Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka përmbledhur në një botim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

Para se të dalin në formë të printuar, ASHAK-u e ka nxjerrë tashmë botimin në ueb-in zyrtar, në të cilin mund të kenë qasje të gjithë të interesuarit.

Pëmes një njoftimi për media, ASHAK bën të ditur se rrethanat e krijuara së fundi në Republikën e Kosovës, pas insistimit të vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare për të rinisur dialogun me Serbinë, e kanë bërë të domosdoshme vlerësimin e arritjeve të deritashme në këtë proces, përmes njohjes së plotë të marrëveshjeve të arritura jo vetëm nga institucionet përgjegjëse, nga faktori politik dhe grupet pjesëmarrëse, por edhe nga opinioni i gjerë.

“ASHAK insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Lexo po ashtu:  O shokë, ç’u prish dynjaja, - – Çajupi

Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e shkuara, thuhet më tej në njoftim, ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit.

Sipas ASHAK-ut, deri tani qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij.

“Përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë që shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për kredibilitetin e tyre politik. Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë, për interesa krejtësisht joinstitucionale, janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtetmbajtëse”, thuhet në njoftimin e akdemisë.

Lexo po ashtu:  Enigma të reja për varrin e Jezusit

Gjithashtu, AHSAK në njoftim thekson se trysnia ndërkombëtare për përshpejtimin e dialogut, përfshirë edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, është interpretuar si gatishmëri e Kosovës për kompromise që tejkalojnë të gjitha limitet kushtetuese.

“Lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës. Në diskutimin ndërkombëtar, për shkak të gatishmërisë për kompromise të këtilla, janë hapur tema tashmë të përfunduara më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, potenciohet në njoftim.

Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ASHAK synon të tërheqë vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“ASHAK në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut me rastin e publikimit në versionin elektronik të marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Lexo po ashtu:  Perandori që mori me vete një ushtri të tërë në varr.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *