Ballkani i Hapur hap shumë probleme, prandaj është nocion i marrë fund

1. Probleme me Britaninë:
Serbia, vendi kryesor ekonomik dhe ushtarak, pra lideri i Ballkanit të Hapur, ditët e fundit po hap probleme me Mbretërinë e Bashkuar, pse ajo po ndihmon kapacitetet mbrojtëse të Kosovës. Serbia sivjet mori raketa nga Kina dhe tanke moderne nga Rusia, por paska ankesa pse Kosova merr anti-tank. A thua se Kosova duhet të shtrijë qafën në tryezën e kasapit, në vend që të mbrohet. Vendi i dytë i Ballkanit të Hapur, Shqipëria, e mbrojti të drejtën e Serbisë për t’u armatosur, por ende nuk dihet se a do të distancohet nga Serbia, në kundërshtimin për ndihmën që Britania mund t’i japë Kosovës.
2. Probleme me Gjermaninë:
Në vizitën e paradoditëve të Edi Ramës në Gjermani, autoritetet gjermane, qoftë kancelari qoftë presidenti, e bënë të qartë se as nuk denjojnë ta përmendin Ballkanin e Hapur. Gjermania shfaqi interes për rimëkëmbjen e Procesit të Berlinit, dhe nuk e pranoi formulën e Ramës se këto qenkan “e njëjta gjë”. Në fakt nuk janë e njëjta gjë sepse Procesi i Berlinit ka si drejtues Bashkimin Evropian e si nxitës Gjermaninë, dhe aty marrin pjesë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Ballkani i Hapur ka si drejtues e nxitës Serbinë e në prapaskenë Rusinë, dhe është përçarës se përfshin vetëm tre nga gjashtë shtetet.
3. Probleme me NATO-n (dhe SHBA)
Në fund të marsit në Sofje të Bullgarisë janë mbledhur kryeministrat e vendeve të NATO-s nga Evropa Juglindore. Temë e diskutimit ishte lufta në Ukrainë dhe rreziqet në rajonin tonë. Aty morën pjesë kryeministri bullgar, ai rumun, malazez dhe verimaqedonas. Ky takim ishte i përshëndetur dhe i nxitur edhe nga fuqia kryesore e NATO-s, pra SHBA, që ka premtuar forcim të frontit lindor pikërisht në këto vende. Në Serbi takimi po interpretohet si përpjekje për ta zëvendësuar Beogradin me Sofjen, dhe për t’i dhënë peshë rajonale Bullgarisë. Por, kryeministri i Shqipërisë nuk ishte në takim, edhe pse Shqipëria është vend i NATO-s nga Europa Juglindore. Nuk e kanë ftuar si person që mund ta rrjedhë informacionin në Beograd, apo nuk ka dashur vetë të shkojë që të mos e tradhtojë fejesën me Ballkanin e Hapur? Dihet se rreshtimi i politikave ushtarake dhe diplomatike serbe në vijë me Moskën, është problem për NATO-n.
4. Probleme me BE-në:
Analistët politikë serbë thonë se një nga arsyet kryesore pse Serbisë nuk i avancohen negociatat drejt BE-së, janë kundërshtimet e anëtarëve fqinjë. Bullgaria e Kroacia kanë ankesa për trajtimin e minoriteteve të njohura bullgare e kroate në Serbi, ndërsa Rumania ende nuk e ka as njohjen e komunitet vllah (arumun) të Serbisë si minoritet. Serbia është një ndër vendet me trajtimin më të keq të minoriteteve. Së fundi e pamë se edhe ndaj shqiptarëve në Serbi u ushtrua një teknikë diskriminuese që i la pa deputetë në parlamentin serb. Në asocimin e saj me Serbinë, Shqipëria i humb meritat e saj si një nga vendet me trajtimin më demokratik të minoriteteve në rajonin tonë. Përveç kësaj, në emër të Ballkanit të Hapur, Shqipërisë i mbyllet goja edhe për të drejtat e shkelura të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Duke qenë pra Ballkani i Hapur një nocion i udhëhequr prej një vendi që keqtrajton minoritetet, ai është i papranueshëm për frymën demokratike që promovon BE.

Lexo po ashtu:  Bashkëpunimi ushtarak Kosovë-Shqipëri, Mehaj: Në takim me vëllain u zotuam për stërvitje të përbashkëta

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *