Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pasurimin e pastrimin e gjuhës. Për të dhënë vetëm dy shembuj, po përmendim Irlandën dhe Turqinë. Në Irlandë, menjëherë pas shkëputjes prej Britanisë së Madhe dhe fitimit të pavarësisë, po edhe më parë, gjuhëtarët hapën shkrimet e vjetra, që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, dhe qitën në dritë leksema të moçme të gjuhës që s’i njihte më kurrkush, që kishin qenë përdorur disa shekuj, mbase edhe njëmijë vjet më parë, dhe i shtinë në shkollë e në qarkullim, edhe sot janë në përdorim të përgjithshëm.

Në Turqinë qemaliste, në vazhdim të punës që pat nisur më parë, sidomos Sami Frashëri, për pastrimin e gjuhës nga fjalët, shprehjet dhe ndërtimet sintaktike arabe e perse që e kishin mbuluar, me reformën gjuhësore që nisi në vitin 1928, u hulumtuan një varg fjalësh të turqishtes (osmanishtes) së vjetër dhe të disa të tjerave gjuhë turke të Azisë, dhe këto të gjitha dhanë një ndihmesë të madhe në pastrimin e gjuhës dhe pasurimin e saj me lëndë vendi.

Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare. Nuk është aspak një shenjë shovinizmi, shqiptari nuk e ka traditë shovinizmin.

Në këtë fushë është punuar me shekuj te ne dhe vazhdon të punohet në këtë drejtim. Po të kundrohet kjo veprimtari më nga afër, shihet se ka këtu një vazhdimësi, një vijë të pandërprerë. Ne e çmojmë dhe e vlerësojmë veprimtarinë e paraardhësve tanë, njëkohësisht synojmë ndërkaq ta çojmë përpara veprën e tyre dhe ta thellojmë. Në këtë punë nuk do të kufizohemi të zbulojmë fjalë të moçme nëpër shkrime të vjetra, si kanë vepruar për shembull në vendet e përmendura më sipër. Nuk është kjo e vetmja rrugë për ne, sepse plot fjalë janë edhe sot të gjalla në gojë të popullit dhe presin të shtihen në përdorim. Kjo punë ka filluar që me përmendoret e para të shkrimit të gjuhës shqipe. Autorët e vjetër si Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani e të tjerë kanë vepruar me vetëdije në këtë rrugë. Pjetër Budi në një vepër të tij të vitit 1618 ankon se gjuha po prishej më fort prej pakujdesisë së “diesvet dhe letërorëvet” të kohës së tij.

Frano Bardhi në parathënien e fjalorit të tij të vitit 1635, flet për dëshirën e tij “me ndimuem mbë nja anë gjuhënë tanë”. Gjysmë shekulli më vonë, Bogdani rrëfen se “m’anshtë dashunë me djersë të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë dhe të Shkodërsë” dhe shton se “giuha jonë qi me dijet dvuer edhe fjalëtë”. Qysh te këta autorë të vjetër gjejmë fjalë si derëtar, dëftues, grykësi, gjetës, gjuhëtar, kangëtar, këshilltar, kopështar, krye “kapitull”, lutës, madhështi, mbarim, mjeshtëri, ndjekës “ithtar, imitues”, i përbrendshëm, përndjek “persekutoj” (prej nga mund të formohet përndjekje për “persekutim”), polem “popull, vegjëli”, pushim, rrëfim, shkollar, urta, vetëmi, vjershëtar e plot të tjera, pa mundur ne sot të dimë se cilat janë fjalë të marra prej gojës së popullit dhe cilat janë formime të këtyre autorëve. Në lidhje me këtë, dihet se në pasurim të gjuhëve letrare e të shkrimit, dy janë kryesisht rrugët që ndiqen përgjithësisht. E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin popullor e nëpër dialekte dhe të shtënët e tyre në përdorim të përgjithshëm, shpeshherë duke i ngritur më lart në punë të nivelit kuptimor. Kështu, për shembull, lëndë landë si kuptim konkret ka “dru; dru si material ndërtimi”, po qysh prej shkrimtarëve të Rilindjes së shekullit të kaluar përdoret me rrugë abstrakte edhe për “materie”, “subjekt”, “temë” etj. Ashtu dhe fjala rrymë, prej kuptimesh të tilla si “rrjedhë e vrullshme e ujit”, “lëvizje e ajrit”, “remë e mullirit” (rrymë e ujit, rrymë ajri, rrymë e mullirit), ka zgjeruar sferën e përdorimit me rrymë elektrike, rrymat letrare, rrymat politike etj., duke përfshirë kështu dhe sferat abstrakte të leksikut. Rruga e dytë është formimi i fjalëve të reja, i të ashtuquajturave neologjizma. Këto mund të jenë formime të mëtejme të fjalëve popullore, si anëtar nga anë. Shpeshherë ndërkaq janë të tilla, porse të farkuara si përkthim fjalësh të huaja, si kalke, si për shembull i pamasë e autorëve të vjetër, pas lat. immensus, it. immenso; ose në kohët e reja pararojë pas it. avanguardia, frgj. avantgarde etj. Janë pra formime pozitive, me gjedhe (model) të huaj, po me brumë vendi, një mënyrë veprimi me të cilën janë pasuruar me kohë gjithë gjuhët e Europës edhe të botës, rrugë pasurimi e ndjekur që në kohët e lashta (latinishtja prej greqishtes), por sidomos në kohët moderne.

Puna e autorëve tanë të vjetër në këtë fushë veprimtarie po të hetohet më imtë, shihet se vazhdon më tej dhe gjatë kohës para shekullit të kaluar. Edhe pse përmasat qenë më të vogla, dhe mënyra e punës shpeshherë anonime, vlen të shënohet se nuk ka pasur aty një zbrazëti të plotë në punë të shkrimit e përpunimit të gjuhës. Kjo veprimtari ndërkaq me një gjallëri të re u rimuar tek ne sidomos me shekullin e kaluar, mbasi lëvizja mendore e “shekullit të dritës” (le siècle des lumières), i quajtur gabimisht “iluminizëm”, dhe më vonë e romantizmit, patën zgjuar sidomos ndër popujt e vegjël e të robëruar të Europës idenë nacionale dhe dashurinë për kulturën popullore, folklorin, gjuhën amtare dhe përpunimin e kultivimin e saj. Njerëzit që vepruan në këto fusha kanë qenë nganjëherë njëkohësisht burra të armës dhe të pendës, luftarë dhe dijetarë e shkrimtarë, ashtu si Pashko Vasa ndër ne. Me një ndjenjë habie shohim ne sot si një njeri jo i pendës, po i armës, dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore, si Marko Boçari prej Suli, përdor në fillim të shekullit të kaluar leksema të sferës kuptimore-abstrakte si kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri, e të tjera si këto. Mbetet merita e elementit shqiptar të Italisë që i priu Rilindjes Kombëtare të shekullit të kaluar, me çeljen e Kolegjit të Kalabrisë (1732) dhe atij të Palermos në Siqeli (1734), dhe pastaj me vepra historike-gjuhësore, folklorike e letrare, si ato të Nikollë Ketës (1742-1803), Engjëll Mashit e sidomos të Jeronim De Radës, i cili organizoi dhe dy kongrese gjuhësore në Kalabri. Në këtë lëvizje mendore e gjuhësore-letrare në gjysmën e dytë të atij shekulli morën pjesë, si dihet, dhe shkrimtarë e dijetarë shqiptarë të Greqisë, si Panajot Kupitori e Anastas Kullurioti. Nga shkrimtarët e Shqipërisë, një brez para atyre të Rilindjes, Naum Veqilharxhi është një ndër të parët që u përpoqën të pasuronin gjuhën e shkrimit e ta spastronin nga fjalët e huaja, me fjalë si fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër. Përpara tij Tahir efendiu prej Gjakove përdori më 1835, ndër të tjera, fjalë si folës, mësim, mësues, nxanës, rrëzim. Shkrimtarët e Rilindjes, si Kristoforidhi, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e të tjerë, i hynë në këtë lëmë një pune të madhe edhe me një metodë të re.

Lexo po ashtu:  Apple ndryshon dizajnin e tastierave problematike të MacBook

Kjo metodë ishte: kërkim, përhapje e vënie në qarkullim e fjalëve që ekzistojnë në gjuhë, po që kishin mbetur mënjanë; përdorim i fjalëve të vjetra e të harruara të gjuhës; përdorim shumë i kufizuar i fjalëve të huaja; formim fjalësh të reja, neologjizmash, si ko­mpozita si rrjedhoja (derivate), pas gjedhes së analogjisë, pra kryesisht pas shembullit të fjalëve të gjalla të ligjërimit popullor e të dialekteve të tij. Ndër këta autorë, Kristoforidhi e pasuroi gjuhën e shkrimit me fjalë si fushatë, hierore “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore. Te Naim Frashëri gjejmë dëgjim, dritare, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdijë, vjershëtor e plot të tjera. I vëllai Samiu, dihet se përveç punës që kreu në lëmin e caqeve (termeve) gjeografike e administrative (lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, kryeministër, qeveritar etj.), ka vënë themelet e terminologjisë gjuhësore e gramatikore, me formime si abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar. Para tij Jani Vreto shtiu në përdorim terme gjuhësore si rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse. Gjejmë tek ai edhe fjalë të gojës popullore përdorur me një mënyrë të re, pa mundur ne sot të ndajmë kurdoherë me saktësi se cili ndër këta tre shkrimtarë është autori i parë i disa fjalëve të caktuara. Puna e pasurimit dhe e pastrimit të gjuhës vijoi e pandërprerë edhe pas periodës së Rilindjes nga ana e një vargu shkrimtarësh, gjuhëtarësh e arsimtarësh të vendit. Në vitet e para të shekullit tonë Luigj Gurakuqi me veprat e veta ia kushtoi gjithë mundin e tij këtij qëllimi. Ai u caktoi lavruesve të gjuhës detyrën që “skajet (termet) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuej gjithnjë ndër t’tana gjuhët… kena për t’i marrë edhe na… Fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tue i ba me rrjedhë prej rraje shqype”. Në ditët tona Aleksandër Xhuvani, i pajisur dhe me zotërimin e plotë të metodës gjuhësore, i kushtoi gjithë jetën e tij këtij synimi, detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi. Punimet e tij të kësaj fushe janë mbledhur shumica në dy vëllimet: “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) dhe “Studime gjuhësore” (1956), për të cilin vëllim gjuhëtari i njohur austriak Maks Lamberc thotë se do të ishte me shumë vlerë që kjo punë jete të botohej e përkthyer në një gjuhë të madhe si frëngjishtja. Njëkohësisht edhe disa lavrues dashamirë të gjuhës amtare dhe arsimtarë patriotë si Mati Logoreci e të tjerë, edhe këta me sa kanë mundur kanë punuar në këtë vijë. Këtu ndërkaq është vendi të vihet në dukje ndihmesa e madhe që ka dhënë e po jep në lëmin e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë vendi, në formë anonime, masa e njerëzve të thjeshtë, nëpunës, arsimtarë, ushtarakë, specialistë të degëve të ndryshme, në ditët tona përveç këtyre edhe institucionet shkencore, aktivistë shoqërorë e plot të tjerë. Pas çlirimit të vendit janë formuar ndër të tjera, fjalë e caqe (terme), si anëshkrim, arritje, automjet, bajraktarizëm, bashkautor, bashkekzistencë, bërthamor, bishtajore, bletari, bujkrob, dukuri, ecuri, furrnaltë, gjetje (arkeologjike), halorë, hedhurina, huazim, kanal kullues, leshpunues, mbingarkesë, mbingarkim, mbishtresë, mbivlerë, pyetësor, reshje, shpërpjestim, shpim, tokëzim, tregues m., vendburim e të tjera.

Në këtë mënyrë gjuha e shkrimit dhe e bisedës që përdorim ne sot i ka rrënjët në gjuhën popullore të përpunuar gjatë kohëve. Ajo është rezultat edhe i përdorimit të fjalëve të gojës së popullit edhe i punës së madhe të brezave të mëparmë. Do të ishte me interes për historinë e gjuhës letrare e të shkrimit të hetohej se, sidomos nga fjalët e leksikut abstrakt-mendor, te cili autor secila ndër to shfaqet për herë të parë, ose të paktën në cilin shkrim (vepër, revistë a gazetë) paraqitet së pari. Një punë e tillë e dyfishtë pret që të kryhet në të ardhmen. Aty mund të dalë që një pjesë e mirë e leksemave të këtij lloji janë më të vjetra nga ç’mund të kujtohet, dhe që një pjesë i ka pasur qëmoti dhe gjuha popullore.

Gjuha shqipe është e pasur jo vetëm në elemente leksikore të kulturës materiale, po edhe në fushën e fjalëve të sferës abstrakte-mendimore. Nuk është i drejtë mendimi i disa dijetarëve të huaj se shqipja qenka e pasur vetëm në fjalë të sferës baritore, as i drejtë mendimi se shqiptarët paskan qenë një popull barinjsh nomadë, shtegtarë. Një mendim i tillë nuk përligjet as me të dhënat e ekonomisë politike historike. Një profesor matematike më thoshte para disa kohe se me terme shkencore të farkuara me mjetet e gjuhës së popullit ka shpjeguar lëndën e tij në shkolla të mesme dhe është kuptuar shumë mirë nga ana e nxënësve. Një gjë e tillë vlen dhe për të tjera degë të dijes, si për fizikë, botanikë, zoologji, gjeografi, gjeologji, arkitekturë e degë të tjera.

Për të dhënë vetëm disa shembuj nga lëmi i gjuhës popullore, që janë në gjendje të zëvendësojnë fjalët e huaja ose gjithsesi të pasurojnë gjuhën letrare dhe terminologjinë shkencore me elemente ose forma të reja, po përmendim ndër të tjera: Çamëria polipit të detit i thotë likurishtë, veprimit të zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Gjirokastra për “parenté” thotë afëri, rozetës së tavanit i thotë kërthizë, tuberkulozit të eshtrave i thotë rrodhje (nga rrjedhja e qelbit); Labëria atij që përziente bagëtinë me një tjetër i thotë përzitës, dhe sisës së gjirit të bagëtisë femër mjelm; Bregu i Detit për “zë rrënjë bima” thotë rrënjëzohet; Lunxhëria drurëve e shkurreve të ulëta që rriten keq në pyll në hijen e drurëve të mëdhenj u thotë hiesira; Zagoria për “qëmoti, lashtë” thotë lashtërisht, dhe ana e Këlcyrës për “tashti vonë, rishtas” thotë rishmë; anët e Beratit e të Frashërit sipas Kristoforidhit zgavrës së një druri të madh si rrapi i thonë zgërbonjë, dhe Dangëllia një ene bakri me veshë i thotë veshore; Labova e rrëzës së Tepelenës kur bie borë e imtë thotë mizon; Mallakastra një fiku vjeshtak të zi e me plasa në lëkurë i thotë fik shkronjës; Myzeqeja grykës së lumit që derdhet në det i thotë gojkë d.m.th. “gojë”; ana e Shpatit mostrës ose modelit i thotë gjedhe, dhe të mbajturit anë, anësisë anesë; Shqipëria e Mesme për një njeri të flashkët me trup e të mefshtë thotë i qullët, e për “vete mbarë” trevon, si në s’na trevon gjaja e gjallë. Në të folët e Tiranës ndiheshin edhe ndihen fjalë si kryemot për natën e ditën e vitit të ri, dhe hulli për “brazdë”. Në katundin Sharrë të Tiranës, fjalën pamenia e kemi dëgjuar me kuptimin “panoramë, pamje”, e në anët e Krujës dëgjohet ansujë për “ishull”. Me këtë nuk themi se do të zëvendësojmë patjetër ishull-in dhe do ta heqim krejt nga përdorimi, porse e japim shembullin për të treguar se edhe në fushën gjeografike gjuha e popullit ka formuar leksema si kjo, e cila mund të hyjë në përdorim në stile të veçanta të gjuhës letrare. Mjeshtrit e asaj ane kanaleve a vanave që gërryhen në çimento për kalim uji u thonë ujse. Mirdita vendosjes së një grupi etnik të shpërngulur në një vend të ri, pra kolonisë, i thotë ngulim. Shkodra tekstileve u thotë veglore, fjalë që lidhet me vegël, që përdor Korça për vegjët. Anët e Veriut fundërrisë që mbetet nga të shkrirët e një lënde i thonë bram, zgjyrës bramc farke, shtrirjes së një lugine i thonë lugajë, një fushe voglake vuth, një toke që është nën ujë tokë mbujake, një galerie a tuneli zgafelle, tumave të lashta (arkeologji) kodërvorre, një grumbullimi lulesh në trajtë të një kalliri të varur vastak, një pipthi, kalemi a fidani trishe, sëmundjes karies (të dhëmbëve etj.) briesë; veçanërisht Pulti për “mjekoj me barna” përdor barnatoj. Fjala imtoj, sot përgjithësisht “shkoqit në hollësira (një çështje)”, në të folët e Lumës përdoret në mënyrë konkrete “holloj”, imtoj drutë “i çaj i bëj të holla”. Kosova një njeriu që ka të njëjtin emër me një tjetër i thotë emnak, e për “dorëzoju” thotë “jep dorzimin”; në Kosovë për “filaturë” përdoret tjerrtore, e për “kaldajë” ngrohtore. Në Dibër një helmi të madh të shpirtit i thonë djegë. Duke kaluar në dialektet e ngulmimeve shqiptare jashtë Atdheut do të përmendim se në Arbënesh të Dalmacisë për “shpina e dorës” thonë përmidora, e për “krijoj”, me një fjalë vendi lentoj (nga lej), prej nga mund të formohet dhe lentim për “krijim”. Në Greqi për “gardh” thonë thurimë, fjalë që mund të përdoret edhe me një kuptim të figurshëm, si p.sh. në gërshetimin e veprimit të një drame. Në Kalabri ofiqit (nofkës) që i ngjitet një njeriu i thonë shënim. Në Siqeli samarit i thonë bërrore, fjalë që lidhet me barrë; për “të dhënë e të marrë, marrëdhënie” thonë përzitë, si në shprehjen me të hojin mos kesh përzitë. Atje kanë farkuar dikur dhe gurshkronjë për “litografi”. Këta janë vetëm disa pak shembuj për të dhënë një ide sado të zbehtë për pasurinë e visarit leksikor të gjuhës popullore.

Lexo po ashtu:  Nagavci: Nga viti i ardhshëm shkollor hyjnë në përdorim tekstet alternative

Janë pra të gjitha mundësitë për një zëvendësim të fjalëve të huaja me fjalë vendi, dhe kjo pa bjerrje aspak të vlerës kuptimore të fjalëve. Mund të zëvendësohen ndër të tjera fjalë si abuzoj abuzim, acid, adaptoj adaptim, agresion agresiv, aktivitet aktivizoj, ambient ambiental, ambiguitet, amorf, anketë, apikulturë, aproksimativ approksimativisht, aprovoj aprovim, atribuoj, bonifikoj bonifikim, celular, deduktoj deduktim, dekompozoj dekompozim, depistoj depistim, derivat, destinoj, dezekuilibër, dimension, efekt i efektshëm efikacitet, eksperiencë, eksploroj, ekuilibër, erupsion, esencial, evoluoj, favor favorizoj favorizim i favorshëm, fenomen, fibër, filaturë, firmos, fortifikoj fortifikim, frekuentoj frekuentim, frutikulturë, germë, grataçel, hezitoj hezitim, imediat, imperativ mb., influencë influencoj, inkuadroj inkuadrim, inkurajoj inkurajim, inovacion, insistoj insistim, insuficiencë, intoksikacion, investoj investim, justifikoj justifikim justifikues, kaldajë, karbon, konditë, kondicionoj, konfirmoj, kontribuoj kontribut, kooperoj kooperim, koordinoj koordinim, korent kurent, korrespondoj korrespondencë, kulminant, landshaft, laring laringjit, leguminoze, legjislativ, lubrifikoj, manual, militoj, monument, ndofta ndoshta, operativ, origjinë, palafit, penelatë, perfeksionoj perfeksionim, polen, preferoj, preokupoj preokupim preokupant, presion, presupozoj presupozim, reciprok reciprocitet, refuzoj refuzim, renal, rendiment, represiv, revokoj, sekret, servil, silvikulturë, i sinqertë sinqeritet sinqerisht, sinjifikativ, skulptor skulpturë, spektator, spostoj spostim, stimul, sukses i suksesshëm, supersticion, supozoj supozim, tentoj tentativë, (ujëra) territoriale, toksik toksikologji, total totalisht, transformoj transformim, transmetoj transmetim, unifikoj unifikim, validitet, vegjetacion, vigjiloj, vigjilencë vigjilent (që me këtë formë s’e kanë as italishtja as frëngjishtja), volum voluminoz, xhiroj xhirim etj.

Në lidhje me këtë punë të madhe, së cilës mendojmë se duhet t’i përvishemi me një rrugë tërësore, sistematike e të organizuar mirë që në ballë, në mënyrë paraprake do dalluar qartë ç’është huazim (frgj. emprunt) e ç’është fjalë e huaj. Fjalët më sipër e shumë të tjera të llojit të tyre nuk janë huazime të mirëfillta, të tilla që të kenë hyrë lashtërisht në gjuhë të popullit, të jenë bërë mish e asht i saj. Janë mish i huaj depërtuar në gjuhë nëpërmjet shtresave intelektuale kryesisht në këto brezat e fundit, dhe nuk kanë arritur të hyjnë thellë në strukturën leksikore të gjuhës. Prandaj dhe zëvendësimi i tyre me brumë vendi, me kusht që të mos cënohet saktësia kuptimore, në përgjithësi nuk paraqitet i vështirë. Do pasur parasysh në këtë mes se depërtimi i fjalëve të këtij lloji nuk përligjet as me karakterin gjuhësor të shqipes. Gjuha shqipe nuk është një gjuhë romane as gjysmëromane, si ka qenë pohuar dikur dhe vazhdon të pohohet vise-vise dhe sot e kësaj dite. Janë të gjitha mundësitë reale që mos t’i lihet shteg edhe pohimit të dikujt se “duhet njeriu më parë të mësojë italishten para se të mundë të lexojë pa mundim një shkrim të shqipes”.

Në këtë veprimtari ndërkaq duan pasur parasysh disa parime në lidhje me metodën e punës që do të ndiqet. Një ndër parimet kryesore në zëvendësimin e fjalëve të huaja do të jetë maturia. Nuk duhet aty të kalohet në ekstrem. Ka rasa – kryesisht në punime të specialitetit – ku përdorimi i një fjale a termi të huaj paraqitet i domosdoshëm; aty, për hir të saktësisë shkencore, të stilit, a për një tjetër arsye, do të përdoret. Si kudo, edhe aty duhet vepruar me masë, pan metron ariston kanë thënë të vjetrit. Nuk duhet ecur si në disa gjuhë ku edhe fjalë e terme ndërkombëtare janë munduar t’i zëvendësojnë medoemos me elemente të vendit.

Në këtë mes del edhe pyetja: ç’është term ndërkombëtar? Mendojmë se term ndërkombëtar nuk mund të quhet një term shkencor që e kanë përgjithësisht vetëm gjuhët romane, gjuhët bija të latinishtes; ato vetvetiu e kanë marrë e do ta marrin prej saj. Term ndërkombëtar mund të quajmë një term shkencor që përveç gjuhëve romane e kanë në përdorim edhe idiomat e të tjerave familje gjuhësore, si gjuhët gjermanike, sllave e të tjera. Për të dhënë dhe këtu ndonjë shembull, do të themi se acid nuk është term ndërkombëtar, po kimi është term ndërkombëtar; levë, presion nuk janë terme ndërkombëtare, porse fizikë po; insekt është term ndërkombëtar, po insekticid nuk është. Ashtu qëndron puna dhe me botanikë përkundrejt leguminozeve e labiate-ve, me zoologji përkundrejt reptilë-ve etj. Duke mbetur në lëmin e terminologjisë shkencore mund të pohojmë pra se në degë të ndryshme të dijes e përgjithësisht të veprimtarisë njerëzore, në arkitekturë, gjeologji, botanikë, zoologji, fizikë, kimi, matematikë, mjekësi e shëndetësi, në blegtori, bujqësi, industri, ekonomi, ndërtim e në fusha të tjera ka një mori fjalësh të vendit që pa dëm kuptimor janë në gjendje t’ua zënë vendin fjalëve të huaja. Aty është me interes edhe kjo, që fjalët e vendit kuptohen më mirë, rroken e përvetësohen më lehtë nga nxënësit e moshave të vogla, sepse u formojnë atyre shoqërime (asociacione) idesh; ato gjejnë analogjinë e vet në pasurinë leksikore që zotërojnë ata brenda sistemit të gjuhës amtare.

Lexo po ashtu:  468 vjet më parë/ Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”.

Në këtë fushë veprimtarie shihet kështu se një rëndësi të madhe ka puna e pastrimit të terminologjisë shkencore, e cila është mbuluar me elemente leksikore të huaja. Veçse përbrenda kësaj fushe duhen bërë diferencime. Një pjesë e madhe e terminologjisë së shkencave teknike, natyrore, mjekësore e të tjera është në përdorim kryesisht në rrethe shkencore e të specialitetit. Një rëndësi më të madhe merr problematika e pastrimit të degëve të leksikut shoqëror, elementet e të cilit janë në përdorim te një masë më e gjerë e shtresave të shoqërisë. Në këtë veprimtari një detyrë edhe më të madhe përbën puna e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës së përditshme që përdoret në të folë e në shkrim. Spastrimi i gjuhës prej fjalësh të tilla si ambient, eksperiencë, esenciale, fenomen, influencë, preferoj mbetet një detyrë kryesore e gjuhësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, ne mendojmë se spastrimi i terminologjisë shkencore, me gjithë rëndësinë që ka, përbën vetëm një pjesë në punën e madhe e komplekse të pastrimit e pasurimit të gjuhës, punë në të cilën vjen e integrohet.

Edhe në lëmin e sintaksës gjuhësinë shqiptare e presin detyra të reja në pastrim të ndërtimit të fjalisë prej ndikimit të huaj. Ndërtime të tilla si gjuha greke dhe ajo latine; kategoritë emërore dhe ato foljore; në të gjitha fushat kryesisht në ato politike e ushtarake, kapitali amerikan, krahas atij holandez nuk janë të strukturës sintaktike të shqipes. Ato janë ndjekje (imitime) të gjedhes së italishtes, depërtuar ndër ne gjatë këtyre brezave të fundit. Ndërtime të tilla kanë shkuar prej romanitetit perëndimor edhe në rumanishten, porse atje edhe lejohen si një gjuhë romane që është. Tek ne mendojmë se edhe këto përdorime duhet të zëvendësohen me ndërtime të vendit. Thjesht shqip do të duhej të thuhej e të shkruhej kategoritë emërore dhe kategoritë foljore ose kategoritë emërore dhe foljoret. Një tjetër gjurmë ndër të tjera ka lënë në shqipen moderne ndikimi sintaktik i italishtes në ndërtime fjalish si hyrja në fuqi e kësaj ligje, hyrja në veprim e makinerive, hyrja në përdorim e këtyre fjalëve, për shkak të daljes në grevë të minatorëve anglezë, në vend që të shkruhej hyrja e kësaj ligje në fuqi, hyrja e makinerive në veprim etj., si ka qenë më parë në gjuhën shqipe. Veçse duhet thënë se ky lloj ndërtimi ka depërtuar tashmë aq thellë në gjuhën bisedore e të shkrimit, sa më nuk ndihet si element i huaj, dhe do të jetë vështirë të mënjanohet.

Puna e pastërtisë së gjuhës përfshin dhe frazeologjinë. Edhe aty vërehen në gjuhën e sotme ndikime të jashtme, me ndjekje gjedhesh të huaja me anë përkthimi. Në shqipen e mirëfilltë nuk thuhet i hedh pluhur syve, si thonë në disa gjuhë të tjera, po thuhet i hedh hi syve. Një përkthim (kalk) frazeologjik i ri është edhe shprehja gjysmë i vdekur; në folklor e tek autorët e vjetër gjendet rregullisht pak gjallë po me këtë kuptim. Gjuhësia jonë edhe në këtë fushë është e caktuar të gjurmojë rrugët vetjake të gjuhës.

Duke kaluar nga fjalët në punë, jemi të mendimit se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm (permanent) t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe. Mendojmë që në këtë komision të marrin pjesë njerëz nga institutet dhe qendrat kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues specialistë të degëve të ndryshme. Të gjenden rrugët e bashkëpunimit të tyre me ndërmarrjet, fabrikat dhe institucionet shkencore e të tjera të vendit. Do të ketë pjesëmarrje e bashkëpunim aktiv sidomos dhe nga ana e arsimtarëve të rretheve, sepse shkolla do të luajë një rol të dorës së parë.

Do të duhet një punë individuale dhe kolektive, një punë e re e gjithanshme, punë sistematike dhe me afat të gjatë. Me këto punë duhet të hapet një faqe e re e historisë sonë gjuhësore, një epokë e re e pastrimit dhe e pasurimit të gjuhës letrare edhe të shkrimit. Duhet të kryhet në atë mes një rishikim i gjithë punës së deritanishme. Do të rishqyrtohen nga ky këndvështrimi jo vetëm terminologjitë e ndryshme dhe fjalorët terminologjikë, po edhe fjalorët e tjerë që janë punuar deri më sot. Do të jetë një reformë gjuhësore në nivel Republike. Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e pastrimit të gjuhës.

Fjalët e vendit dhe termet që do të zëvendësojnë me kohë elementin e huaj do të shtihen në përdorim që në shkollat, që me moshën e re. Shumë fjalë që do të vendoset të përdoren e të hyjnë në gjuhë, edhe neve vetë në fillim do të na duken pakëz si çudi. Porse brezat që do të vijnë do t’i mësojnë e do t’i përdorin vetvetiu; sikurse kanë hyrë në përdorim shumë fjalë vendi që janë farkuar prej paraardhësve tanë e prej brezit tonë, janë për ne sot të natyrshme dhe janë bërë pronë e qëndrueshme e gjuhës. Në këtë punë me rëndësi kombëtare do të veprohet me guxim bashkuar me kompetencë shkencore, dhe, si u tha, me hapa të matur, me maturi në punë. Ne edhe në fusha të tjera të veprimtarisë kulturore kemi ndërmarrë punë që vetë neve në fillim mund të na jenë dukur të parealizueshme, e që i kemi kryer.

Shënim: Marrë nga dorëshkrimi i autorit. Botuar së pari në “Mësuesi”, 28 mars 1979-4 prill 1979

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *