Stefano Marcelli/ Gazetar në RAI, ekspert në gjeopolitikën e Ballkanit

Në historinë që rrethoi lajmin për praninë e Goran Bregoviç-it në Festivalin e Përvitshëm të Birrës në Korçë, nuk është aq shumë ftesa drejtuar muzikantit serb që ngjall habi te vëzhguesi i huaj, por reagimi i shumicës së opinionit publik shqiptar ndaj indinjatës që vjen nga Kosova.

Reagime të nxituara, sipërfaqësore, plotësisht indiferente ndaj tragjedisë dhe dhimbjes së vëllezërve përtej kufirit, të cilët ende mbajnë zi për vdekjet dhe dhunën e pësuar nga Millosheviçi dhe përkrahësit e tij të pamëshirshëm.

Kosovarët po i cilësojnë “të papërpunuar” dhe “primitivë”, sepse ata ende e mbajnë mend atë luftë të përgjakshme dhe dekadat e mëparshme të progromit dhe aparteidit.

Madje, ata po cilësohen si të tepërt, sepse për shkak të protestave të tyre, tani ka debat dhe kërkohet të hiqet dorë nga koncerti i autorit të një kënge aq intensive dhe ndjellëse si ajo e “kalashnikov-it”.

Këta shqiptarë, sa të ndjeshëm ndaj ritmeve të muzikës ballkanike, aq edhe indiferentë ndaj dramave të njerëzimit, kanë përjetuar gjithashtu një tragjedi të përgjakshme (atë të regjimit të Enver Hoxhës), por ata e bënë atë në shtëpi të tyre, vetë, dhe për këtë arsye nuk kanë nevojë ta kenë me askënd, veçse me veten e tyre.

Lexo po ashtu:  Shqipëria demokratike sot është krenare/ Lulzim Basha kalon vettingun e SHBA

Ata nuk e dinë se çfarë është aparteidi, ndalimi i të folurit të gjuhës amë, mbrojtja e identitetit kombëtar dhe akoma më pak ata dinë për përdhunimet etnike, dëbimet, vrasjet masive…

Varre me njerëz të zhdukur, po! Për këto ata janë në dijeni, sepse regjimi diktatorial i Tiranës i pati mbushur me disidentë. Por, ata nuk i kërkojnë ato, se duan të shmangin sikletin e të bërit llogari me historinë e tyre të gjakshme.

Shqiptarëve u mungon empatia edhe në lidhje me tragjeditë e tyre.

Empatia është aftësia për t’u identifikuar me gjendjen shpirtërore dhe mendimet e njerëzve të tjerë.

Filozofi gjerman Edmund Husserl ka zhvilluar një teori të vërtetë mbi empatinë, që përfaqëson “mënyrën me të cilën subjekti përjeton ekzistencën e subjekteve të tjerë dhe në të njëjtën kohë ka tendencën për kapërcimin e vizionit të botës së tij subjektive për të arritur vizionin e botës objektive”.

“Empatia”, shkruan nxënësja e tij Edith Stein (e vrarë në një kamp përqendrimi nazist) “është akti paradoksal përmes të cilit realiteti i diçkaje tjetër, i asaj që ne nuk jemi, ende nuk kemi jetuar ose nuk do të jetojmë, bëhet elementi i përvojës më intime, domethënë ndjenja e përjetimit së bashku që prodhon zgjerim dhe shtrirje drejt asaj që është përtej”.

Lexo po ashtu:  Opsioni i “paqes” apo “guri i varrit” në Ballkanin Perëndimor

Por, gjëja më e rëndësishme u tha nga psikanalisti Heinz Kohut, sipas të cilit nevoja për ndjeshmëri nuk është një mundësi, por një nevojë parësore, një ushqim psikologjik, i krijuar nga frika e vetëpërjashtimit nga bota.

Kjo për të gjithë, mbase, por jo për shqiptarët!

Ata nuk kanë frikë nga vetëpërjashtimi dhe izolimi nga pjesa tjetër e botës, meqë e kanë praktikuar për dekada të tëra.

Nëse ata nuk e kuptojnë dhe refuzojnë dhimbjen e një populli që flet të njëjtën gjuhë, nderojnë të njëjtin flamur dhe e shohin Shqipërinë si atdheun e tyre të vërtetë, kë tjetër do të kuptojnë ndonjëherë shqiptarët?

Edhe holokausti i hebrenjve, drama e palestinezëve, tragjedia e refugjatëve që ikin nga luftërat dhe uria… janë vetëm trashëgimi të realiteteve të së kaluarës, të papërshtatshme që nuk duhet të shqetësojnë jetën e përditshme dhe koncertet e një populli gazmor dhe që nuk ka dëshirë të mendojë gjatë?

Në psikologji ekziston një patologji e quajtur egotizëm, që është qëndrim psikologjik i cili konsiston në vetadhurim dhe në kënaqësinë narcisiste të vetvetes dhe të cilësive të vetes.

Lexo po ashtu:  Dr. Jak Simoni: Betimi i Hipokratit  dhe stetoskopi i mjekëve

Prandaj mund të themi që shqiptarët nuk janë empatikë dhe janë egotikë, domethënë të mbyllur në vetvete.

Ashtu si në ditët e regjimit, të tjerët janë vetëm një rrezik nga të cilët duhet të mbrohen.

Tridhjetë vjet më vonë, udhëtimi i anijes “Vlora” jashtë kufijve nuk u krye kurrë. Siç do të kishte thënë Hussler, shqiptarët nuk i kaluan kufijtë e botës subjektive për të zbuluar ekzistencën e të tjerëve dhe botës objektive.

Por ja që kështu është, shqiptarët nuk lexojnë filozofët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *