Në librin “Doke e Zakone shqiptare”, mbledhur nga Atë Donat Kurti dhe botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendosen besëtytnitë që lidhen me çdo krahinë e zakon. Kështu, në fund të kapitullit “Miqsija në Dukagjin”, në pikën e katërt shkruhet:

“Besëtytni në lidhni me mik.

– Kur gatojca (gruaja që po gatuan), tuj ngjeshë brumin e bukës, len pa dashtë në gisht nji quk (pak) brumë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin).

– Kur, tuj u ndezë krandet (drunj të hollë e të thatë që përdoren për të ndezur zjarrin) në zjarm, çohet nji krande piripuq përpjetë e jep flakë të shpejtë, thohet se vjen nji mik (Dukagjin e Malsi e Madhe).

– Kur grueja bjen në sofër nji lugë ma tepër, thohet se vjen nji mik (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj u çue enët prej sofret, bjen gabimisht nji lugë për tokë, thohet se miku asht çue pa u ngi (Malsi e Madhe).

– Kur, tuj hanger në sofër, harron ndonjeni nji kafshatë bukë në njenen anë, thohet se do të vijë nji mik në atë mbramje, në kjoftë mjesditë, do të vijë nesër (Shkodër).

Lexo po ashtu:  Haki Abazi përplaset me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj

– Kur grizhla gërzhatë (bërtet) n’oborr të shpisë, sidomos nade, thohet se me siguri do të vijë ose nji mik, ose nji lajm (Shkodër e Malsi e Madhe).

– Kur në darkë, ndërsa gjindja e shpisë janë tuj hangër bukë, këndon gjeli nji herë, thohet se mrenda pak ditëve des nji mik; në kjoftë se këndon dy herë, thohet se desin dy (Mirditë e Dibër).

– Po u rrxue pula prej vendit ku asht tuj pushue, thohet se humbet nji mik (Malsi e Madhe).

– Me këndue pula thohet se ka me pas dëm shpija, asht mirë me e mbyt pulen për mik (Malsi e Madhe).

– Me hungrue qeni thohet se des nji rob ose nji mik (Shkodër)”. 
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *