Çmimet evropiane të gazit natyror me shumicë ranë të hënën në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, që i çoi ato në një nivel rekord vitin e kaluar. Dimri i butë u ka mundësuar vendeve të konsumojnë më pak gaz nga rezervat që ishin krijuar në pritje të ndërprerjes së furnizimit nga Rusia, e cila ishte furnizuesi kryesor i Evropës me gaz natyror përpara fillimit të luftës në Ukrainë.

Çmimi i gazit natyror arriti në nivel rekord 364 dollarë për megavat-orë në gusht të vitit të kaluar. Por çmimet kanë rënë që atëherë, duke arritur në 77 dollarë për negavat-orë të hënën, një shifër 50 për qind më e ulët krahasuar me një muaj më parë dhe çmimi më i ulët që nga 21 shkurti i vitit 2022, tre ditë përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Eksportet e gazit nga gjigandi rus i energjisë Gazprom drejt Bashkimit Evropian dhe Zvicrës ranë me 55% vitin e kaluar, thanë drejtuesit e kompanisë të hënën. Evropa ishte më parë tregu kryesor i eksportit për Gazprom-in, por furnizimet janë ulur në mënyrë drastike për shkak të sanksioneve të lidhura me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Lexo po ashtu:  Siguria në plazhet shqiptare: Krijohet njësia detare që do kontrollojë bregdetin

Vendet evropiane mbushën depozitat e tyre me rezerva të gazit dhe nisën fushata për të nxitur konsumatorët të kursejnë energji gjatë dimrit. Nivelet e depozitave të rezervave evropiane ishin në nivel 83 për qind të hënën, duke pakësuar nevojën për të blerë më shumë gaz për momentin.

BE-ja është përpjekur të gjejë burime të reja të gazit natyror në përpjekjet për të pakësuar varësinë e saj të madhe nga furnizimit me gaz natyror rus. Vendet e BE-së kanë miratuar gjithashtu një mekanizëm për të vendosur çmime tavan për gazin natyror, por analistët thonë se kjo ka të ngjarë të ketë një ndikim të kufizuar në uljen e kostos që paguajnë bizneset dhe familjet.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ulja e temperaturave mund të shkaktojë sërish rritjen e çmimeve të gazit natyror. Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu mund të shkaktojë më shumë paqëndrueshmëri në tregun e gazit natyror.

“Ai mund të përpiqet të shkaktojë përçarje mes vendeve evropiane duke pakësuar më tej sasinë eksporteve të gazi natyror në disa zona të Evropës dhe duke e shtuara të në zona të caktuara të saj”, thotë Thierry Bros, analist francez i tregut të energjisë.

Lexo po ashtu:  Rast spiunazhi, kryeministri bullgar Borisov paralajmëron dëbimin e diplomatëve rusë

Evropa do të ndeshet me vështirësi në përpjekjet për për të mbushur depozitatat e rezervave këtë verë nëse nuk merr 30 miliardë metra kub gaz rus, thotë zoti Bros.

“Çmimet rrezikojnë të rriten përsëri”, thotë ai.

Evropa tani është më e përgatitur se në janar të vitit 2022, kur depozitat e rezervave i kishte të mbushura në nivel 54 për qind, shtoi analisti Bros.

Konkurrenca midis Evropës dhe Azisë për importet e gazit natyror të lëngshëm mund të çojë gjithashtu në rritjen e çmimeve, thotë Nicolas de Warren, president i shoqatës franceze të industrive që konsumojnë më shumë energji./ VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *