Tracey Thorn

Eshtë një mbrëmje e mrekullueshme vere – jemi vërtet në mesin e verës, kur ditës më të gjatë të vitit ngadalë po i vjen fundi – dhe unë me Benin jemi brenda, para TV, duke parë episodin e parë të “Çernobilit”.

Si mundëm të merrnim një vendim të tillë, thjesht nuk e mbaj mend. Si të gjithë të tjerët, edhe ne i jemi kushtuar filmave, rregullimeve dhe sistemimeve për një kohë të gjatë, dhe kur Ben pa serinë televizive mes atyre më të rekomanduarave, më pyeti se çfarë mendoja. E kisha tashmë, por ai, nga frika se mos ndjente shumë tmerr, ia kishte kursyer vetes.

Tani ishte ai që më kërkonte një mendim… dhe në atë moment, mendja ime më luajti një rreng të pabesë. Për një moment më mbeti kujtimi i një serie televizive shumë të bukur – melankolike, apasionante dhe me atmosferë përfshirëse – dhe në një farë mënyre, harrova krejt se ishte edhe e errët, e frikshme.

Sapo filluam ta shohim, u vetëdijësova për gabimin tim. Jashtë dielli ka perënduar tashmë, dhe rrezaton hije të gjelbëra mbi oborr. Dëgjohet mulizeza në pemën e vet të zakonshme dhe zërat e mbytur të njerëzve, njerëzve të ndjeshëm, teksa kalojnë para shtëpisë.

Lexo po ashtu:  Komisioni Evropian akuza për konkurrencë të pandershme ndaj Apple

Dhe ndërkohë ne jemi këtu, në dritën e errët të dhomës sonë të ndenjes, duke parë një njeri që kryen vetëvrasje duke varur veten dhe një tjetër në grahmat e vuajtjeve mizore të shkaktuara prej djegies së rrezatimit, ndërsa fëmijët luajnë në mesin e pluhurit radioaktiv. Shikoj Benin, në anën tjetër të dhomës, dhe vërej se ai i ka sytë përtokë.

Një çast më vonë fikim televizorin dhe dalim në dritën e muzgut: krah për krah, gati pa thënë asnjë fjalë, të zhytur në muzgun e qetë.

Por edhe aty, vazhdoja të pyesja veten: “Si munda ta harroj gjithë atë tmerr? Si munda ta arkivoj në mendje serinë, si një vepër të realizuar shumë mirë, duke eleminuar nga kujtesa impaktin e saj emocional?” Ky mendim është i lidhur me një tjetër, që ende më pushton: “A ka ndryshuar diçka brenda meje? Ky ndërgjegjësim dhe sensibilizim i shtuar, kjo ndjeshmëri dhe tmerr për egërsinë e botës, a ka qenë gjithmonë brenda meje, i groposur nga përditshmëria dhe shpërqendrimi? Apo ishin muajt e fundit që më bënë të zhvilloja një vetëdije të ndryshme?”.

Disa ditë më vonë jemi në makinë, duke shkuar për të takuar disa miq: dalja jonë e parë, rreth njëzet minuta udhëtim në drejtim të Londrës perëndimore. Xhiroja në WestWay është diçka që gjithmonë e kam dashur, sepse më bën të ndjehem në shtëpi, e lumtur që jetoj në Londër. Sidoqoftë, sot është sikur shqisat e mia janë sulmuar nga të gjitha anët; gjithçka duket se ecën më shpejt dhe me një vëllim më të lartë se më parë, pa ndalim. Dhe mendoj përsëri për batutën që i atribuohet aktorit Ernest Thesiger, kur i kërkuan të përshkruante përvojën në llogore pas Luftës së Parë Botërore: “O Zot”, u përgjigj, “çfarë zhurme! Dhe sa shumë njerëz!”.

Lexo po ashtu:  Burim lajmesh, Instagram do të parakalojë Twitter

Frika nga errësira

Nuk duroj dot nivelin e histerisë që më kap kur largohem nga shtëpia dhe nuk më pëlqen të kuptoj se tani, në qytetin që e dua aq shumë, ndihem e vogël dhe e brishtë. Energjia e vetë qytetit, që më parë më karikonte, tani duket kërcënuese për mua dhe pyes veten nëse ndryshimi që ka ndodhur tek unë, është i përhershëm apo i përkohshëm, dhe si do të kthehem në jetën time të dikurshme. Apo nëse do të ketë një mënyrë të re dhe të ndryshme të të jetuarit.

Periudha e izolimit po përfundon, të paktën tani për tani, dhe filloj të takoj përsëri miq … Filloj të kem frikë se jam bërë jo vetëm më e ndjeshme, por edhe më e mërzitshme, por mbase kjo ka ndodhur për të gjithë ne. Dhe pyes veten: “O Zot! Por më parë, për çfarë bisedonim?”

Një mëngjes, përsëri, duke kaluar pranë varrezave përpara kishës, vërej një pllakë që mban një mbishkrim në gjuhën latine: “Post tenebra lux, pas errësirës vjen drita”.

Lexo po ashtu:  Huawei ofron mundësi të reja për një të ardhme inteligjente

Më rikthehet në mendje Çernobili dhe se si reagimi im, kur e pashë për herë të parë, ishte shumë në përputhje me magjepsjen për errësirën, në artin shprehës që mbizotëron në kohërat tona. Mendoj përsëri se sa shumë ne i kushtojmë rëndësi veprave ngacmuese, pa zbutje, të cilat na e bëjnë gjakun të ngrijë, dhe se si komeditë me zor konsiderohen në ceremonitë e ndarjes së çmimeve.

Kam filluar të kem frikë nga errësira, mbase sepse për momentin nuk e di se çfarë fshihet aty. Dhe kështu ndjehem e tërhequr nga drita, nga rrezet e diellit që filtrohen mes pemëve, pasqyrimet në sipërfaqen e ujit dhe nga mirësia e miqve. Ndoshta duhet të rishikoj “Detectorists”. / The New Statesman – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *