Autoriteti Palestinez dhe Liga Arabe, të shtunën kanë dënuar vendimin e Republikës Çeke për të hapur zyrën diplomatike në Jerusalem, duke thënë se një veprim i tillë shkel ligjin ndërkombëtar.
Praga zyrtare të enjten hapi në Jerusalem degën e ambasadës së saj në Izrael. Çekia e ka ambasadën e saj të vendosur në Tel Aviv.
Inaugurimi i kësaj zyreje – ku mori pjesë edhe kryeministri çek, Andrej Babis – erdhi vetëm dy javë pasi Izraeli dërgoi në Republikën çeke disa mijëra doza të vaksinës kundër koronavirusit.
Autoriteti palestinez tha se e konsideron këtë vendim të Pragës zyrtare si një “sulm të hapur ndaj popullit palestinez dhe të drejtave të tij, një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”, duke shtuar se kjo do të dëmtojë prospektet e paqes, transmeton Reuters.
Sekretari i Ligës Arabe, Ahmed Abdoul Gheit tha përmes një deklarate se “statusi ligjor i Jerusalemit do të ndikohet nga vendimi i një shteti, apo e ndonjë shteti tjetër, për të hapur zyra përfaqësuese. Sipas ligjit ndërkombëtar, Jerusalemi Lindor është tokë e okupuar”, tha ai.
Izraeli thotë se Jerusalemi është kryeqyteti i tij, vendim ky që nuk është pranuar ndërkombëtarisht.
Në luftën e vitit 1967, Izraeli ka okupuar pjesë të bregut Perëndimor dhe Rripit të Gazës. Palestinezët thonë se Jerusalemi Lindor do të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.
Bisedimet e paqes për konfliktin izraelito-palestinez dështuan më 2014.
Edhe pse Republika Çeke mbështet zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez.
Më 2017, Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit, Donald Trump, njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe Ambasada amerikane u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.