Ish-kryeministri Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, për herë të parë që prej vitit 1991. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e njoftoi këtë vendim në një dalje për mediat nga selia blu, vetëm disa orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar. Basha tha se Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit demokrat deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të arsyeve që kanë çuar Departamentin e Shtetit ta shpallë atë non grata në SHBA. Duke folur në vetë të parë dhe duke pranuar se është një nga vendimet më të vështira si kryetar i PD-së, Basha tha se një hap i tillë përfaqëson një sakrificë për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve dhe për interesin e qytetarëve shqiptarë.

Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë.

Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona.

Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.

Lexo po ashtu:  3 dëshmitë e rralla/ Jeta e thjeshtë e Fan Nolit në Boston

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *