Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1956 dhe 1957. Përmes disa shkrimeve, tregohen sulmet mes qeverisë shqiptare dhe asaj jugosllave.

29 nëntor 1956

Jugosllavia sulmon regjimin e “terrorit” në Shqipëri

Jugosllavia raportonte sot për një valë të re terrori nga Shqipëria me vrasje dhe arrestime masive. Diplomatët e kthyer prej andej së fundmi raportojnë se dy javë më parë rreth njëzet njerëz të rreckosur, nisën një demonstratë duke kërkuar dru për zjarr për familjet e tyre, por ata u ndaluan nga autoritetet dhe pesë prej tyre u pushkatuan.

Fakti që shqiptarët guxuan të demonstronin konsiderohet i jashtëzakonshëm, por ata mund të jenë inkurajuar nga lajmet për revoltën në Hungari e Poloni ku manifestime të tilla nuk ishin dënuar. Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Edhe kur udhëheqësit e BRSS bënë paqe me presidentin jugosllav Tito vitin e kaluar, Shqipëria i ndoqi në politikë por me pendesë. Përmirësimi i ngadaltë i lidhjeve mes Beogradit e Tiranës nuk ka arritur avancime të mëdha.

Edhe sot armëpushimi mes tyre i ka dhënë rrugë një debati ideologjik. Hoxha ka qenë udhëheqësi i parë komunist që sulmoi jugosllavët për konceptin e rrugëve të ndara drejt socializmit, në një artikull të gazetës sovjetike Pravda. Kjo u ndoq nga dënesa e Mautice Thores, kreu i Partisë Komuniste të Francës, nga Rude Pravo i partisë çekosllovake dhe nga vetë Pravda. Jugosllavët nuk hezituan të dënojnë Hoxhën me fjalët më të ashpra.

Këtë mëngjes Borba raportonte se Tirana ka nisur arrestime masive të personave që dyshohen se shprehin simpati pro-jugosllave. Borba shton se në të gjithë vendin po mbahen konferenca partie ku sulmohet dhe demonizohet Jugosllavia. Duke iu përgjigjur kritikave ndaj fjalimit të Titos në 11 nëntor mbi ndërhyrjen sovjetike në Hungari, gazeta e Beogradit tha se Tirana ishte rikthyer në gjuhën e sharjeve dhe të urrejtjes së të kaluarës.

“I gjithë artikulli vijon të tregojë se udhëheqja shqiptare nuk devijon nga rruga që ka ndjekur prej vitesh. Ajo e ka shtruar mirë këtë rrugë me skuadra pushkatimi dhe shpifje e intriga ndaj të gjithë atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Është një çështje tjetër të mendosh se sa socialiste është kjo rrugë në të vërtetë”, shkruan Borba.

19 shkurt 1957

Hoxha akuzon Titon për komplot

Të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit Tito u bënë dje nga kryeministri shqiptar Enver Hoxha gjatë një fjalimi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Hoxha akuzoi Jugosllavinë se kishte inkurajuar zv. kryeministrin shqiptar Tuk Jakova dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të komplotonin kundër tij. Fjalimi i Hoxhës u transmetuar nga Radio Tirana dhe u monitorua nga afër.

Lexo po ashtu:  Gjermania afër Kosovës: Kancelarja Merkel sot takim me kryeministrin Kurti

Kreu i partisë shqiptare akuzoi më tej Titon se po dobësonte dhe ngatërronte kauzën e komunizmit duke sharë Bashkimin Sovjetik dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Hungarisë dhe të Shqipërisë, me qëllim përmbysjen e qeverive atje. “Pretendimet e liderëve jugosllavë dhe interpretimi i tyre për ngjarjet në Hungari si një revolucion popullor, është një gabim i rëndë. Akuzat e tyre janë jo vetëm të pabaza, por tentojnë të ngatërrojnë më shumë situatën me qëllim të mbulojnë luftën e klasave dhe të mbjellin konfuzion mes radhëve të partive komuniste.

Goditet politika jugosllave

Hoxha tha se politikat jugosllave kërkojnë ta përfaqësojnë veten si të parët që kanë vendosur një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e tyre, nëse nuk duan të pësojnë atë që i ndodhi Hungarisë. “I gjithë populli shqiptar e refuzon këtë këshillë pasi ajo që na kërkojnë në të vërtetë është të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, siç ka bërë Jugosllavia”, tha Hoxha.

“Komiteti Qendror i Partisë Shqiptare ka qenë korrekt në sulmet e tij kundër revizionistëve fashistë dhe elementëve tradhtarë që janë përpjekur haptazi ose fshehurazi të përgatisin kushtet për rivendosjen e kapitalizmit dhe zgjedhës imperialiste në Shqipëri. Armiq të partisë sonë si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu (ministri i Arsimit) e të tjerë, kanë marrë pjesë në konferenca në Tiranë të organizuara nga Jugosllavia”, tha Hoxha më tej, pa zbuluar fatin se çka ndodhur me dy zyrtarët e rrëzuar.

Pasi mbrojti Stalinin si një marksist i madh që gabimisht mendoi se po mbronte revolucionin me gabimet e tij, Hoxha shtoi se udhëheqësit jugosllavë sulmonin Stalinin për kultin e individit por e bënin këtë në vendin e tyre.

24 shkurt 1957

Beogradi i kundërpërgjigjet akuzave të Hoxhës

Jugosllavia ka refuzuar sot goditjet verbale të kreut komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. Denoncimi i kryeministrit shqiptar është në “kundërshtim flagrant” me kontributet për paqen në Ballkan, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të qeverisë së Titos.

Jugosllavia nuk mund të pranojë sulme të tilla sidomos pas deklaratave të fundit nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria mbi rëndësinë e solidaritetit socialist, shtoi ai. Ankesa kryesore e Hoxhës në Radio Tirana ishte se Beogradi është fajtor për ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Hungarisë e Shqipërisë dhe se kishte refuzuar ofertat paqësore të Bashkimit Sovjetik.

Lexo po ashtu:  Rrahim Ademi tërbohet nga filmi “Gjenerali” për luftën kroate e fshijnë nga historia

27 shkurt 1957

Jugosllavia pranon konfliktin me BRSS

Qeveria jugosllave ka akuzuar sot Bashkimin Sovjetik se po kryen një fushatë të organizuar për izolimin dhe diskreditimin e vendit. Beogradi pranoi hapur se ka një konflikt të ri me Moskën e cila sipas tyre kishte anuluar kreditë e ndihmës prej rreth 250 milionë dollarë. Zëdhënësi tha se Jugosllavia nuk mbante përgjegjësi për prishjen e marrëdhënieve qeveritare dhe ekonomike.

Zëdhënësja e qeverisë tha se fushata sovjetike me vendet lindore kundër Jugosllavisë nuk vinte nga ndryshime ideologjike por ngaqë Beogradi nuk i bashkohet ‘kampit socialist’ të udhëhequr nga BRSS dhe për të pranuar komandën e tij. Një deklaratë e ngjashme u dha më vonë dhe nga ministri i jashtëm Koca Popoviç në Parlament. Me një ton të moderuar ai e përshkruante Jugosllavinë si një komb të futur në mes të dy konkurruesve që nuk e kuptonin atë.

Deklarata ngrinte lart ‘ndihmën e çmuar’ të SHBA dhe shprehte shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Popoviç i kushtoi shumicën e fjalimit të tij konfliktit me Moskën dhe foli fjalë të rënda për Kremlinin dhe aleatin e tij të vogël Shqipërinë. Reagimet e para ndaj fjalimit të Popoviç thoshin se me këtë presidenti Tito kishte hequr dorë nga pretendimet se dallimet e tij me Bashkimin Sovjetik janë vetëm ideologjike.

Raporti konsiderohej si një paralajmërim se era që fryn nga Lindja do të sjellë një ‘kafshim’ të veçantë në muajt në vijim. Popoviç tha se nuk mund të gjendet asgjë në ngjarjet e vitit të fundit që të justifikojë këtë dënim të Jugosllavisë nga Blloku Socialist Sovjetik e madje përmendi fjalët e javës së kaluar të Nikita Krushov, i cili tha se çdo vend është i lirë të ndjekë rrugën e tij në kërkim të zhvillimit.

24 mars 1957

Hoxha i Jugosllavisë refuzon akuzat e keqtrajtimit të shqiptarëve

Fadil Hoxha, kreu i Këshillit të Kosovës, rajonit autonom shqiptar të Jugosllavisë, ka refuzuar sot pretendimet e kreut komunist të Tiranës Enver Hoxha për keqtrajtim të minoritetit shqiptar. Në një miting në Prishtinë, Fadil Hoxha akuzoi dje Enver Hoxhën se po përpiqej të nxiste urrejtje shoviniste mes popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë dhe se qëllimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë. Konflikti kryesor mes dy Hoxhave është pozita politike e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 750 000 njerëzish në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është rreth 1 200 000.

Lexo po ashtu:  Modernisti i përjetshëm, Albert Kamy

Rritja e shpejtë e popullsisë

Por shqiptarët nuk janë vetëm minoriteti më i madh në Jugosllavi por dhe ai më primitiv dhe me rritjen më të shpejtë. Që prej censusit të parë jugosllav në 1921 kur shqiptarët numëronin 440 000, ata janë rritur me 71 përqind, në një kohë kur popullsia jugosllave është rritur vetëm me 36 përqind.

Por, Enver Hoxha tha në fjalimin e tij se “udhëheqësit jugosllavë kanë nisur një fushatë shoviniste e anti-marksiste ndaj popullit të Kosovës, një rajon në të cilin situata është e mjerë. Liderët jugosllavë po ndjekin politika të shkatërrimit të karakterit kombëtar teksa dhjetëra mijëra prej tyre janë detyruar të japin tokën dhe shtëpitë e tyre duke emigruar në Turqi. Udhëheqësit jugosllavë po përpiqen ta transformojnë vendin në një bazë veprimi kundër Shqipërisë”, tha Hoxha.

Refuzimi i akuzave

Shtypi jugosllav nuk e ka publikuar fjalimin e Hoxhës por më 28 shkurt ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare duke u ankuar për “provokime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë”. Fadil Hoxha citonte në përgjigjen e tij se shqiptarët në Kosovë kishin të drejta të njëjta me qytetarë të tjerë të Jugosllavisë dhe se ndërhyrjet nga jashtë nuk do të arrinin kurrë të përçanin ata me serbët, malazezët apo turqit që janë të gjithë fqinjë në Kosovë e Jugosllavi.

Ai shton se shqiptarët atje kanë shkollat e tyre, shtypin dhe teatrin ku përdoret gjuha shqipe. Fadil Hoxha shton se minoriteti shqiptar përfiton nga zhvillimi ekonomik i rajonit, ndërsa Shqipëria nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë të drejta minoriteteve të saj malazeze e maqedonase.

Këto grupe sipas tij, nuk kanë shkolla në gjuhën e tyre apo mundësi të tjera mësimi. Ndërsa për akuzat e Hoxhës së Shqipërisë se shqiptarët po detyroheshin të emigronin në vende të tjera, Fadili tha se ishte një gënjeshtër e madhe.

Ai argumentonte se prej fundit të Luftës vetëm 291 shqiptarë kanë ndryshuar qytetarinë nga rreth 500 000. Zyrtarët e qeverisë jugosllave janë të shqetësuar nga përpjekjet shqiptare për të nxitur minoritetin e saj të Kosovës, dhe e konsiderojnë këtë një nga lëvizjet më kërcënuese të Hoxhës./sotnews /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *