejtës dhe zmbraps opozitat, thotë Bieber.

Ngjashëm e sheh edhe Dushan Reljic, ekspert i Europës Juglindore në Fondacionin “Shkenca dhe Politika” në Berlin. “Skandalet që lidhen me emrin e Gjukanoviçit që kur ai është në pushtet janë të panumërta, herë si nacionalist dhe luftënxitës, herë si miku më i mirë i një numri të madh oligarkësh rusë, e deri te përpjekjet aktuale si demokrat dhe aleat besnik i Perëndimit, thotë Reljić. “Për forcimin e shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor dhe afrimin me vlerat e BE-së në përgjithësi do të ishte mirë, nëse politikanët e tipit të tij do të dilnin nga skena njëherë e përgjithmonë. (Deutsche Welle)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *