(Refleksion pas një debati televiziv)

Shkruan: Agim Vinca

Mora pjesë në një emision në të cilin nuk e di a ia vlejti të merrje pjesë.

Temë e emisionit do të ishte Peticioni i një grupi intelektualësh drejtuar institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë: Kuvendit, Ministrisë së Arsimit, Agjencisë për Media dhe Informim, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Autoritetit të Mediave Audioviziuele (AMA).

Dy ditë me radhë nuk pushoi telefoni dhe, pas shumë insistimesh, pranova.

Ditën e parë, më 19 shkurt, kur po bëhesha gati të shkoja, zonja me të cilën kisha biseduar një ditë më parë më tha se emisioni shtyhej për shkaqe teknike (probleme me rrymën elektrike).

Të nesërmen përsëri telefoni. Një herë, dy, tri. Kur thirri herën e tretë isha duke pirë kafe me dy miq dhe kolegë, të cilët kur u tregova se përse ishte fjala, më thanë: “Shko, profesor!”.

Mësoj se tani paneli paskësh pësuar një ndryshim: në vend të analistit kosovar B., që jeton e vepron në Tiranë, do të ishte një koleg i tij më i ri nga Prishtina, Sh., i njohur me nofkën që fillon me shkronjën “X”.

Ky “X”-ja tha se nuk është kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por më së pari duhet të ulemi dhe të negociojmë për gjuhën! Kështu tha. Nuk e kisha dëgjuar deri më sot këtë mendim, në të vërtetë këtë marrëzi: të negociojnë Tirana dhe Prishtina për “çështjen e gjuhës”! Të gjuhës shqipe! Si, mbi çfarë baze? Me kuota, me përqindje? Kaq fjalë gege unë, kaq fjalë toske ti! Gjatë gjithë kohës përdor togfjalëshin “fjalë gege”! U përmbajt të thoshte “gjuhë gege” (ose e la të nënkuptohet), sepse ka të tjerë që e thonë edhe këtë. I them: ”Nuk ka fjalë gege, zotëri, ka fjalë shqipe. Ti thua ‘nanë’, gjirokastriti thotë ‘nënë’; është e njëjta fjalë. Ne themi Shqipni, toskët thonë Shqipëri, prapë e njëjta fjalë. Kongresi i Drejtshkrimit e ka unifikuar drejtshkrimin, prandaj edhe është quajtur ‘Kongres i Drejtshkrimit’ e jo ndryshe; është dashur të përcaktohemi për njërën trajtë, sepse nuk mund të vazhdonim pafundësisht në dy binarë. Është zgjedhur trajta ‘nënë’ dhe ‘Shqipëri’. Kaq. Ti po deshe shkruaje, po deshe jo, edhe pse ke obligim (moral e ligjor) ta respektosh marrëveshjen që është në fuqi: Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. (Në Kosovë ka individë, në mesin e të cilëve dhe disa të ashtuquajtur analistë, që më shumë e urrejnë Shqipërinë se Serbinë, por të tillët nuk mungojnë, fatkeqësisht, as në Tiranë kur është fjala për raportet: Kosovë-Serbi. Kush i nxit e kush i financon nuk e di, as nuk dua të spekuloj, sepse nuk e përjashtoj sindromën e Herostratit, që dogji tempullin e Artemidës për të hyrë në histori).

U përpoqa ta orientoja bisedën kah problemet me të cilat ballafaqohet shqipja sot në Kosovë, jo vetëm në medie, por edhe në jetën publike në përgjithësi, por më kot. Tregoj me shembuj se si gabohet numri, gjinia dhe rasa e emrave; se si shkelet sistemi foljor, kohët, mënyrat, diatezat; se si në të folurit e përditshëm në mjedisin ku jetoj pothuajse është zhdukur mënyra dëshirore (me qindra herë në ditë dëgjon të thuhet: “Kaloni mirë!”, në vend se “Kalofshi mirë!); se si nuk bëhen përpjekje të shquhen shkronjat “q” dhe ç”, aq sa në tabelat e rrugëve në Prishtinë shkruhet: Rruga “Eçrem Qabej!”; përmendi kalket e serbishtes që na i shurdhojnë veshët dhe na i qorrojnë sytë në çdo hap, përsëri kot. Dy njerëzve që kam përballë u duken qesharakë këta shembuj. Sipas tyre, s’ka rëndësi si e shkruajmë fjalën “banes(ë)”, me “ë” apo pa “ë” në fund, mjafton që të merremi vesh. 

Nuk respektohet alfabeti i gjuhës shqipe, nuk përdoren fare jo vetëm në komunikimin e përditshëm (virtual), por shumë herë as në shtyp e botime, shkronjat “ë” dhe “ç”, pra reduktohet alfabeti shqip nga 36 në 34 germa, me pretekstin se tani nuk shkruajmë me dorë e as me makinë shkrimi, por me kompjuter, edhe pse kompjuteri i ka të gjitha, edhe shkronjat cirilike e arabe, e edhe hieroglifet kineze.

Lexo po ashtu:  OPOZITA E BASHKUAR, PA KAUZË, ME NË QENDËR ALTERNATIVËN OSMANE – TREGUES I MJERIMIT POLITIK TË SHQIPTARËVE NË ISH IRJM

Shqipja po shpërfytyrohet nga fjalët e huaja që përdoren pa nevojë dhe veçanërisht nga konstruktet e huaja të tipit: “Shtëpia në shitje” në vend se “Shtëpia shitet”; “Unë do të jem i shkurtë”, në vend se “do të flas shkurt”; “kyçem në politikë” (uljučiti se u politici), në vend se përfshihem në politikë; deputetët e lëshuan mbledhjen ose sallën, në vend se e braktisën mbledhjen ose dolën nga salla, sepse lëshohet lopa e lidhur me litar ose qeni i lidhur me zinxhirë, por jo salla, e shumë kalke të tjera, përsëri kot.

Përmendi edhe problemin e emrave të huaj, që në mediet tona përdoren në trajtën e pashquar, pra pa iu nënshtruar sistemit gramatikor të gjuhës shqipe, shquarsisë dhe lakimit, si p. sh. “Biden i telefonon Putin” (në vend se: Bajdeni i telefonon Putinit) ose: “Rama u takua me Vuçiq” (në vend se me Vuçiqin), dukuri kjo që, ç’është e vërteta, në Prishtinë ka ardhur nga Tirana, por as kjo nuk u bën përshtypje dy panelistëve, që kishin ardhur me një qëllim: ta hidhnin poshtë Peticionin e intelektualëve dhe të tregonin se ata që e kishin nënshkruar atë janë, sipas tyre, po aq të paditur sa edhe ata që vihen në thumb të kritikës së Peticionit: “etimologët vulgarë dhe albanologët sharlatanë”.

Të huajt e mësojnë gjuhën shqipe, paguajnë njerëz që t’u mbajnë kurse, këta nuk duan ta mësojnë as pa pare. Bëjnë hajgare. (Të themi, à propos, se të tre pjesëmarrësit në debat paguhen për këtë punë, edhe moderatori, sigurisht, vetëm unë jam gratis).

E dinë se Peticioni ngre një problem real, por nuk duan ta pranojnë. E quajnë me ironi “shqetësim i baballarëve të kombit” dhe duan të dalin sa më parë në terren tjetër: te shkenca “zyrtare”, si e quajnë ata albanologjinë dhe te standardi, që po ashtu e quajnë “gjuhë zyrtare”, sepse atë e ka krijuar, sipas tyre, diktatura dhe Enver Hoxha!

E mohojnë tezën e origjinës ilire të shqiptarëve, të cilën “X”-i e quan “hipotezë”. Kritikon me të drejtë tekstet shkollore, që lënë shumë për të dëshiruar, por e karikaturizon problemin duke thënë se në tekstet tona thuheshka se ne shqiptarët e sotëm jemi njësoj si ilirët, njësoj flasim, njësoj hamë, njësoj vishemi… dhe u vemë, pa fije turpi, emra ilirë fëmijëve tanë!

Po mirë. A kanë jetuar ilirët në Ballkan? Kush i trashëgoi ata: serbët, grekët, bullgarët? Po shqiptarët nga erdhën? Nga mbinë? Ka të dhëna historike, gjuhësore, arkeologjike e kulturore, sado jo sa do të donim ne, që e konfirmojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve. Por, rioshi ngul këmbë: hipotezë!

Ta mohosh tezën e prejardhjes ilire do të thotë ta mohosh autoktoninë e shqiptarëve. Sipas kësaj logjike ne qenkemi ardhacakë!

Analisti xanxar nxehet dhe më drejtohet me një pyetje direkte: “Cilët albanologë e mbrojnë këtë tezë?”.

“Majeri, Jokli, Pederseni, i them emrat e albanologëve që m’u kujtuan në çast, sepse nuk kisha ardhur për të folur për këtë temë. (Kur u ktheva në shtëpi, e verifikova dhe më doli e saktë). Që të tre këta albanologë, Majeri dhe Jokli austriakë, kurse Pederseni danez, e mbështesin tezën e autoktonisë së shqiptarëve dhe të prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Shaban Demiraj shkruan: “Gustav Majeri mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja dhe e përcaktoi shkencërisht pozitën e saj si një gjuhë që zë vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane”.

Por Narcisit që kam përballë nuk ia mbush mendjen Shaban Demiraj, madje as Çabej, se për të tjerët as mos të flasim. Ia përmendi (atij dhe të tjerëve) edhe një vepër të proveniencës serbe: Enciklopedinë e përgjithshme të “Prosvetës”, të botuar në Beograd. E kam në shtëpi botimin e tretë të kësaj vepre, në tre vëllime, që ka dalë në vitin 1978. Në të, te zëri “Shqiptarët” (Albanci, vëll. I, f. 36), thuhet: “Albanci su indoevropski narod, potomci starih ilira”. (Shqiptarët janë popull indoevropian, pasardhës të ilirëve të vjetër”). Kështu thuhet, pikë për pikë, në një tekst enciklopedik të botuar në Beograd dhe të hartuar nga një ekip i gjerë studiuesish të të gjitha profileve: historianë, gjeografë, gjuhëtarë, etnografë, juristë, politologë etj. Po aty, kur flitet për gjuhën shqipe, thuhet se shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane, grupit satem dhe se është gjuhë më vete (stoji sam za sebe), si greqishtja: “disa shkencëtarë mendojnë se rrjedh nga iliro-trakishtja, të tjerët nga ilirishtja”. (Po aty, f. 37).

Lexo po ashtu:  “KËTU S’DO T’JEM…”, poezia e Dritëroit, një nga perlat e letërsisë shqipe

Punët ndryshuan pas vitit 1981, kur shtypi serb, media në përgjithësi, por edhe studiuesit e vënë në shërbim të regjimit (historianë, gjuhëtarë, demografë, shkrimtarë etj.) filluan fushatën kundër gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar, ashtu sikundër edhe kundër shkollës, Universitetit, programeve mësimore, emrave të institucioneve arsimore e të tjera dhe, madje, edhe kundër natalitetit (lindshmërisë) të lartë te shqiptarët, duke i quajtur gratë shqiptare “lavatriçe”, kurse foshnjat “bomba në pelena”. Në emër të kinse “luftës kundër nacionalizmit shqiptar” sulmohej çdo gjë shqiptare: me shpifje, akuza, gënjeshtra, të pavërteta e paragjykime.  

Për ta kontestuar autoktoninë e shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje, politika jugosllave, serbe në radhë të parë, dhe shkenca e publicistika e vënë në shërbim të saj, u mor posaçërisht me çështjen e origjinës së shqiptarëve, duke i reviduar pikëpamjet e mëparshme si ajo që cituam më lart.

Në këtë fushatë të egër, që lirisht mund të quhet kryqëzatë, Beogradi zyrtar dhe satelitët e tij, Shkupi në radhë të parë, kërkonin aleatë edhe në mesin e shqiptarëve dhe të tillët, si gjithmonë, nuk munguan as në vitet ’80 të shekullit të kaluar. (Njëri nga ata, ndër më kryesorët, ishte mohuesi i origjinës ilire të shqiptarëve, orientalisti Hasan Kaleshi, me punimet e të cilit Televizioni i Beogradit bënte emisione në vazhdime kundër “separatistëve shqiptarë” dhe shkencës shqiptare në Prishtinë e Tiranë të vënë, sipas tyre, në shërbim të idesë së “pushtimit të territorit” dhe të Kosovës “etnikisht të pastër”).     

Kjo fushatë, që zgjati plot një dekadë (vazhdon edhe sot), kishte si synim heqjen e autonomisë së Kosovës të fituar me Kushtetutën e vitit 1974, gjë që edhe ndodhi në vitin 1989.

Nuk e di ç’moshë kanë pasur analistët tanë në atë kohë, por ata mëtojnë ta njohin historinë e botës, prandaj nuk është keq t’u kthehen sado pak edhe ngjarjeve që kanë ndodhur në mjedisin tonë rreth tridhjetë vjet më parë.

Njëri nga këta të studios dhe sidomos një haver i tij jashtë saj (po përdori një fjalë të zhargonit të tyre), kishte bërë një postim në të cilin kishte renditur emrat e dhjetë nënshkruesve të parë të Peticionit, duke filluar nga akademik Rexhep Qosja, për të cilin, sikundër edhe për të tjerët, thoshte: “Analfabet në shkencë”, sado që fjalën “analfabet”, në njëjës, e shkruan me “ë” në fund! Postimi i tij bazohej mbi platformën Scopus. (Për lexuesit që mund të mos e dinë, Scopus-i merret kryesisht me shkencat natyrore, teknike, mjekësore, e jo me albanologjinë, kurse “matjet” e tij kanë filluar nga viti 2004, kur është themeluar. Mos vallë, sipas mendjengushtëve tanë, para kësaj date nuk paska pasur shkencë në botë!).

Analisti tjetër, ta quajmë “Ypsilon”, filozof me vokacion, thotë se Peticioni ka prapavijë politike! Ish-këshilltari shumëvjeçar i njërit nga funksionarët e lartë të Republikës së Kosovës dëshiron t’i japë debatit karakter politik. Sipas tij, Peticioni ka për qëllim ruajtjen e marrëdhënieve me Greqinë (me Athinën zyrtare), sepse “etimologët” që kritikohen në të i mëshojnë tezës se greqishtja shpjegohet me anë të shqipes, veçanërisht të gegnishtes. Përndryshe, shton, pse s’bëni ju peticion kundër teorive konspirative? Del njeriu në televizion dhe thotë se toka është e rrafshët, por ju heshtni, nuk reagoni!”. Nuk mund të mos ndërhyj dhe të mos i them: “Po, bëni ju, pse s’bëni, ti dhe shokët e tu! Dhe jo vetëm për formën e tokës, por edhe për origjinën e njeriut (sipas teorisë së Darvinit), që, nën ndikimin e dogmave fetare dhe të “teorive” pseudoshkencore, ka rrezik të relativizohen, në mos edhe të shuhen fare”.

Lexo po ashtu:  Pa letërsi, jeta është një ferr

Iksi dhe Ypsiloni shikohen “ndër veti”, ndërsa moderatori lexon mesazhin e një shkrimtari (dhe akademiku), i cili thotë: “Kërcënimi më i madh gjuhës shqipe i vjen nga braktisja e folësve të saj”. Gjithnjë e më shumë të rinjtë tanë, jo vetëm nëpër botë tek janë derdhur, por edhe në vend, flasin anglisht. Kjo duhet të jetë “braktisja”, por nuk është pa ndikim as akulturimi dhe mosdija; përditë e më shumë “analfabetë funksionalë”, që flasin e shkruajnë një shqipe të varfër e të çalë, të mësuar nga media dhe rrjetet sociale, sepse libra nuk lexojnë. Shtoji kësaj edhe moskujdesin institucional, atëherë perspektiva bëhet edhe më e zymtë.

Kërkohet ndryshimi i standardit të ’72-shit, krijimi i një standardi të ri apo edhe i dy gjuhëve standarde (si në Norvegji). I vetmi problem që e kemi zgjidhur në nivel kombëtar është gjuha letrare, por edhe këtë duam ta zhbëjmë! Po përse, vallë? Për hir të infinitivit dhe të fjalëve “gege” të papërfshira në Fjalor! Po a e pyesin veten ndonjëherë këta “ditunarë” se ku do të na çonte kjo aventurë dhe çfarë çmimi do të paguante kultura jonë kombëtare dhe çfarë dëmi do të pësonte kohezioni shpirtëror i shqiptarëve si komb në një rast të tillë?!

U përmend edhe Arshi Pipa dhe pikëpamja e tij se letërsia e Kosovës pësoi rënie pas adoptimit të gjuhës së njësuar, e cila, sipas Profesorit erudit, që ia pa sherrin fanatizmit të vet politik, “i varfëroi mundësitë shprehëse të shkrimtarëve kosovarë”. Është krejt e kundërta: letërsia shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi shënoi ngritje cilësore në të gjitha llojet e saj pikërisht në këtë periudhë, d. m. th. pas vitit 1968, kur u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe sidomos pas vitit 1972, kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë, ku delegacionin e Kosovës nuk e kryesonte Rexhep Qosja, siç u tha me sherr, por doajeni i studimeve gjuhësore ndër ne, profesor Idriz Ajeti.

Para se grupi i studiuesve nga Kosova të nisej për në Tiranë, thotë “X”, Fadil Hoxha u paskësh thënë: “Pranoni krejt çka t’ju thonë!”. Nuk e di sa është e vërtetë kjo, por nëse po, “shoku Fadil” paska vepruar drejt, ndryshe nga një shok tjetër, “shoku Sinan” (Hasani), i cili, në një intervistë dhënë gazetës “Borba”, pas “tërmetit” të ’81-shit, pati deklaruar: “Unë nuk mbaj përgjegjësi për atë që ka ndodhur në Prishtinë në ’68-n (aluzion te Konsulta Gjuhësore), sepse në atë kohë kam qenë ambasador në Danimarkë”. Nuk arrita ta përmendi këtë fakt, që e kam shfrytëzuar qysh në vitin 1992, në kumtesën time të paraqitur në Konferencën Shkencore që u mbajt në Tiranë në 20-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, por arrij t’u them sfiduesve të mi, t’i quaj kështu, madje me gjuhën e tyre: “Mos po doni me na kthy’ te “Rrushi ka nisë me u pjekë?!”.

Analisti në krah tim, profesori S. R., i cili mbajti qëndrim të drejtë për çështjet që u shtruan në diskutim, qeshi me zë, kurse Moderatori dha një sqarim duke thënë se fjala është për një roman të botuar në vitin 1957 dhe e mbylli emisionin.  

Por unë nuk mund ta mbylli këtë shkrim pa iu kthyer edhe një herë idesë spektakolare (të padëgjuar deri më sot) të “negociatave gjuhësore” ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, si parakusht për “bashkimin” e Kosovës me Shqipërinë! Mos vallë këto “negociata” duhet të zhvillohen me “ndërmjetësimin” e faktorit ndërkombëtar dhe me përkthyes, sepse “palët” flasin gjuhë “të ndryshme”: njëra në “gege”, si i thonë këta që edhe zemrën e bëjnë “zemën”, kurse tjetra në standard! (Fjala është për një shkarravinë në vargje të botuar në portalet tona, në të cilën autori, duke menduar se fjala “zemër”, në analogji me fjalët “emër” dhe “femër” është “toskëzuar”, shkruan: “O zemna ime përvlueme”).

Me të plasë zemra, për besë!