Qëndra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Britani kishte paralajmëruar që atëherë se vendimi i Shteteve të Bashkuara e bën teknologjinë e kompanisë Huawei më pak të sigurt dhe më pak të besueshme.

Janë shtuar spekulimet se Britania mund të ndryshojë vendimin në lidhje me firmën kineze Huawei dhe të ndalojë planet e saj për prezantimin e teknologjisë së rrjetit të celular 5G në vend. Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të ndaluar shitjen e mikroprocesorëve të kompanisë Huawei në Amerikë mund të ketë ndryshuar mendimin e Londrës. Pekini ka paralajmëruar Britaninë kundër asaj që e quan shndërrim të Kinës në një armik.

Kryeministri Boris Johnson po përpiqet të ndërtojë një Britani globale pas Brexitit, duke vënë në shënjestër nënshkrimin e marrëveshjeve të reja tregtare me ekonomitë më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. Por Britania e gjen veten gjithnjë e më shumë midis këtyre dy fuqive rivale.

Në janar Kryeministri Johnson miratoi një vendim për të lejuar firmën kineze Huawei të ndërtojë elemente jo thelbësore të rrjetit 5G në Britani. Shtetet e Bashkuara kritikuan ashpër këtë vendim, duke paralajmëruar se Huawei është e lidhur ngushtë me qeverinë kineze dhe paraqet një rrezik sigurie. Tani duket se Kryeministri Johnson mund të jetë gati të ndryshojë mendimin për këtë çështje.

“Unë jam gjithashtu i vendosur që Britania nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë e pambrojtur nga rreziqet e kompanive që ofrojnë shërbime për shtetin. Prandaj, ne do të duhet të mendojmë me kujdes se si duhet ta trajtojmë këtë.”

Ajo që mund të ketë shkaktuar këtë ndryshim është vendimi i Shteteve të Bashkuara në maj për të mos lejuar kompanitë amerikane që të furnizojnë kompaninë kineze Huawei me procesorë që përdoren në rrjetin 5G.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Britani kishte paralajmëruar që atëherë se vendimi i Shteteve të Bashkuara e bën teknologjinë e kompanisë Huawei më pak të sigurt dhe më pak të besueshme.

Ligjvënësit britanikë që janë kundër përfshirjes kineze thonë se qeveria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të ndryshuar vendimin në lidhje me kompaninë Huawei.

Lexo po ashtu:  Tryezë shkencore për Martin Camajn në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta

“Mendoj se u bë shumë e qartë gjatë muajve të fundit se ata kishin gabuar me këtë, ata madje e dinin se duhej të ndryshonin vendimin. Ajo që ka ndodhur që atëherë është sigurisht dështimi i Kinës për të vënë nën kontroll virusin Covid-19 dhe mos informimi i të tjerëve mbi mënyrën se si përhapet kjo sëmundje, duke bindur njerëzit se qeveria kineze nuk është e besueshme”, tha Ian Duncan Smith, deputet konservator dhe bashkë-kryetar i Aleancës Ndër-Parlamentare për Kinën.

Huawei thotë se Shtetet e Bashkuara thjesht po përpiqen të shkatërrojnë një rival tregtar.

“Britania ka patur një marrëdhënie shumë të gjatë me Kinën dhe shpresoj se nuk do të tërhiqet nga kjo marrëdhënie”, tha John Browne, President i kompanisë Huawei në Britani.

Vetëm pesë vjet më parë, Kryeministri i atëhershëm David Cameron tha se marrëdhëniet Sino-britanike kishin hyrë në një “epokë të re”. Tani tensionet po rriten shpejt mbi kompaninë Huawei, Hong Kongun dhe koronavirusin. Ambasadori i Kinës në Britani lëshoi këtë paralajmërim në një video të publikuar në internet të hënën.

Lexo po ashtu:  Firefox 68 me ndryshime të mëdha në iOS por të vogla në desktop

“Ne duam të jemi miku juaj, partneri juaj, por nëse doni ta bëni Kinën një vend armiqësor, duhet të përgatiteni për pasojat”, tha Liu Xiaoming, ambasador i Kinës në Britani.

Një vendim i fundit për kompaninë Huawei pritet paraqitet në parlamentin britanik para fillimit të pushimeve të verës më 22 korrik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *