Studiuesi amerikan Edward P. Joseph, një nga njohësit më të mirë të Ballkanit ka komentuar në rrjetet sociale vizitën që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të bëjë në Tiranë përpara se të marrë pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih.

Në këtë vizitë të rrallë në këtë rajon, Blinken, sipas studiuesit amerikan, nuk duhet të humbasë mundësinë për të rivendosur linjën udhëzuese që duhet ndjekur sipas Presidentit Biden, mes demokracisë dhe autokracisë, në një rajon ku kjo është edhe më e rëndësishme. Sipas tij, në Ballkan Blinken duhet t’u mëshojë fort vlerave perëndimore, duke mos “ngrënë asnjë fjalë”, citon lapsi.al.

“Po, Shqipëria është një aleate e fortë. Por tendencat autokratike po dobësojnë rajonin, duke krijuar mundësi për Rusinë. Teksa falënderon Shqipërinë për mbështetjen për Ukrainën, Blinken duhet t’i kujtojë mikpritësit të tij, Rama, fqinjit të tij Vuçiç dhe të tjerëve në Ballkan se: “Demokracia është themeli i sigurisë dhe një qeveri e përgjegjshme, e bazuar në shtetin e së drejtës, zgjedhje të lira, të drejta të konkurrencës, media të hapura, respekt për opozitën dhe shoqërinë civile, të drejta të plota për pakicat janë themeli i demokracisë” – shkruan Jospeh në rrjetet sociale.

Lexo po ashtu:  Kosnett: Shuarja e Taskë Forcës antikorrupsion, vendim i gabuar

Ai më pas thotë se në këtë rajon SHBA nuk duhet të bëjë kompromise me vlerat demokratike.

“Nuk ka nevojë për kompromis me vlerat amerikane në Ballkan. Krejt përkundrazi. Lutja ndaj autokratëve ka sjellë paqëndrueshmëri dhe mundësi për Moskën dhe Pekinin në Ballkan. Kjo vizitë e rrallë është mundësia për të dërguar një sinjal sqarues për kryeqytetet – dhe ambasadat amerikane – në të gjithë rajonin” – shkruan Joseph.