Kush është kërcënimi i vërtetë për demokracinë?

Nga Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/

Konferenca e Sigurisë në Mynih nxori në pah një narrativë të re politike të administratës Trump-Vance, një narrativë që, në vend të forcimit të aleancës transatlantike, u përqendrua në ndarjen e mëtejshme të Evropës dhe SHBA-së. Nënpresidenti amerikan J.D. Vance zgjodhi të identifikojë një “armik të brendshëm”, duke e gjetur atë tek elita evropiane që merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Sipas tij, kjo elitë është duke e minuar demokracinë dhe lirinë e shprehjes në Evropë sepse kjo po merr pjesë në një forum ekonomik në Davos!

Për të mbështetur pretendimet e tij, Vance solli disa shembuj selektivë: një aktivist anti-abort në Britani që u dënua për shkeljen e ligjeve vendase dhe një person që dogji Kuranin në Suedi. Sipas tij, këto raste tregojnë një rënie të lirisë së shprehjes në Europë. Mirëpo, argumenti i tij kulmoi me çështjen e emigracionit. Ai pretendoi se establishmenti evropian shpërfill opozitën ndaj emigracionit dhe, në këtë mënyrë, kërcënon demokracinë në kontinent.

Instrumentalizimi i “kërcënimeve të brendshme”

Ideja e një kërcënimi të brendshëm është e rrezikshme dhe është përdorur më parë për të etiketuar grupe të ndryshme politike, që nga komunistët e deri tek ata që kundërshtojnë politikën zyrtare. Per shembull ky kërcënim është përdorur, dhe po përdorët me të madhe, në Prishtinë dhe në Tiranë.

Në ditët e sotme, kjo kartë përdoret për të krijuar ndasi të brendshme që pengojnë debatet e shëndosha demokratike. Ironia e madhe qëndron në faktin se administrata Trump-Vance, e cila akuzon elitën evropiane për shtypjen e demokracisë dhe lirisë së fjalës, vetë nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në SHBA.

Lexo po ashtu:  Deutsche Welles mund t'i ndalohet aktiviteti në Rusi

Kërcënimi i vërtetë: Kontrolli i platformave digjitale

Ndërsa retorika politike përqendrohet në kërcënime të fabrikuara, një problem i vërtetë po kalon në heshtje; fuqia e pakontrolluar e platformave teknologjike. Oligarkët digjitalë (mundë themi edhe mediatik), të cilët ndajnë interesa të ngjashme me Vance dhe administratën e tij, po e mbajnë nën kontroll debatin publik përmes algoritmeve të errëta dhe një strukture që shmang rregullimin demokratik. Këta gjigantë teknologjikë nuk janë vetëm kompani private, por aktorë me ndikim të jashtëzakonshëm politik që mund të orientojnë diskursin publik sipas interesave të tyre.
Ja për shembull, shiko se sa e rëndë është gjendja mediatike në Prishtinë dhe në Tiranë; dhunë, agresivitet, ofendime, manipulime dhe orientim drejt politikave gjeopolitike serbe.

Kosova, Shqipëria dhe sfidat e unitetit politik, ushtarak dhe kulturor

Në këtë peizazh të turbullt global, shqiptarët nuk mund të mbeten thjesht spektatorë. Kosova dhe Shqipëria ndodhen në një udhëkryq politik, ekonomik dhe kulturor, ku ndasitë e brendshme janë një kërcënim real për progresin kombëtar/shtetërorë. Sot, më shumë se kurrë, na duhet një unitet politik, ekonomik, ushtarak dhe kulturor mes Prishtinës dhe Tiranës, jo vetëm për të forcuar pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, por edhe për të ndërtuar një qëndrueshmëri demokratike të brendshme.

Lexo po ashtu:  Musk dhe Grenell: Do mbyllen 'Zëri i Amerikës' dhe 'Radio Evropa e Lirë'

Bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shkojë përtej fjalëve simbolike, pertej interesave partiake e personale. Duhet të kemi strategji të qarta për rregullimin e hapësirës digjitale, mbrojtjen e lirisë së shprehjes, si dhe përforcimin e demokracisë përmes institucioneve të forta dhe mediave të pavarura. Nëse vendet e mëdha si SHBA-ja dhe shtetet e BE-së po ballafaqohen me kërcënimet nga oligarkët teknologjikë, vendet e vogla sikurse që jemi ne, Kosova dhe Shqipëria, janë edhe më të ndjeshme ndaj manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve politike nga faktorë të jashtëm.

Pyetje për reflektim

Mekuli Press thërret lexuesit dhe politikanët për një debat të hapur:

  • A është elita evropiane me të vërtetë një rrezik për demokracinë apo kjo është një narrativë për të justifikuar politika populiste?
  • A po e minojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes oligarkët teknologjik duke kontrolluar debatin tonë publik përmes algoritmeve të tyre?
  • Si mund të mbrohemi nga rreziqet e manipulimit digjital dhe të sigurojmë që hapësira jonë publike të mbetet e hapur për interesat tona kombëtare dhe demokratike?
Lexo po ashtu:  EKSKLUZIVE(2): Ku janë Devollët?! Edhe pronësia e “Art Motion” është e regjistruar në Maqedoni me dokumente “Peç Serbia” si investim i huaj nga Serbia…!

Në vend që të ndjekim retorikën e rreme të një “armiku të brendshëm” (për shembull: Albini spiun i Serbisë, Albin Serbia, Albin Putini), ne duhet të përqendrohemi tek Beogradi dhe Moska si dhe në ndërtimin e një demokracie të fortë dhe transparente në mbarë hapësirën shqiptare.

Rruga e vetme përpara është uniteti, llogaridhënia dhe një qëndrim kritik ndaj aktorëve politik destruktiv dhe fuqive që e kërcënojnë lirinë dhe Pavarësinë tonë të vërtetë.