Qeveria serbe ka miratuar një projektligj, me të cilin e shpall Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë sociale. Ligji që pritet t’i kalojë Parlamentit, sipas qeverisë serbe, synon “të rregullojë të drejtat për mbrojtje të veçantë sociale, si dhe kushtet, juridiksioni dhe procedura për ushtrimin e këtyre të drejtave, për të parandaluar shfaqjen e përjashtimit social në atë zonë dhe eliminimin e pasojave të tij”.

Ligji parashikon mbështetje financiare për komunitetin serb, “me qëllim të mbijetesës së tyre në atë territor, dhe inkurajon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike me theks të veçantë mbi zhvillimin demografik, ekonomik dhe kulturor”.

Po ashtu, ligji rregullon juridiksionin e autoriteteve gjyqësore që do të ndjekin veprat penale të kryera në Kosovë. Këto do të shqyrohen nga Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd dhe Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd.

Qeveria e Serbisë e ka motivuar këtë ligj me “mungesën e sigurisë juridike për serbët”.

Ligji parasheh gjykime për të gjitha krimet e parapara me Kodin Penal të këtij vendi, të cilat janë kryer pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Lexo po ashtu:  Përpjekja e PDK-së për të na bërë të dukemi si ajo vet është e dobët dhe e dështuar

Bashkimi Evropian e ka kundërshtuar këtë ligj, i cili sipas tij shkel Marrëveshjen e Brukselit, dhe ka kërkuar të rishqyrtojë miratimin e tij.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar këtë ligj mosrespektim të integritetit territorial të Kosovës.

Të gjithë e dimë çka thotë populli i Kosovës, çka thotë ministri i Kosovës e çka them unë. Por unë kërkoj që në këtë pyetje të përgjigjen me saktësi e drejtësi faktorët ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar aq shumë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojnë të na mbështesin sepse Kosova si republikë në të cilën kanë kontribuuar ata, po sulmohet nga fqinji ynë verior”, është shprehur kryeministri Kurti në një deklaratë dy javë më parë.