Ali Mehmeti

“Në Serbi ka shumë njerëz që mendojnë se ato që nuk u arritën me topa do të arrihen me popa”

Mbi çfarë parimesh po edukohet sot kombi serb?

Flet Vuk Drashkoviq, prijës i Lëvizjes për Përtëritjen Serbe, ish ministër i punëve të jashtme në Republikën Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mali i Zi) dhe shkrimtar, që u shndërrua(?) nga një shovinist serb në një luftëtar të paqes dhe propagandues për përballje me krimet, në një intervistë dhënë televizionit boshnjak N1 me 8 shtator. Ai jep disa mendime interesante, edhe pse shumë i kufizuar dhe frikësuar sepse, siç e pranoi edhe vet, çdo ditë merë me dhjetëra kërcënime me jetë. Të përkujtojmë se mbi të u bënë dy atentate të pasuksesshme në kohën e Millosheviqit.

Megjithatë, në lidhje me situatën në Serbi jep një tablo mjaft reale ku mes tjerash konstaton:

“Në Serbi ka shumë njerëz që mendojnë se ato që nuk u arritën me topa do të arrihen me popa”, pastaj se “Formulimet rreth “botës serbe” po na kthejnë në kohën tragjike të viteve 90-ta”

Gjithsesi pjesa më interesante është ajo ku flet mbi “shëndetin mendor” të popullit serb:

“Thjesht, kombi serb është i helmuar. Helmimi i kombit serb, shkatërrimi i tij moral po vazhdon nga vitet e 90-ta dhe nuk ka ndaluar për asnjë minutë, asnjë sekondë. Shumica e popullit në Serbi është e indoktrinuar dhe helmuar, i është bërë lobotomia e tmerrshme (shpëlarje truri v.i.) nga shërbimet e sigurimit, UDB-së, propagandës së UDB-së, sidomos pas 5 tetorit të vitit 2000. Absurd. Shihni, në kohën e bombardimeve të Serbisë nga NATO, ne kemi pasur më shumë njerëz që janë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO se që i kemi sot. Edhe pse zyrtarisht Serbia është për anëtarësim në BE, edhe pse Serbia ka një bashkëpunim solid me NATO. Është  e nevojshme një ofensivë shpirtërore, intelektuale, propaganduese e cila nuk do zgjaste gjatë, por ne nuk kemi mediume të qasshme që të mund t’i drejtohemi Serbisë, t’ia sqarojmë, nuk kemi fuqi t’i hapim dosjet sekrete mbi krimet e shërbimeve sekrete dhe që popullin e Serbisë ta përballim me këto krime.

Sikur t’ia shpalosnim popullit të vërtetën, sikur populli ta dinte të vërtetën, por e vërteta është e mbuluar, kanë lindur gjenerata të reja që nuk mbajnë mend vitet e 90-ta dhe të cilat i besojnë asaj që publikohet për çdo ditë me një stil të tmerrshëm, ndoshta me stil edhe më të tmerrshëm sesa stili që kanë përdorur mediumet e Millosheviqit në vitet e 90-ta, përralla mbi heronj serb, mbi fitore, mbi komplote botërore kundër serbëve, mbi kriminelët myslimanë, kroat dhe shqiptarë, mbi botën e keqe që i urren serbët sepse janë më të mirët dhe që në këtë botë vetëm nëna Rusi i do. Mbi këto parime po edukohet kombi”

Në lidhje me situatën në Malin e Zi dhe fronëzimin e dhunshëm në Cetinje me 5 shtator, të mitropolitit të Malit të Zi dhe Bregdetit Joanikije, duke dashur ta amnistoj Serbinë dhe Vuçiqin, nga frika apo bindja, e akuzon Rusinë për ndërhyrje të drejtpërdrejt:

“Në orën 23 të katër shtatorit mediumet lajmërojnë që fronëzim të dhunshëm në Cetinjë nuk do të ketë. Gjatë natës ka ardhur një presion i fuqishëm nga një vend i fuqishëm, që sipas meje nuk është Beogradi, por sipas të gjitha gjasave edhe vet Beogradi ka qenë i ekspozuar këtyre presioneve” cili është ai vend? – ndërhynë gazetari “Por shihni, Kryetari i Qeverisë së MZ bie vendim që me forcë të shkohet në Cetinje, në momentin kur ka përkrahje të pa rezervë të bllokut prorus brenda Kuvendit malazez, nuk po them bllokut  proserb, sepse prijësit e këtij blloku prorus para dy viteve kur Putini ishte në Beograd dhe i pranoi në takim, publikisht kanë deklaruar se shteti amë për serbet e Malit të Zi është Rusia, jo Serbia, kurse kryetari i tyre nuk është Vuçiqi as Gjukanoviqi, por Putini”

 

Lexo po ashtu:  Nga kanë ardhur emrat Ballkan, Hefest dhe Vullkan ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *