Ndonëse Albin Kurti gjendet në një nga momentet më delikate të jetës së tij politike, ai nuk mund të ngushëllohet vetëm me pasjen përballë të një opozite fraxhile, pa guxim e nevojshëm për ti’u kundërvënë dhe pa boshtin ideologjik për të shpalosur një alternativë.

Ajo që u pa në seancën e sotme parlamentare, kur kryeministri duhej të spjegohej për pranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj, të miratuar në Ohër, ishte e mjerueshme. Përtej ndonjë sharjeje seksuale me nënë, përtej etiketimeve nga kreu i PDK-së si “hajgarexhi”, apo batutës së shefit të LDK-së me qëndrimin përpara pasqyrës, dy partive më të mëdha të opozitës i mungoi boshti i kritikës: a duhej pranuar apo jo, marëveshja e mbështetur nga BE dhe SHBA?

E gjithë beteja ndaj Kurtit po zhvillohet në dy rafshe. I pari është ai i matjes së koherencës së kryeministrit aktual me qëndrimet e tij të shkuara. Këtu gjithkush mund të ketë të drejtë. Duke i ripërmendur slloganet “jo negociata, vetëvendosje”, duke i kujtuar gazin lotësjellës dhe gjakun e derdhur për të kundërshtuar asocacionin, duke e ironizuar se do të bënte vetëm marëveshje me njohjen në qendër, të gjithë kritikët dhe rivalët e tij politikë janë në tokë të begatë. Albin Kurti i së shkuarës e ka mbjellë farën mbi të cilën mund të lulëzojnë opozitarët e vet të tanishëm. Qenija në pushtet, detyrimi për të njohur paktet e paraardhësve, vështirësia për të ruajtur epizmin idealist të peruidhës prej aktivisti i’a kanë krisur pak e nga pak aureolën e tribunit heroik, për ta përafruar gjithnjë e më tepër me portretin e një shtetari prozaik. Prandaj, ta ballafaqosh atë me hijen e vet të dikurshme është një detyrim që kundërshtarët e tij po e kryejnë më së miri.

Lexo po ashtu:  Shqipëria, anëtare e korruptuar moralisht e NATO-s

Por dy partitë kryesore të opozitës çalojnë në rafshin e dytë, atë të paraqitjes së një alternative. Për shkak se mungesa e bindjeve të thella nuk i lejon të jenë radikalë, për shkak se pamundësia për t’u shkëputur nga trashëgimia e shkuar i dënon të jenë neutralë, për shkak se servilizmi ndaj ndërkombëtarëve vazhdon ti mbajë të tredhur, ata kritikojnë veprimet e qeverisë, por pa thënë dot se si duhet të veprojë.

Kritikat kryesore që shpalosën në Kuvendin e Kosovës edhe PDK edhe LDK ishin se Albin Kurti me marëveshjen që ka pranuar po i jep sebëve lokalë autonomi dhe të drejtën për vetëqeverisje. Ndonëse asnjëri nga këto koncepte nuk shkruhet i zi mbi të bardhë në dokument, ndonëse vetë Kurti i hodhi poshtë për të disatën herë ato, le të imagjinojmë për një çast sikur dy partitë opozitare të kenë të drejtë.

Pyetja që ngrihet është se si do duhej të silleshin ato përballë një skenari të tillë?

Në hipotezën e një kërcënimi kaq ogurzi për integritetin dhe sovranitetin e republikës së Kosovës, gjëja e më e parëndësishme është inkoherenca e Albin Kurtit. Nëse opozita i friksohet vërtet kësaj gjëme, ajo duhet të hidhej në veprim. Por askush nuk u dëgjua të thotë: “Një marëveshje e tillë mund të kalojë vetëm mbi trupat tanë”. Asnjeri nuk bëri thirrje për protesta popullore. Kërkush nuk foli për bllokim institucionesh, për të provokuar një krizë, që do ta pamundësonte një marëveshje të keqe.

Lexo po ashtu:  Pse keqkuptohet përherë për politikën e jashtme ky mjeshtër i fjalës?

Pra, drama e opozitës kundër Kurtit është se ajo e akuzon kryeministrin për zezona të cilave nuk u del dot vetë për zot. Ajo e tregon me gisht marëveshjen, pa qënë e zonja të thotë me zë të lartë se e kundërshton atë. Ajo bërtet për mëkat e tradhëti, pa treguar mjetin se si pengohen ato.

Natyrisht, i parë nga Tirana, ku sporti më popullor është denigrimi i opozitave, që personalisht e kam denoncuar me qindra herë, ky këndvështrim mund të ngjajë tejet kontradiktor. Prandaj dua të theksoj se qëllimi i tij nuk është aspak të fajsojë Lumir Abdixhikun apo Memli Krasniqin, por të konstatojë një boshllëk që i mungon sot skenës politike. Pasi e shkuara e Kosovës na ka dëshmuar një shembull interesant. Në kohën që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, nënshkruan marëveshje të pafavorshme me Serbinë, si ato për themelimin e Asocacionit të komunave më shumicë serbe, ishte lëvizja Vetëvendosje që, pothuasje për një dekadë, e bëri të pamundur zbatimin e tyre. Parimësia, guximi dhe radikalizmi i saj e shpëtuan vendin nga Zajednica.

Lexo po ashtu:  Vizita e Escobar/ Pse Bashës nuk i mjaftojnë përkëdheljet e amerikanëve në prag të 11 Dhjetorit

Ky është një rast tipik, ku minoranca e vendosur e një vendi mund të ketë më shumë kredo morale, peshë dhe forcë sesa shumica e tij qeverisëse. Një luks i tillë i mungon sot Kosovës. Natyrisht e vërteta e rezikut që i kanoset asaj, nuk është, as aq e papërfillshme sa e paraqet kryeministri, as aq e gogoltë se e bëjnë PDK dhe LDK. Por, gjithësesi kanosja e një asocacioni të tillë, që mund të pengojë funksionimin shtetit, mbetet e hapur mbi tryezë. Dhe si mbrojtje prej saj garancia unike nuk mund të jetë dot Albin Kurti. I vetëm, ai është i pamjaftueshëm për ta shpëtuar Kosovën nga një bosnjëzim i mundshëm. Prandaj, ai, nuk ka pse i gëzohet fitores së vakët verbale që korri në parlament, ndaj një opozite pa busull. Albini personalisht dhe gjithë të tjerët, sot, duhet të kishin qenë më të lumtur nëse, sallën e kuvendit, do e mbizotëronte një opozitë radikale, që nuk kundërshtonte personin, por vetë marrëveshjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *