Sebastian Zonja

” Edi Rama e sheh Kosovën njëjtë si Bosnja apo Kroacia”
Sot Kosova ka datëlindjen. Mbush 15 vjeç. Shqiptarët në Kosovë e zgjedhin vetë se si duan që ta ndërtojnë të ardhmen. Ata janë “sanduiç” mes një vendi që kërkon t’i pamundësojë funksionimin si shtet dhe një vendi që bashkëndajnë gjuhën dhe historinë. Unë dua të ndalem te puna që ka bërë qeveria shqiptare për Bashkimin Kombëtar, se atë që bëjnë në Prishtinë pushtetarët dua ta lexoj nga autorët andej.
Më la shije të hidhur intervista e së enjtes, e kryeministrit Edi Rama, në emisionin “Opinion”. Ai tha se kemi dy qasje të ndryshme ndaj Serbisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, por qëllim të njëjtë.
Në kuadrin e dy shteteve konkurrente në rajon kjo është krejt normale. Këtë mund ta thoshte për Bosnjen apo Kroacinë, por e tha për Kosovën.
Shqiptarë, Kosova nuk është thjesht shtet, është ashti i shqiptarisë. “Është gjaku që nuk falet”, do të shkruante Ali Podrimja. Pavarësia e Kosovës ka vlerë kur përfaqëson çeljen e udhës drejt bashkimit.
Deklarata e papërgjegjshme, por e përsëritur e kryeministrit Rama, tregon qartë mungesën e dimensionit kombëtar në mendjen dhe veprimtarinë e tij politike. Me veprimet dhe mosveprimet e tij shohim se politika e ndjekur prej qeverisë Rama është për të defaktorizuar shqiptarët në rajon, jo për t’i unifikuar ata. Kryeministrit Rama i janë errur sytë.
Në çastet kur në Ballkan ka tre qendra të forta pushteti: kroatët, serbët dhe shqiptarët, më të papërgatiturit në këtë lojë fuqish janë shqiptarët. Jo për faj të tyre, por për faj të pushtetarëve dhe tradhëtisë që i bëjnë intelektualët vetë kombit të tyre.
Teksa unipolariteti amerikan ka marrë fund dhe kemi rikthim të gjeopolitikës realiste të fuqive, hegjemonia liberale mori goditje të fortë me ish-presidentin Trump, Rusia po ridimensionon veten si superfuqi me luftën në Ukrainë dhe Kina ka dal në skenë si superfuqi ekonomike dhe ushtarake, serbët e kanë kapur lojën dhe po faktorizohen në gjithë Ballkanin duke përdorur çdo mjet, kroatët po ashtu, ndërsa kryeministri jonë e ka mendjen si të rrënojë demokracinë me ish-agjentë FBI-je, si t’i bëjë puç opozitës, si të shpallë non-grata politikanët, si të mbajë pushtetin, si të krijojë skema për të zhvatur sa më shumë dollaro dhe euro…
Kosova e mbytur në kosovarizëm vret veten e saj, duke i mundësuar Serbisë shpikjen e miteve origjinare mesjetare. Kosova jonë, e mjaftuar me një kompromis me Fuqitë e Mëdha, rrezikon të ardhmen e saj afatgjatë. Kosova, e ndrydhur në përpjekje për t’u “vëllazëruar” në “Ballkanin e Hapur” të Ramës, rrezikon rënien sërish në çarkun e vjetër.
Arsyeja: Edi Rama është partneri rezervë i Vuçiçit në tangon ballkanike.
Qëllimsia fundore e konceptit politik është të unifikojë kombin, pasi ideologjia më e fuqishme në epokën e komb-shteteve është nacionalizmi, por ne shohim se Rama është gjithçka veçse patriot jo. Ai i shmanget kombit dhe ligjërimit kombtarist si djalli temjanit.
Logjika e dy shteteve shqiptare në Ballkan, e pastrukturuar me një ide për të vajtur drejt Bashkimit Kombëtar, gjurmohet lehtë nëpër të ashtuquajturit politikanë dhe intelektualë.
Pedagogjikisht, në shkencat politike, ka leksione të panumërta se si shteti themelon kombin. Po ashtu, ka leksione të panumërta se ç’është “raison d’etat”. Sërish, ka leksione me shumicë se shtetet janë struktura solide që përbëjnë rendin ndërkombëtar.
Por, në filozofinë politike, koncepti që udhëheq shtetin është kombi, kur ka një të tillë. Sepse përkatësia në një ide kombëtare është po aq e rëndësishme sa ideja që themelon shtetin, nacionalizmi. Filozofinë politike të shqiptarit e ka thënë thjesht, na e ka rikthyer bukur, Ukshin Hoti – “Unë nuk jam poet dhe nuk kam fuqinë e shprehjes së tillë, por gëzohem e kënaqem kur fëmijtë e mi dhe Erleta në Prishtinë përpiqen ta ruajnë gjakun tim n’damarët e vet”, shkruan filozofi për kombin e vet.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka demokraci, se ajo është çështje e brendshme për vendet sovrane, por ka triumf të më të fortit. E ktillë ka qenë historia politike, e ktillë mbetet. Kurdoherë gjeografia i është mbivendosur historisë. Ky dimension na tregon se, në thelb, Rama ka frikë nga Serbia, siç kanë pasur të tjerë përpara tij, nëse s’bzajnë kurrë se kanë një ideal të Bashkimit Kombëtar. Po ashtu, në thelb, intelektualët e Tiranës kanë frikë nga pushtetarët e radhës dhe shovinizmat fqinje, si dhe hegjemonia liberale kur thonë dy shtete, dy vota.
Në esencë, ndër shqiptarë, trishtueshëm, nuk kemi politikanë guximtarë dhe intelektualë kurajozë që thonë – Bashkimi Kombëtar duhet bërë sot!
Deri sa të vijë ajo ditë, Kosova do të jetë e keqja e vetes dhe barra e Tiranës.
Lexo po ashtu:  Patriotizëm është t'i mjekosh në Kosovë e jo t'i dergosh jashtë shtetit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *