Pavarësisht nga suksesi i ruajtjes së godinës në protestën e 8 janarit, Lulzim Basha e di se e ka rrënuar imazhin e tij në publik për mënyrën si u soll ndaj kundërshtarëve të tij demokratë. Por sërish, si atëhere kur përbetohej se nuk ka vendosur dyer të blinduara në seli, ai ka zgjedhur rrugën më të thjeshtë për t’u përballur me këtë situatë, atë të gënjeshtrave fëminore. Lapsi.al i ka analizuar një për një, alibitë kryesore që ai ka prodhuar që prej së shtunës…

Gënjeshtra e parë: Dhunën nuk e shkaktuam ne

Pasi gjithçka përfundoi dhe trupat speciale shpëtuan deputetët e PD duke rrethuar selinë, bilanci qe domethënës. Nga përkrahësit e foltores kishte shumë të plagosur ndërsa nga ata që gjendeshin brenda selisë nuk u pa asnjë i lënduar. Ky qe treguesi më i qartë për të kuptuar se mbi kë palë duhej të rëndonin akuzat për dhunë.

Por kësaj situate, Basha është përpjekur t’i përgjigjet me një propagandë të shfrenuar. Ndërsa publiku pa kush godiste me shkopa bejsbolli, se kush qëllonet me gaz, se kush u asfiksua dhe u gjakos, përkrahësit e Bashës për të mbuluar faktet filluan të luajnë me emocionet. Tema e tyre e parë ishin fëmijët dhe familjet që vuanin për të afërmit e tyre që mund të linin kockat brenda godinës. Kështu, sapo filluan trazirat, në media u shfaq vajza e deputetit Kasem Mahmutaj, që vuri alarmin se i ati së bashku me të tjerë janë bllokuar në një prej kateve të godinës së PD. “Janë shumë keq, pasi janë helmuar nga gazi lotsjellës”, tha ajo.

Të njëjtin histori refren edhe Agron Gjekmarkaj një ditë më pas. “Ime bije gati 10 vjeç lebetitej nga skenat e frikshme që shihte në Tv dhe me kërkonte që të kthehesha në shtëpi. Nuk e kuptonte ajo që nuk dilja dot se isha i rrethuar nga një grup që udhëhiqej nga Sali Berisha, të cilin për vite të tëra e kisha mbrojtur në debate televizive dhe e kishim votuar për 31 vjet”, shkroi ai.

Lexo po ashtu:  Mediat e Kosovës: Sulmohet një ekip i KFOR në veri

Kjo fabul e ngjashme u thurr edhe nga Alfrida Marku, sekretarja e PD në Lezhë që tregoi në një intervistë për Panorama se si kishte përjetuar orët e tmerrit duke qenë shtatzanë, me fëmijë në bark.

Edhe deputetja pak e njohur e Fierit, Eralda Taso, do t’i mëshonte faktit se ajo frikësohej si nënë. “Do të gënjeja qytetarët nëse do të thosha se nuk kishte aspak frikë. Shumë prej nesh aty brenda ishin dhe janë prindër. Ndoshta nuk mund të shprehem për të gjithë ata që ishin aty, por di të them se kur kanë nisur aksionet e para të dhunës, isha e frikësuar, por jo për veten”, ka treguar ajo për të njëjtën gazetë të vënë në shërbim të kësaj propagande.

Por, në fund kur bëhet bilanci faktik, rezulton se ata që përfunduan në spital ishin të palës tjetër. Ata u goditën dhe u gjakosën. Prandaj as loja me emocionet dhe as turi me gazetarë që bëri Basha në seli, ku nuk u pa asnjë kompjuter i thyer, nuk e ndryshojnë dot këtë realitet. Mbështetësit e foltores vërtet përdorën forcë, vare dhe shkallë. Por ata prekën dyert, xhamat dhe aspak njerëzit. Prandaj dhuna e vërtetë u përdor ndaj atyre që Basha sot po tenton t’i përshkruajë si dhunues.

Lexo po ashtu:  Mbretëria e Bashkuar paralajmëron Poloninë, ja pse

Gënjeshtra e dytë: Gazin lotësjellës nuk e hodhëm ne

Basha ka pretenduar se nuk u hodhi gaz lotësjellës, por se u përdorën bombola që shërbejnë për fikjen e zjarrit. Sado qesharake të duket kjo alibi, sepse të gjithë e pamë që sasia e tymit që u krijua ishte shumë e madhe, le ta marrim për një moment si të vërtetë. Me të drejtë Kastriot Islami ish deputet, ngrinte këto pyetje: “edhe nëse pranohet gënjeshtra për spraj zjarrfikëse, ngrihet pyetja nëse personat që e kanë hedhur kanë qenë të trajnuar apo të autorizuar ta përdorin atë; a janë ndaluar personat që hidhnin gazin e rrezikshëm dhe a janë sekuestruar pajisjet që ata mbanin në duar (të evidentuar qartas në media) për hedhjen e gazit; cila është baza ligjore, për t’u hedhur ‘gazi i rrezikshëm’ mbi protestuesit nga persona të paautorizuar qoftë edhe në rrethanat e mbrojtjes ekstreme (gjë që nuk ka pasur nevojë të ndodhë sepse deri më sot nuk ka asnjë provë për rrezikimin e jetës së ndonjë individi të ngujuar në seli; a janë marrë gjatë hetimeve nga prokuroria kampione për të provuar përmes analizave se për çfarë gazi bëhet fjalë dhe për të përcaktuar rrezikshmërinë e tij”.

Por edhe sikur këto të mos mjaftonin, spraji i zjarrfikseve në pjesën më të madhe të rasteve përmban dioksid karboni. Ai është i dëmshëm për organizmin e njeriut dhe këtë e tregojnë dhe pamjet e manifestuesve që lotonin të shtrirë për tokë. Pra përsëri alibia që ka gjetur nuk e ndihmon Bashën. Edhe nëse e besojmë atë, ai përsëri i ka goditur protestuesit demokratë me helm.

Lexo po ashtu:  Serbia synon të joshë të rinjt të shërbejnë vullnetarisht për gjashtë muaj në ushtri, u ofron 330 euro pagë

Gënjeshtra e tretë: Policinë nuk e thirrëm ne

Gjëja më e rëndë për Bashën dhe mbështetësit e tij qe marrja në mbrojtje nga policia, po nga ato uniformat blu të “Sandër kimikut” dhe Ardi Veliut, që ata i kanë anatemuar si një vegël të regjimit gjatë protestave te Unaza, bulevardi i ri apo Teatri. Më diskredituese e bën situatën edhe fakti se dukej sikur gjithçka ishte e koordinuar mes qeverisë dhe SHQUP-it. Sapo nga PD u bë thirrje për ndihmë, policia që e konfirmoi burimin e apelit, mbërriti pas dy tre minutash. Kur Lulzim Basha u pyet në “Pika mbi I”, për ta shmangur provën e pamohueshme të një pakti paraprak, ai e akuzoi policinë se mbërriti me vonesë. Por ai arriti kulmin teksa pyetjes së drejtpërdrejtë iu përgjigj: “Jo nuk e thirrëm ne policinë, por i këkuam të bëjë detyrën”.

Ç’do të thoshte të bëje detyrën? Të hidhje më shumë gaz, të ushtroje më shumë dhunë dhe t’i përndiqje njerëzit deri në bulevardin Dëshmorët e Kombit? Nëse Basha i kërkoi këtë, policia e regjimit vërtet e realizoi. Por edhe deputetja e pamësuar me piruetat e shefit të saj e thotë troç atë që ka parë brenda selisë, në intervistën e saj për “Panorama”: “Kur ne vumë re se individë të caktuar po kërkonin që të tjetërsonin çdo gjë dhe se po kalonin në dhunë, u kërkua ndërhyrja e Policisë”, dëshmoi Eralda Taso.

Pra lojrat e fjalëve “nuk i thirrëm, por i kërkuam” nuk bindin askënd. Ato vetëm e bëjnë më qesharak pozicionin e një njeriu që për të ruajtur selinë humbi antarësinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *