Përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe oficerët e FSK-së kanë nënshkruar pranim-dorëzimin e poligonit të qitjes me armë të shkurtëra.

Kjo është bërë me dije nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Dje, nga përfaqësuesit ushtarak nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë dhe oficerët e FSK-së u nënshkrua pranim-dorëzimi i poligonit të qitjes me armë të shkurtëra i ndërtuar në Zonën Kryesore të Trajnimit të FSK-së në Babaj të Bokës, Gjakovë.

Ndërtimi i këtij poligoni, që është një ndër më modernët në Evropën Jug-Lindore, i pajisur me teknologji të avancuar dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë, na vjen në formën e donacionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim ndërtimin e kapaciteteve të stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përveç këtij poligoni, ndërtimi i të cilit u mbështet nga partneri ynë strategjik, SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani ka ndarë miliona euro për shpronësimin e pronave si dhe ndërtimin e infrastrukturës trajnuese dhe logjistike në Zonën Kryesore të Trajnimit në Gjakovë” – ka shkruar ai.

Lexo po ashtu:  Pas 25 vjetësh plaçkitjeje, Kadastra nis regjistrimin e koçofoleve në Bregdet