I dashur baba…

Isha fëmijë frikacak; por edhe kokëfortë, siç janë fëmijët. Padyshim, nëna m’i plotësonte tekat, por nuk mund ta besoj se kam qenë aq i azdisur, s’mund ta besoj se një fjalë e ngrohtë, një vështrim i përdëllyer, duke më marrë qetësisht për dore, të mos e platitnin qenien time dhe të arrije çka dëshëroje.

Dhe ti, në thelb, je njeri babaxhan dhe i dhembshur (ato çka po them nuk bien në kundërshti, flas për përshtypjem që kisha krijuar për ty në vogëli), por jo të gjithë fëmijët janë aq këmbëngulës dhe të guximshëm që të rendin kaq gjatë pas dashurisë, derisa të gjejnë atë.

Ti di ta trajtosh një fëmijë vetëm sipas midesë sate, gjithë forcë, rrapëllimë e nerva të cingërisura dhe, në rastin tim, kjo të duket kaq e qëlluar, pasi doje të shihje tek unë një djalosh të fortë e guximplotë.

Sot, është e qartë, arrij t’i përshkruaj vetëm tërthorazi metodat edukative që përdorje në hapat e parë të jetës sime, por, sidoqoftë, arrij t’i ravijëzoj sërish në mendje, duke pasur parasysh periudhat e mëvonshme dhe mënyrën se si sillesh me Feliksin.

Lexo po ashtu:  Mozart i shkruan Constanzës!

Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se atëherë ishe mjaft më i ri, pra më i fuqishëm, më energjik, më i shpërqendruar, ishe më pak i kujdesshëm nga ç’je tani dhe i përpirë nga puna jote; mezi të shihja një herë në ditë dhe përshtypja që ngjallje tek unë ishte e thellë dhe kurrë nuk u nemit e s’u bë monotone.

Nga vitet e para të jetës ndërmendësohej vetëm një ndodhi. Ndoshta e kujton edhe ti. Një natë qarravitesha paprerë, sepse doja ujë, sigurisht jo për shkak të etjes, por ndoshta për të të bezdisur dhe për t’u zbavitur.

Meqë kanosjet fjalërënda s’kishin bërë punë, më ngrite nga shtrati, më nxore në ballkon, mbylle derën dhe më le aty, për pak çaste, vetëm, në fill të këmishës. S’dua të them se nuk veprove drejt; ndoshta atë natë, me të vërtetë, s’ia dilje dot ndryshe që të preheshe në paqe; desha vetëm të të përshkruaj mënyrat e tua edukative dhe vragat që lanë mbi mua.

Lexo po ashtu:  Çfarë është ‘efekti Didero’? Filozofia që shpjegon “urinë” për blerje të panevojshme

Ai ndëshkim, sigurisht, më bëri më kokulur, por më trallisi në thellësi të shpirtit. Kurrë nuk arrita të vë në kandar ujin që kërkoja, kokëngjeshur si mushkë dhe frikën pa anë e fund që ndieja teksa gjendesha jashtë.

Edhe vite më vonë më kallte datën fantazia brejtëse sikur burri i stërmadh, im atë, vendi i fundit ku mund të përplasja kokën, mund të vinte natën, pa kurrfarë shkaku dhe të më nxirrte vrikthi, nga shtrati në ballkon; pra, për të, s’isha veçse një zero me xhufkë./Franc Kafka/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *