Njohësi i rrethanave politike për Ballkanin Perëndimor, Janusz Bugajski, e ka parë problematik termin ‘normalizim’, i cili është normalizuar në diskursin e ndërkombëtarëve sa herë që flitet për finalizimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Bugajski teksa ka zbërthyer termin “normalizim”, ka thënë se për Beogradin është normale mos-njohja e sovranitetit të Kosovës. Ai këtë e ka deklaruar në ‘Twitter’, në një replikë ndaj zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derrek Chollet, në njoftimin për bisedën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas marrëveshjes për targat.

”Normalizim” është term mashtrues. Për Beogradin “normale” nënkupton mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe provokimin e konflikteve për të parandaluar njohjen e ndërsjellë. Pa barazi të plotë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja do të shuajnë zjarre pafundësisht”, ka deklaruar Bugajski.

Në anën tjetër, Chollet ka falënderuar Kurtin për gjetjen e një rruge për shmangie të tensioneve dhe ka ftuar atë që të punojë urgjentisht drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Telefonatë e mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E falënderoj për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të fascilituar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu:  Problemi numër 1

Mbrëmë, në orën e parë të së enjtes, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për diplomaci, Josep Borrell, bëri të ditur se është arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Sipas marrëveshjes në fuqi, Kosova do të ndalojë masat për ndëshkimin e serbëve që bartin targa ilegale, ndërsa Serbia do ndalojë lëshimin e tyre pas skadimit të regjistrimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *