Bilanci Ilir Metës në këtë 2 mars nuk mund të matet me numra. Sfida e cila iu bë përpara kësaj të hëne, se sa njerëz do të mbledhë, se s’ka të çmendur që mund të dalin në bulevard për “Ilir floririn”, se askush nuk beson se njeriu me bllok në dorë, mund të bëhet garanti i librit të kushtetutës, tashmë mund të quhet e tejkaluar.

Ilir Meta tuboi në bulevard shumë më tepër njerëz se ka mbledhur ndonjëherë në këtë vend një kryetar shteti.

Ai grupoi rreth vetes një masë tepër më të madhe se sa sa mund ti garantojë partia prej nga vjen dhe që e mbështet pa rezerva, LSI-a.

Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim.

Ai duhet kërkuar në thirrjet e asaj mase të pafundme protestuesish që teksa dëgjonin fjalimet e pjesmarrësve në mbrojtje të kushtetutës, brohorisnin në kor “Rama ik” apo “poshtë diktatura”.

Ai duhet gjetur në në lajtmotivin e të gjithë oratorëve, që ndonëse vinin nga profesione, bindje dhe histori të ndryshme, i bashkoi së toku një fill i vetëm: në këtë vend duhet ndaluar instalimi i një regjimi.

Lexo po ashtu:  QOSJA: SHIKONI, DEGJONI, LEXONI E MENDONI

Pra, manifestimi i 2 marsit, ndonëse kishte okelion e mbrojtjes së kushtetutës, ishte një protestë ndaj një njeriu të vetëm. Ai ishte një grumbullim që kishte në epiqendër Edi Ramën dhe sistemin autarkik që ai po ngre. Ai ishte mitingu më i çuditshëm në botë, ku të gjithë ishin bërë bashkë kundër atij që askush nga oratorët nuk ia përmendi emrin.

Në këtë kuptim, konkluzioni që del nga ajo që shikuam në bulevard, nuk duhet parë si një sukses personal i presidentit. Mbi të gjitha, ai qe konfirmimi se ekziston në këtë vend një masë e madhe, në rritje progresive, që nuk pajtohet dot me pushtetin personal, kleptokratik dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

Ata sot i mblodhi Ilir Meta. Ata dje i mblidhte Lulzim Basha. Ata nesër mund ti mbledhë pa surprizë edhe Nisma Thurrje apo Organizata Politike e Arlind Qorit. Sepse sado liderë të fshihen, të squllen, të shiten, populli që nuk e duron më këtë rregjim, nuk mund të mbetet pa zë.

Lexo po ashtu:  Për herë të parë në histori Italia pritet të ketë një grua si kryeministre, e për herë të dytë, pas 100 vitesh, vjen në pushtet një forcë me origjinë fashiste e simpati për Duçen

2 marsi shërbeu pikërisht për këtë. Për të kuptuar se regjimet sfidohen në rrugë dhe jo në tryeza. Se autokratët përballohen me forcë dhe jo me dialog. Se paqja kërkon burrërri dhe squlltësia nuk prodhon dot kurrë paqe.

Prandaj Ilir Meta, sot, nuk mund të mburret se populli opozitar doli në bulevard pro tij. Ai mjafton të gëzohet se pati intuitën dhe forcën për të interpretuar vullnetin e atyre që janë të gatshëm të rezistojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *