Gazeta “Panorama” përcjell në faqen online një intervistë të Bensik Mustafajit, ish-ministër i Jashtëm në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike dhe aktualisht një lloj këshilltari për imazhin i kryetarit të saj, Lulzim Basha.

Intervista ka interes sepse aty konstatohet gjykimi kritik “mbi popullin” dhe sugjerohet sei duhet analizuar opozita.

Shoqëria shqiptare nëse nuk i përgjigjet masivisht thirrjes për protesta(të thirrura formalisht nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit) tregon se është e kënaqur me këtë qeveri, ose është e papjekur. Në protesta shkohet për të shprehur pakënaqësi. Jelekverdhët nuk shkuan për të sjellë në protestë opozitën, por për të shprehur një pakënaqësi. Në këtë kuptim, unë shpresoj që kjo shoqëri, që është kthyer në shoqëri qaramane, duhet ta shfrytëzojë këtë çast për të treguar që nuk është qaramane, shprehet Mustafaj.

Ky përkufizim është shumë i thjeshtuar sepse injoron faktin se një protestë është edhe sinergji aktorësh të ndryshëm, përveçse pakënaqësi. Dhe në atë protestë ku figuron partia e tij, nuk mund të shkojnë shumë qytetarë që e dinë fare mirë se çfarë përfaqëson ajo. Ndaj shoqëria mund të jetë qaramane, por një pjesë e madhe lotësh është për opozitën që i ka zënë rrugën të ardhmes së këtij vendi.

Lexo po ashtu:  Bill Gates nxjerr një plan që mund të ndihmojë ShBA-në në këtë pandemi

Lexoni se çfarë thotë më poshtë ky zotëri:

Përqendrimi i analizës te fuqia e opozitës nuk është qasja e drejtë. Opozitën duhet ta gjykojmë në programin që sjell, por nuk mund ta fajësojmë që është e dobët.

Përqendrimi i analizës te fuqia e opozitës nuk ka qenë a priori, por i kushtëzuar nga sjellja e saj dhe paqëndrueshmëria në kauza. Ne patjetër që duhet të shohim forcën e opozitës jo ekskluzivisht tek aftësitë e saj mobilizuese, por te vendosmëria për t’iu përmbajtur premtimeve dhe serioziteti i tyre. Këto kanë munguar dhe shumë madje, aq sa e ndëshkuan rëndë opozitën. Sot ne kemi një grupim partish që nuk kanë lëvizur asnjë milimetër nga profili i tyre i djeshëm në qeveri dhe që janë peng i të njëjtave metoda politike.

Ndaj përpara se të shohim programin na duhet të kemi besimi tek ata që marrin rol publik. Zoti Mustafaj e di shumë mirë se programet elektorale janë bërë si puna e algoritmeve: ato porositen në studio të njohura jashtë dhe i paraqiten mandej elektoratit në mënyrë shabllone nën garanci të tipit: Made in Germany.

Lexo po ashtu:  Vuçiq thotë se ideja për “Liqenin Trump” ishte e serbëve të Kosovës: Ata e duan Trumpin

Program shumë ambicioz kishte edhe z.Rama, por ja që gënjeu mbarë e prapë. Projekt antimafia ka edhe shefi i z. Mustafaj, Lulzim Basha, madje edhe kundër oligarkëve, por i ziu ai nuk ja mban të zërë në gojë emrin e Shefqet Kstratit për çështjen e një karburanti. Ndaj nuk është këshillë e mirë që t’i thuash popullit zgjidh për programin, pavarësisht se kush e tund këmborën e tij. Ndoshta z. Mustafaj ecën me këtë parim dhe i duhet uruar suksese!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *