Nga Ian Harvey

Biskotat e çokollatës, penicilina, furra me mikrovalë – disa shpikje që kanë pasur ndikime të mëdha në botë, janë zbuluar rastësisht, kur njerëzit që i krijuan po përpiqeshin të arrinin diçka krejtësisht tjetër.

Sidoqoftë, ekziston një shpikje, e cila u zhvillua mbi 1 mijë vjet më parë, dhe në fakt u shfaq në skenë me një zhurmë: baruti. Baruti u zbulua në Kinën e lashtë dhe u quajt “huo yao”, ose ”ilaçi i zjarrtë, sipas Manualit Turistik të Kinës.

Në shekullin IX-të, alkimistët kinezë po përpiqeshin të zbulonin një formulë që do të prodhonte eliksirin, lëngun që do t’i siguronte njeriut pavdekësinë. Gjatë eksperimentimit me nitratin e kaliumit, një alkimist emri i të cilit nuk dihet, krijoi një formulë e cila kishte 75 pjesë nitrat kaliumi, 15 pjesë qymyr druri, dhe 10 pjesë squfur.

Ajo nuk garantoi jetën e përjetshme. Por, përzierja shpërtheu në mënyrë spektakolare kur ra në kontakt me zjarrin. Një kronikë e kohës, vë në dukje se shpërthimi ishte i mjaftueshëm, që jo vetëm t’i digjte duart dhe fytyrën alkimistit, por shkatërroi edhe shtëpinë e tij.

Lexo po ashtu:  Pikturat e harruara të Pirros dhe mbretit ilir Glauk

Në përgjithësi, konsiderohet se kjo është ajo që çoi në shpikjen e fishekzjarreve. Megjithëse, ka disa historianë që pretendojnë se fishekzjarret kanë ardhur në Kinë nga India apo Lindja e Mesme. Pavarësisht nga origjina e tyre, kinezët nisën t’i përdorin shumë ato.

Fishekzjarret e para, prodhoheshin duke mbushur dru bambuje plot me eksploziv, dhe duke iu vënë zjarrin, teksa ato do të nisnin të shpërthenin në ajër. Më pas drutë e bambuve i`a lanë vendin tubave prej letre.

Fishekzjarret, mund të jenë shumë zbavitëse dhe mëdhështore për raste festash. Megjithatë, baruti ashtu si shumë teknologji të tjera të reja, u përshtat shumë shpejt për përdorime ushtarake. Ka të dhëna që sugjerojnë se përdorimi i parë i barutit kundër një armiku ushtarak, ka ndodhur në fillim të vitit 904, kur forcat e dinastisë kineze Song, e përdorën atë kundër Mongolëve.

Baruti u vu në përdorim në “zjarre fluturuese”, që ishte në fakt një shigjetë me një tub të vogël prej letre, që digjte barutin e bashkangjitur me të. Baruti bënte që shigjetat të godisnin me shpejtësi drejt armiqve të tyre si të ishin raketa të vogla, diçka që nuk është ndonjë befasi e madhe.

Lexo po ashtu:  FaceTime në iOS 13 ka një opsion të ri që do ta dashuroni

Në atë kohë nisën të përdoren edhe flakë-hedhësit, granata dore primitive, dhe armë të tjera. Por, u desh të kalonte edhe një shekull e gjysmë, përpara se qeveria e dinastisë Song të fillonte të shqetësohej vërtet se mos sekreti i prodhimit të barutit, binte në duart e vendeve të tjera.

Pavarësisht se kinezët e ndaluan me ligj shitjen e nitrateve të kaliumit ndaj çdo të huaji duke nisur nga viti 1076, ishte e pashmangshme që ky sekret do të bënte buje jashtë Kinës. Lajmet për këtë armë të re dhe dramatike luftarake morën dhenë, Ato u përhapën përmes Rrugës së Mëndafshit – në Indi, Lindjen e Mesme dhe përfundimisht në Evropë.

Deri në vitin 1350, ushtritë angleze dhe franceze kishin zhvilluar topat me barut, të cilat i përdorën me entuziazëm kundër njëra-tjetrë gjatë Luftës Njëqindvjeçare. Topa të ngjashëm, u përdorën gjithashtu nga turqit osmanë në rrethimin që i bënë Kostandinopojës në vitin 1453. Pikërisht gjatë asaj periudhe, nisën të shfaqen edhe pistoletat e para. Ndryshimi më i madh që solli zbulimi i eksplozivit, ishte shndërrimi rrënjësor i formës së zhvillimit të luftës. Para shpikjes së tij, betejat zhvillohen në një distancë shumë më të afërt, dhe muret dhe fortesat garantonin realisht mbrojtje.

Lexo po ashtu:  Robotë të cilët furnizohen me energji nga dridhjet mund të shërojnë sëmundjet nga brenda trupit të njeriut

Me daljen në skenë të barutit, ndryshoi gjithçka. Gjithnjë e më shumë, ishte e mundur të plagosje ose vrisje armiqtë nga një distancë më e madhe, dhe luftërat nisën të kishin një normë më të lartë të vdekshmërisë. Edhe sot, ekziston një linjë e drejtpërdrejtë të prejardhjes së përpjekjeve të alkimistëve për të gjetur ilaçin e të jetuarit përgjithmonë, dhe armëve të shkatërrimit në masë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *